Mësuesit po gjejnë mënyra për t’u sjellë nxënësve përfitimet mendore dhe fizike që sjell ndjesia e “awe” (mahnitjes, mrekullisë).

Heidi Lawrence nisi të hulumtonte lidhjen mes natyrës dhe përjetimeve emocionale gjatë punës për doktoraturën e saj në letërsi. Duke analizuar vepra si A Wrinkle in Time, ajo vuri re se personazhet shpesh përjetonin ndryshime të thella përmes lidhjes me natyrën. Ky vëzhgim e frymëzoi që më vonë të përfshinte “Shëtitjet e Mrekullisë” në mësimdhënie – 15 minuta të qeta në natyrë për të vëzhguar botën përreth.

Pasi mori pjesë në kursin “Mrekullia në Arsim” nga Qendra e Shkencës së Mirësisë, ajo kuptoi se këto momente qetësie ndihmonin studentët e saj të qetësoheshin, të ndiheshin më mirë emocionalisht dhe të përqendroheshin më mirë në mësime.

Ndjesia e mrekullisë ndodh kur përballemi me diçka më të madhe se vetja, që na tejkalon të kuptuarit – si një lindje dielli, një muzikë që na prek thellë, ose një strukturë madhështore. Kjo përvojë mund të ulë stresin, të nxisë ndjeshmëri dhe sjellje bashkëpunuese, dhe të rrisë kreativitetin e fëmijëve.

Studiuesit theksojnë se fëmijët janë kureshtarë nga natyra dhe shpesh përjetojnë ndjesi që tejkalojnë dijet e tyre – pra janë të hapur ndaj mrekullisë.

Momente të vogla mrekullie mund të ndryshojnë kulturën e klasës: rrisin përfshirjen, krijojnë ndjesi përkatësie, zhvillojnë reziliencë dhe nxisin krijimtarinë.

Lawrence vuri re se nxënësit e saj filluan të vëzhgonin detaje të natyrës, të reflektonin për përvojat e tyre dhe të mendonin si mund t’i sillnin këto ndjesi edhe në klasat ku do të mësonin vetë në të ardhmen.

Edhe brenda klasës, kur nuk është e mundur të dilet jashtë, mund të nxisim ndjesinë e mrekullisë përmes mbjelljes së bimëve, koleksionimit të gjetheve, ose edhe duke parë video të natyrës.

Shembuj praktikë nga mësues të tjerë

Emily Wilson Brenner, që jep mësim në San Francisko, përdor tekstet klasike si Frankenstein për të diskutuar ndjenjën e “sublimes” (mahnitjes përballë madhështisë dhe misterit). Ajo u kërkon nxënësve të vëzhgojnë tingujt, ngjyrat, detajet që të tjerët nuk i shohin – duke ushqyer kështu vëmendjen, inteligjencën dhe ndjeshmërinë.

Ajo gjithashtu e nis vitin shkollor duke njohur më mirë nxënësit e saj – cilat gjuhë flasin, çfarë muzike pëlqejnë – dhe krijon një listë dëgjimi që e përdor gjatë mësimit për të ndërtuar ndjesi komuniteti.

Disa mënyra për të përfshirë ndjesinë e mrekullisë në mësim:

  • Mësim në natyrë ose shëtitje vëzhguese
  • Përralla dhe tregime që zgjerojnë botëkuptimin
  • Muzikë ose filma që na emocionojnë
  • Rituale të vogla reflektimi, si ditarë të mrekullisë
  • Akte kolektive dashamirësie që krijojnë ndjesi përkatësie

greatergood