Me fokus natyrën dhe sipërmarrjen, kampi veror i Kallz ka bërë dallimin që në fillim. Prej vitesh tashmë, kampet verore të Kallz zhvillohen përmes një programi intensiv argëtues e informues që mbahet në qendër dhe me ekskursionet në ferma e fabrika.

Fëmijët mësojnë rreth proceseve të ndryshme të prodhimit, përpunimit, grumbullimit e shitjes së produkteve. Gjatë këtyre viteve ne kemi qenë në kompani të ndryshme, si ajo e sigurimeve Eurosig. Fëmijët mësuan rreth vlerës së sigurimit të automjetit, banesës, shëndetit etj.

Një tjetër ekskursion që ka shënuar në kujtesën e fëmijëve është ai në fabrikën Kler. Kompania e prodhimit të këmishave është e përmasave ndërkombëtare dhe produktet e saj tregtohen në kryeqytetet më të rëndësishme të botës. Po aq me interes është kompania e prodhimit të veshjeve sportive SAM. Ne kemi ndjekur të gjithë procesin e prodhimit të veshjeve sportive, me të cilat garojnë personalitete të rëndësishme të sporteve në Europë, në garat e ciklizmit, surfit, kampinatin e tenisit etj.

Ferma agroturistike ‘Hajdar Kuqi”, është një destinacion shumë i preferuar nga ne. Dhe jo rastësisht. Kjo fermë ka gjithçka që entuziazmon e pasuron fëmijët. Pemëtari, tokën e mbjellë me perime, fermën e certifikuar bio, liqeni, ferma e blektorisë me dhi, keca, lopë e viça. Kuajt e gomerët gjenden aty. Rosa pata e zogjtë e tyre, krahas qenit të shtëpisë. Familja Kuqi është bërë aq e dashur për ne, sa këtë vit zhvilluam një kamp tërësisht në fermë.

Dhjetëra fëmijë u argëtuan në kampin e zhvilluar nga Kallz, me lojëra me ujë, kultivimi i perimeve, mjelja e dhive etj.

Kampi në fermë do të jetë një prioritet i Kallz edhe në vitet e ardhshme.