Në Instagram dhe TikTok po fiton terren një fenomen i ri: influencerë, kryesisht gra të reja, që e prezantojnë jetën pa miq dhe pa marrëdhënie romantike si një zgjedhje të qetë dhe të dëshirueshme. Videot e tyre grumbullojnë miliona shikime, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se mesazhi mund të normalizojë izolimin social, me pasoja për shëndetin mendor dhe fizik.

Një nga videot më të komentuara është ajo e influenceres Paulina Cee, e cila dokumenton një mbrëmje tipike të së premtes në apartamentin e saj në Nju Jork: kujdeset për macen, pastron shtëpinë, porosit pica dhe kalon mbrëmjen vetëm. Videoja, e titulluar “POV: Jeton vetëm në NYC dhe nuk ke miq”, ka kaluar 11 milionë shikime në Instagram.

Përmbajtje të ngjashme publikohen edhe nga krijues të tjerë, ku vetmia shfaqet në një estetikë të kuruar, me apartamente minimaliste, rutina të qeta dhe fokus tek vetëkujdesi.

Vetmia si zgjedhje personale

Mes figurave më të njohura të këtij trendi është edhe Lana Isa nga Toronto. Në videot e saj ajo tregon fundjava të kaluara vetëm në shtëpi, duke theksuar se nuk ka interes për takime romantike apo një rreth të gjerë shoqëror.

Vetë influencerja shpjegon se përmbajtja e saj nuk synon të promovojë mungesën e miqve, por të dokumentojë një periudhë të jetës së saj pas përjetimit të ankthit të përgjithësuar, ndarjes nga partneri dhe humbjes së miqësive. Sipas saj, videot pasqyrojnë qetësinë që gjeti pasi përpunoi emocionalisht këto përvoja.

Ekspertët: Të jesh vetëm nuk është njësoj si të jesh i izoluar

Mareike Ernst, studiuese e psikoterapisë në Universitetin e Klagenfurtit, vlerëson se ky lloj përmbajtjeje ka edhe anë pozitive. Sipas saj, është e rëndësishme të largohet stigma që shoqëron njerëzit që kalojnë kohë vetëm dhe të tregohet se vetmia nuk duhet të jetë gjithmonë burim turpi.

Megjithatë, ajo paralajmëron se ekziston rreziku që të rinjtë ta interpretojnë këtë përmbajtje si model jetese dhe të bindin veten se izolimi afatgjatë është plotësisht normal.

Ekspertja thekson se autenticiteti i këtyre videove është i vështirë të verifikohet, ndërsa ndikimi i tyre tek ndjekësit mbetet real.

Izolimi social lidhet me rreziqe për shëndetin

Studime të shumta tregojnë se izolimi social i zgjatur lidhet me një rrezik më të lartë për sëmundje kardiovaskulare, probleme të shëndetit mendor dhe vdekshmëri të parakohshme.

Sipas një studimi të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) të publikuar në vitin 2025, mes 17% dhe 21% e të rinjve nga 13 deri në 29 vjeç deklarojnë se ndihen të vetmuar, ndërsa niveli më i lartë është regjistruar tek adoleshentët. OBSH vlerëson gjithashtu se rreth një në katër të rinj përballet me izolim social.

Një tjetër studim ndërkombëtar, i realizuar nga Nivea në 13 vende, zbuloi se 24% e të rinjve të grupmoshës 16–24 vjeç ndihen të izoluar shoqërisht, krahasuar me 19% të popullsisë së përgjithshme.

Një trend që prek kryesisht gratë

Sipas Ernst, fakti që ky fenomen dominohet nga gra të reja mund të lidhet edhe me stereotipet gjinore. Shoqëria tradicionalisht pret që gratë të ndërtojnë dhe mirëmbajnë marrëdhënie sociale, ndaj zgjedhja për të jetuar vetëm mund të interpretohet edhe si një formë kundërshtimi ndaj këtyre pritshmërive.

Nga ana tjetër, estetika e zakonshme e influencereve – e fokusuar tek vetëkujdesi, gatimi, organizimi i shtëpisë dhe rutina personale – e bën këtë lloj përmbajtjeje më të pranueshme për audiencën.

Mes normalizimit dhe romantizimit të vetmisë

Psikoterapisti amerikan Phil Lane ka kritikuar publikisht këtë fenomen, duke argumentuar se vetmia nuk duhet të shndërrohet në një ideal estetik. Ai thekson se kalimi i kohës vetëm është i shëndetshëm dhe shpesh i nevojshëm, por nuk mund të zëvendësojë nevojën bazë njerëzore për lidhje sociale.

Sipas tij, problemi lind kur izolimi paraqitet si një mënyrë jetese për t’u admiruar, duke minimizuar pasojat që mungesa e marrëdhënieve sociale mund të ketë për mirëqenien afatgjatë./DW