Prindër!
Kur flisni me fëmijën, sidomos për t’i tërhequr vëmendjen, fjala kryesore nuk duhet të thuhet e para, pasi fëmija nuk e dëgjon. Për shembull, kur fëmijës i thuhet “mos e bëj”, ai shpesh nuk e dëgjon fjalën “mos”. Kjo lidhet me mënyrën se si fëmija mëson të folurën.

Në procesin e të mësuarit të gjuhës, nëna shpesh i rrokëzon fjalët fëmijës kur dëshiron ta ndihmojë të mësojë. Ajo shqipton rrokjen e parë dhe e nxit fëmijën të artikulojë rrokjen e dytë. Në të njëjtën mënyrë, edhe me fjalët, nëna e thotë fjalën e parë dhe fëmija e vazhdon me fjalën e dytë. Pra, mësimi i shqiptimit fillon me rrokjen e fundit dhe më pas kalon te fjala e fundit.

Si pasojë, fëmija mësohet të përqendrohet te rrokja dhe fjala e fundit. Kështu, kjo mënyrë të mësuari bëhet edhe mënyra e tij e dëgjimit. Specialistët e gjuhës dhe edukimit të fëmijës rekomandojnë që gjatë të folurës të përdoren edhe shenjat, si lëvizja e kokës apo e dorës në mënyrë mohuese ose pohuese, pasi gjuha e trupit është më e lehtë për t’u kuptuar nga fëmija.

Duke i bashkuar të dyja – fjalët dhe shenjat – fëmija do t’i kuptojë më mirë komandat dhe do ta perceptojë më saktë se çfarë kërkohet prej tij. Kjo “paaftësi” e fëmijës për të mos dëgjuar fjalën e parë mund të zgjasë deri në moshën 3-4 vjeç.

Nëse prindërit tregohen të kujdesshëm në formulimin e komandave me fjalë, fëmija do ta ketë më të lehtë të zhvillojë përqendrimin dhe dëgjimin sipas radhës së fjalëve. Kjo e ndihmon shumë në të ardhmen në aspektin e vëmendjes dhe zhvillimit intelektual.

Gabime që duhet të shmangin prindërit në komunikimin me fëmijët:

“Mos bëj kështu se i them policit!”
“E thirra doktorin që të të bëjë gjilpërën!”
“Po bërtite, vjen hajduti dhe të merr!”

Këto janë shprehje të zakonshme që të rriturit përdorin kur duan të “mbarojnë punë shpejt” me fëmijët dhe të qetësohen. Por në të vërtetë, këto fraza kanë një ndikim negativ në edukimin e tyre.

Prindërit, gjyshërit, mësuesit, madje edhe kalimtarët në rrugë, shpesh nuk e vrasin mendjen për efektin e fjalëve të tyre te fëmija. Ata as nuk e kuptojnë që, pa dashje, po barazojnë dhe njësojnë tre figura që nuk duhet të krahasohen: policin, doktorin dhe hajdutin.

Të barazosh doktorin me hajdutin dhe policin me hajdutin, do të thotë t’i minosh fëmijës besimin te e mira, respektin dhe përgjegjësinë. Ky edukim i gabuar me modele të përziera nuk mund të prodhojë asgjë tjetër veçse të rritur konfuzë, që nuk dinë të dallojnë të mirën nga e keqja dhe përgjegjësinë nga papërgjegjshmëria.

Autorja: Lira Gjika