“Ky do të bëhet avokat si gjyshi, apo inxhinier si babai, apo do t’i ngjajë dajës?” Këto shprehje lodhëse, që i drejtohen fëmijëve të vegjël, dëgjohen shpesh nga prindërit, gjyshërit apo të afërm të tjerë. Gjithashtu, këto konfirmime shoqërohen edhe me pyetje të tilla si: “A do t’i ngjajë gjyshit, babait apo dajës?”

Të rriturit i përdorin këto shprehje e pyetje natyrisht me qëllim të mirë, por nuk mendojnë aspak se si i dëgjon fëmija dhe, sidomos, çfarë ndjen dhe çfarë efekti kanë ato tek ai. Me gjithë dashamirësinë që mbartin, është mirë t’i lëmë mënjanë, sepse për fëmijën ato përbëjnë një sprovë të madhe, që mund të krijojë ankth dhe pasiguri.

Fëmija është ende i vogël, nuk mund të jetojë i vetëm, nuk i njeh mirë të gjitha fjalët, dhe papritur dëgjon konfirmime të tilla për të ardhmen e tij. Kjo mënyrë të foluri krijon një terren jo të favorshëm për zhvillimin e identitetit të tij dhe e pengon të bëhet vetvetja.

Prindër dhe mësues, përpiquni t’i ndihmoni dhe t’i siguroni fëmijët se, ashtu si gjyshi, nëna, babai apo daja, edhe ata, duke u rritur, do të bëhen ata që dëshirojnë, të zotë dhe të suksesshëm, sepse nuk janë vetëm – ju jeni pranë tyre.

Prindër, mos u përpiqni t’u impononi fëmijëve dëshirat tuaja, edhe nëse ato mund të jenë të drejta. Janë dëshirat tuaja, por jo domosdoshmërisht të fëmijës. Ju duhet ta ndihmoni atë të bëhet vetvetja dhe të mos ketë frikë të jetë i tillë.

“Funksioni” i prindërve dhe mësuesve është të jenë mbështetja dhe siguria e fëmijëve në rrugëtimin e tyre drejt rritjes.