Zbatimi i plotë i programit “Pas Shkolle” në të gjitha shkollat publike 9-vjeçare të vendit do të sillte një kosto vjetore prej rreth 19.4 miliardë lekësh, ose afërsisht 203 milionë euro. Kjo rezulton nga llogaritjet e përfshira në një projektvendim të hartuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Sipas dokumentit, skema parashikon ofrimin e një vakti ushqimor për rreth 222 mijë nxënës të arsimit bazë publik. Përllogaritjet janë bërë mbi bazën e një kostoje prej 500 lekësh në ditë për çdo nxënës dhe për 175 ditë mësimore gjatë vitit shkollor.

Përveç skenarit të zbatimit të plotë, ministritë kanë përllogaritur edhe variante të tjera, ku shërbimi do të ofrohej vetëm për një pjesë të nxënësve, nga 10 deri në 50 për qind e tyre. Skenari i konsideruar bazë është ai që mbulon 20 për qind të nxënësve.

Financimi i mundshëm nga pushteti vendor

Projektvendimi propozon që njësitë e vetëqeverisjes vendore të kenë mundësinë të organizojnë dhe financojnë shërbimin e ushqimit në shkolla, në rast se disponojnë burimet e nevojshme financiare. Ofrimi i këtij shërbimi do të bëhet me miratimin e Ministrisë së Arsimit dhe në përputhje me standardet e sigurisë ushqimore.

Sipas relacionit shoqërues, kjo formulë synon të garantojë koordinim mes pushtetit qendror dhe atij vendor, si dhe zbatimin e një sistemi të kontrolluar për shpërndarjen e ushqimit në shkolla.

Mbi 110 milionë euro për nxënësit e arsimit fillor

Për nxënësit e arsimit fillor publik, që numërohen rreth 121.5 mijë, kostoja vjetore e programit vlerësohet në 10.6 miliardë lekë, ose rreth 110 milionë euro.

Në rast se skema do të mbulonte vetëm 10 për qind të nxënësve, shpenzimet do të zbrisnin në rreth 1 miliard lekë në vit. Për mbulimin e 20 për qind të nxënësve, që konsiderohet skenari bazë, fondi i nevojshëm arrin në rreth 2.1 miliardë lekë. Ndërsa për 30 dhe 50 për qind të nxënësve, kostot llogariten përkatësisht në 3.2 miliardë dhe 5.3 miliardë lekë.

Rreth 92 milionë euro për klasat VI-IX

Për nxënësit e arsimit 9-vjeçar të ciklit të lartë, të vlerësuar në mbi 100 mijë, programi do të kërkonte rreth 8.8 miliardë lekë në vit, ose afërsisht 92 milionë euro.

Në këtë kategori, mbulimi i 10 për qind të nxënësve do të kushtonte rreth 881 milionë lekë, ndërsa skenari bazë prej 20 për qind do të kërkonte rreth 1.8 miliardë lekë. Nëse përfitues do të ishte gjysma e nxënësve, fondi do të arrinte në rreth 4.4 miliardë lekë.

Çfarë parashikon programi “Pas Shkolle”

Programi synon zgjerimin e kohës që nxënësit kalojnë në shkollë përmes aktiviteteve edukative, sportive dhe kulturore pas përfundimit të procesit mësimor. Në dokument argumentohet se ofrimi i ushqimit është një komponent i rëndësishëm për funksionimin e kësaj skeme, pasi ndikon në mirëqenien, përqendrimin dhe pjesëmarrjen e nxënësve.

Sipas ministrive, ushqimi në shkollë mund të kontribuojë në përmirësimin e rezultateve në mësim, uljen e pabarazive sociale dhe rritjen e përfshirjes së fëmijëve në aktivitetet pas orarit mësimor.