Kur shohim një nënë të re, ajo që tërheq vëmendjen është energjia që ajo rrezaton, një energji e jetës që ndonjëherë ajo vetë nuk e vëren. Trupi i saj ka rritur jetë dhe tani, në rolin e nënës, ai prodhon qumështin e bardhë – simbol i së mirës, i së pastërtës, i jetës së re.

Pediatrja Lira Gjika ndalet tek kjo ndjesi delikate, duke reflektuar mbi mënyrën se si nënat “e vjetra” gjyshet e sotme mund ta përjetojnë këtë fazë të re. Sipas saj, shpeshherë lind në mënyrë të pavetëdijshme një lloj ndjenje zilie ndaj nënës së re, një ndjesi që mund të na nxisë të fokusohemi te të metat apo pasiguritë e saj. Por pikërisht në këtë moment është dashuria që duhet të ndërhyjë, për të na rikujtuar se ato janë vajzat tona, apo nuset e djemve tanë, dhe se përmes tyre ne tashmë jemi bërë gjyshe.

Gjika thekson se është koha që nënat me përvojë të përjetojnë një eksperiencë të re: të ndihmojnë nënën e re të bëhet më e mirë se ç’kanë qenë vetë dikur. E gjitha kjo, pa ia zënë vendin, pa e nënvlerësuar, por duke e përkrahur me delikatesë dhe dashuri në rolin e saj të ri.

Ndihma nuk duhet të bëhet pushtet

“Të ndihmosh një nënë të re nuk do të thotë ta mënjanosh apo t’i japësh ndjesinë se ‘nuk di’ sepse është e re,” shkruan Gjika. Përkundrazi, është e rëndësishme që të rritet vetëbesimi i nënës së re, që ajo të ndihet në qendër të mëmësisë së saj, ashtu siç natyra dhe Perëndia e kanë vendosur.

Por, shpesh ndodh e kundërta. Këshilla të fshehura pas përvojës mund të marrin formën e kritikës ose të fjalëve që ulin moralin, dhe nënat e reja përballen me një konflikt të heshtur, shpesh të padukshëm, që e vështirëson rrugën e tyre. Në realitet, nënat e vjetra kanë kaluar të njëjtat sfida dhe shpesh janë ndjerë po njësoj të pasigurta dhe të gjykuara. Sipas Gjikës, ka mundësi që, pa vetëdije, po përsëritim të njëjtin model që na ka lënduar dikur.

Dashuria kërkon tërheqje, jo dominim

“Dashuria e vërtetë është ajo që të ndihmon të tejkalosh ndjesitë konfuze,” thotë Gjika. Të mos jesh më në qendër të një ngjarjeje si lindja e një fëmije, është sfiduese, por kjo nuk duhet të kthehet në arsye për të marrë hapësirën e nënës së re.

Nuk është e drejtë të përdoret “pushteti i moshës” apo i përvojës për të marrë kontrollin mbi mëmësinë e një vajze apo një nuseje. “Kjo nuk është vlerë – është dobësi në menaxhimin e vetes,” nënvizon pediatrja.

Roli i gjyshes është i ri, jo vazhdim i mëmësisë

Në përfundim, Lira Gjika na fton të rishikojmë rolin e gjyshes, jo si një vazhdim i rolit të nënës, por si një kapitull i ri më i qetë, më i mençur dhe më mbështetës.

Të ndihmosh një nënë të re nuk do të thotë t’ia zësh vendin, por ta ndihmosh të lulëzojë në mëmësinë e saj.
Të duash do të thotë të lejosh tjetrin të rritet, edhe kur nuk je më në qendër.

Shkruar nga Lira Gjika