Nëse nuk ke gjetur ende motivimin për të ushtruar, ndoshta problemi nuk është tek ti por tek lloji i stërvitjes që po përpiqesh të bësh. Një studim i ri sugjeron se përputhja e aktivitetit fizik me tiparet e personalitetit mund ta bëjë stërvitjen më argëtuese dhe më efektive.

Të detyrosh veten të ndjekësh një klasë fitnesi apo të dalësh për vrap, mund të jetë një sfidë nëse këto aktivitete nuk përputhen me mënyrën si je ndërtuar. Por, sipas një studimi të publikuar në revistën Frontiers in Psychology, sekreti qëndron pikërisht tek njohja e vetes dhe zgjedhja e një aktiviteti që i përshtatet personalitetit tënd.

Tiparet e personalitetit ndikojnë në preferencat për llojin e aktivitetit fizik

Studiuesit zbuluan se njerëz të ndryshëm preferojnë forma të ndryshme stërvitjeje, në varësi të tipareve të tyre psikologjike:

  • Ekstrovertët kanë më shumë gjasa të preferojnë stërvitjet me intensitet të lartë dhe në grup, si sportet ekipore apo klasat dinamike.
  • Personat me nivel të lartë neuroticizmi – që priren të jenë emocionalisht më të paqëndrueshëm – preferojnë ushtrime private, në ambiente të qeta dhe me pauza të shkurtra gjatë stërvitjes.
  • Njerëzit e ndërgjegjshëm (conscientious) kanë tendencën të kenë një rutinë të mirë dhe të larmishme stërvitjeje, sepse janë më të motivuar nga përfitimet afatgjata të ushtrimeve për shëndetin.

“Personaliteti ndikon në intensitetin dhe llojin e aktivitetit fizik që na tërheq. Nëse e kuptojmë këtë, atëherë kemi më shumë gjasa t’i angazhojmë edhe individët që nuk ushtrohen fare,” tha Dr. Flaminia Ronca, pedagoge e shkencës së ushtrimeve në University College London dhe një nga autoret kryesore të studimit.

Pse ka rëndësi personaliteti në promovimin e aktivitetit fizik?

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vetëm 22.5% e të rriturve dhe 19% e adoleshentëve arrijnë nivelin e rekomanduar prej 150 minutash aktivitet fizik në javë.

Këto rezultate tregojnë se mënyra tradicionale e këshillimit të njerëzve “ushtrimi është i mirë për ty, prandaj duhet ta bësh” nuk funksionon për të gjithë. Profesoresha Angelina Sutin nga Florida State University thekson se një qasje më e personalizuar, bazuar në personalitetin e individit, mund të jetë më efektive.

“Për shembull, nëse i sugjeron dikujt me nivel të lartë neuroticizmi të ndjekë një program me intensitet të lartë, ai ndoshta nuk do ta bëjë. Por nëse i rekomandon një aktivitet të butë dhe të qetë, ka më shumë gjasa që të angazhohet,” shpjegon ajo.

Si u zhvillua studimi?

Studiuesit analizuan personalitetin e 132 pjesëmarrësve të moshës 25 deri në 51 vjeç përmes një pyetësori që përfshinte pesë tiparet kryesore: ekstroversion, neuroticizëm, ndërgjegjshmëri, hapje dhe pajtueshmëri.

Më pas, pjesëmarrësit u ndanë në dy grupe: njëri grup ndoqi një program 8-javor që përfshinte çiklizëm dhe ushtrime force, ndërsa grupi tjetër bëri vetëm 10 minuta në javë ushtrime shtrirjeje.

Nga 132 persona, 86 përfunduan testimet para dhe pas ndërhyrjes. Rezultatet treguan se:

  • Të gjithë përmirësuan nivelin e tyre të fitnesit, pavarësisht tipareve të personalitetit.
  • Niveli i kënaqësisë nga stërvitja ndryshonte ndjeshëm, në varësi të personalitetit: ekstrovertët e shijuan më shumë programin intensiv, ndërsa personat me neuroticizëm të lartë preferuan ushtrimet më të buta, në shtëpi.

Ushtrimi si mjet për uljen e stresit

Një nga gjetjet më të rëndësishme ishte se personat me nivel të lartë neuroticizmi përjetuan ulje të ndjeshme të stresit pas tetë javësh ushtrimesh. “Ata që kanë më shumë nevojë për uljen e stresit, janë pikërisht ata që përfituan më shumë prej ushtrimeve,” tha Ronca.

Kjo thekson fuqinë e ushtrimeve fizike si një mjet i rëndësishëm për përmirësimin e mirëqenies mendore, veçanërisht tek ata që përballen me ankth apo ndjeshmëri të lartë emocionale.

Jo të gjithë duhet të ndjekin të njëjtin model stërvitjeje

Profesor Paul Burgess, bashkautor i studimit dhe profesor i neuroshkencës në UCL, paralajmëroi ndaj tendencës për ta trajtuar ushtrimin si një aktivitet garues apo “serioz”.

“Sot të rinjtë kanë shumë angazhime dhe presione. Shumë prej tyre nuk reagojnë mirë ndaj ideve si ‘duhet të bëhesh pjesë e një sporti garues’. Kjo krijon stres dhe i largon nga aktiviteti fizik.”

Përfundim: gjej stërvitjen që të përket

Ky studim tregon se nuk ka një formulë të vetme për të gjithë. Në vend që të përpiqemi t’i përshtatemi një lloj stërvitjeje, ndoshta është më e mençur të kërkojmë një mënyrë që i përshtatet natyrës sonë.

Ndoshta nuk ke nevojë për një palë pesha apo një trajner personal por thjesht për një shëtitje të përditshme në park, një klasë kërcimi që të sjell gëzim, apo ushtrime të buta në dhomën tënde.

Çelësi qëndron në të kuptuarit e vetes dhe të bësh hapin e parë drejt një rutine më të shëndetshme, pa dhunë e pa faj.

CNN