Fëmijët, që në çastin e lindjes ndiejnë dhe kuptojnë se kanë ardhur në një botë të stërmadhe dhe ky fakt provokon shumë frikë tek ata. Kjo ndodh sepse janë të paaftë të ekzistojnë të vetëm, prandaj prania e të rriturit është e domosdoshme.
Fëmijëve u nevojitet i rrituri për ta asistuar (ushqyer e kuptuar) dhe mbrojtur. Me rritjen e fëmijës, prezenca e të rriturit kthehet në model (për qëndrimin, të ecurin, të folurën, gjestet, etj) dhe për sjelljen.
Detyra e të rriturit është të vëzhgojë fëmijën që ai të mos mbetet në proçesin e imitimit, por të evoluojë dhe të arrijë tek vetvetja. Të gjithë individët përshkojnë të njëjtën rrugë, por, gjithsecili në mënyrën e tij.
Nuk duhet harruar që çdo njëri është autentik. Madje, i rrituri, duhet ta stimulojë këtë karakteristikë, sepse kjo garanton inteligjencën kreative dhe shëndetin mendor.
Fëmijët kanë mekanizmat e tyre, për ta përvetësuar mjedisin. Edhe veprimet e të rriturit, ata i përftojnë sipas mënyrave të tyre. Është detyrë e të rriturit që, çdo veprim që ndërmerr ndaj fëmijës t’ia artikulojë me fjalë, të mos e lërë fëmijën vetëm me fantazinë e tij. Ashtu si një i rritur nuk mund të orientohet drejt në një mjedis të panjohur dhe i duhet ndihmë, ashtu edhe fëmijës i duhet asistencë për ta eksploruar mjedisin që të mund të rritë veten.
Sot, koncepti se të rriturit rrisin fëmijët është lëkundur. Të gjithë specialistët madje dhe prindërit vetë kanë pranuar se fëmija çdo gjë e bën vetë. Prezenca e të rriturit është e rëndësishme sepse edhe fëmija si çdo njeri e ka të rëndësishme që dikush të jetë dëshmitar i arritjeve dhe dështimeve të tij. Fëmija sheh dhe ndien se nuk është vetëm dhe ka me cilin të ndajë gëzimin apo trishtimin që përjeton.
Nga mosha dy vjeçare ose trevjeçare, fëmija merr fshesën apo lecken e pluhrave dhe bën sikur fshin apo merr pluhrat. Shkon te kova dhe luan me shkopin që lan dyshemenë, shkon te lavapjati dhe lan lugë apo filxhana.
Pra fëmija përpiqet të bëjë punë siç bën i rrituri, nëna dhe babai apo gjyshja. Prindërit dhe gjyshërit në vend ta nxitin të vazhdojë apo ta mësojnë si ti bëjë më mirë, e shajnë apo ja heqin nga dora sidomos po luajti me ujin. “Mos e lë se do të ftohet, hiqja gotën nga dora ose na e bëri rrëmujë shtëpinë”.
Në këtë moshë fëmija mëson të bëjë punë si prindërit dhe kjo e kënaq, por ne të rriturit kemi frikë dhe bezdi, nuk ja kemi ngenë qefeve të fëmijës. Neve shpesh herë nuk na intereson se fëmija po mëson të punojë dhe të shërbejë siç bëjnë prindërit. Ne të rriturit ndërhyjmë pa e menduar gjatë, se çfarë i bëjmë fëmijës duke mos e lënë të kënaqet e të mos luaj me punët e shtëpisë. Duke i bërë këto punë fëmijët përqëndrohen si ta bëjnë atë më mirë. Mëson se si të ketë kujdes mos të thyej apo të dëmtojë veten.
Pra aktivizon përqëndrimin dhe zhdërvjelltësimin e veprimeve nëpërmjet duarve. Shqisat vihen në veprim, prekja, shikimi, nuhatja kombinohen dhe truri i fëmijës vepron gjithnjë e më fuqishëm.
Mund të thoni se ai apo ajo ka plot lodra, po, por fëmija do të bëjë si mami, si babi ajo e gëzon dhe e mahnit pa masë sepse edhe ai apo ajo mund të bëjë gjëra si të rriturit. Ndërsa duke e penguar të përfshihet në punët e të rriturit i tregojmë, që puna është e keqe, se është bezdi dhe të dëmton.
Kujdes prindër e gjyshër nëse keni frikë nga gotat e qelqit jepini fëmijës të lajë gota dhe pjata plastike, por mos e pengoni. Prindër, gjyshër mos ndërhyni te fëmija sipas frikrave e bezdive tuaja, por kush është gjëja e duhur që duhet bërë.
Fëmija tani e ka kohën të mësojë dhe të zhvillojë potencialet e rritjes. Ndihmojeni prindër ti zhvillojë sa më shëndetshëm.
Lira Gjika