Qëndrimi pasiv-agresiv i bën njerëzit të shprehin ndjenjat dhe emocionet e vështira në mënyrë jo të drejtpërdrejt. 

Kjo shpesh krijon një kontradiktë midis asaj që ata thonë dhe bëjnë.

1. Kuptimi i pasiv-agresiv dhe karakteristikat

Kuptimi i pasiv agresiv

Një individ me qëndrim pasiv-agresiv në vend që të shpreh hapur çfarë ndien, e tregon atë përmes heshtjes, vonesave, harresave apo sarkazmës.

Me fjalë të tjera, mund të pranojë me entuziazëm të takohet për drekë vetëm për të “harruar” takimin ose të mos paraqitet pa shpjegime.

Çrregullimi i personalitetit pasiv-agresiv nuk njihet më si një diagnozë e veçantë në manualet më të fundit diagnostikuese si DSM-5, por koncepti ekziston ende në praktiken klinike dhe psikologjike.

Të kesh sjellje pasive-agresive dhe të kesh një personalitet pasiv-agresiv nuk janë e njëjta gjë, edhe pse janë të ndërlidhura:

Sjellje pasiv-agresive

Do të thotë të veprosh në një mënyrë të përkohshme pasiv-agresiv.
Mund të ndodhë tek çdokush, sidomos kur shmangim konfliktin apo ndiejmë zemërim që nuk guxojmë ta shprehim.

Personalitet pasiv-agresiv

Kjo i referohet një modeli të vazhdueshëm dhe të thelluar të mendimit, ndjenjës dhe sjelljes që përsëritet në kohë dhe situata të ndryshme.

Karakteristikat pasiv-agresive:

  • Shprehje e zemërimit në mënyrë indirekte
  • Heshtje si formë ndëshkimi
  • Sarkazëm dhe komente me nënkuptime
  • Harresë e përsëritur për gjëra të rëndësishme
  • Rezistencë e fshehtë ndaj kërkesave ose rregullave
  • Buzëqeshje që fsheh irritimin
  • Viktimizim i vetes
  • Shmangie e përgjegjësisë duke fajësuar të tjerët
  • Tregim i pakënaqësisë përmes sjelljeve, jo fjalëve
  • Sabotim i heshtur në marrëdhënie ose në punë
  • Ndjenjë e thellë e padrejtësisë, por e papranuar hapur
  • Vështirësi për të thënë “jo” në mënyrë të sinqertë
  • Të dukesh bashkëpunues, por në thelb të kundërshtosh në heshtje

Në shkallë të ndryshme, këto janë karakteristika që secili prej nesh mund t’i shprehë me qëndrime që përfshijnë ironinë, sarkazmën, heshtjen, mirësjelljen si mjete të pranuara nga shoqëria për të shprehur pakënaqësinë tonë.

2. Shkaqet e qëndrimit pasiv-agresiv

Shkaqet e qëndrimit pasiv-agresiv mund të kenë të bëjnë me modelet edukative të përjetuara në fëmijëri dhe adoleshencë, por edhe me aspekte të natyrës kulturore dhe sociale.

Shkaqet psikologjike

  • Një mjedis familjar kontrollues që kufizon shprehjen e emocioneve si zemërimi apo konflikti duke kërcënuar me ndëshkime
  • Imitimi i qëndrimeve pasive-agresive të shprehura nga prindërit
  • Vështirësi në komunikimin e aspekteve konfliktuale dhe emocioneve të lidhura me to;

Shkaqet morale dhe sociale

  • Modele vlerash, kulturore ose fetare që:
    • pikturojnë negativisht zemërimin dhe konfliktin
    • favorizojnë shprehjen e mospajtimit përmes dashamirësisë, mirësjelljes

3. Pasiv-agresiv në dashuri

Si manifestohet sjellja agresive pasive në dashuri?

  • Përdorimi i heshtjes ndëshkuese
  • Tendenca për të hedhur fajin te partneri
  • Duke shmangur marrjen e përgjegjësisë
  • Tendenca për të ushtruar kontroll
  • Duke shmangur përdorimin e konfliktit të hapur
  • Komunikimi joefektiv
  • Përdorimi i sarkazmës, ironisë
  • Tendenca për të shmangur konfrontimin duke u shtirur se nuk kupton

A mund të dashurohet një person pasiv-agresiv?

Një person me një qëndrim pasiv-agresiv mund të përjetojë ndjenja dashurie dhe lidhjeje, por priret ta jetojë marrëdhënien në një mënyrë ambivalente. 

Termi “ambivalencë” do të thotë që një person ka ndjenja ose qëndrime kontradiktore ndaj vetvetes ose ndaj një situate, ngjarjeje ose personit.

Vështirësia për të shprehur drejtpërdrejt emocionet dhe nevojat, e kombinuar me frikën e konfliktit dhe varësisë, mund të pengojë ndërtimin e një lidhjeje autentike. 

Frika nga të qenit i pambrojtur mund të çojë në zbatimin e sjelljeve të mbylljes, shkëputjes emocionale, shmangies ose sabotimit të marrëdhënies. 

Edhe kur përfshihet, personi pasiv-agresiv mund të përjetojë intimitetin si një kërcënim, duke e bërë të vështirë për partnerin të kuptojë përvojat e vërteta emocionale.

4. Pasiv-agresiv në punë

  • Pranon detyra, por i shtyn me qëllim: Thotë “po”, por nuk i përfundon në kohë, si mënyrë e heshtur kundërshtimi.
  • Bën ironi ose sarkazëm në vend të komunikimit të drejtpërdrejtë: Komentet duken “shaka”, por krijojnë tension dhe paqartësi.
  • Nuk shpreh hapur mospajtim me kolegët apo shefin: Në vend që të japë mendim, tregohet i tërhequr dhe më pas sillet në mënyrë sabotuese.
  • Krijon konfuzion me “harresa” apo informacione të mbajtura qëllimisht: E pengon rrjedhën e punës pa u përballur drejtpërdrejt me konfliktin.
  • Buzëqesh jashtë, por kritikon brenda grupit ose pas shpine: Shfaqet i sjellshëm në sy, por përhap pakënaqësi në mënyrë të fshehtë.
  • Shpreh viktimizim konstant ndaj çdo vendimi të drejtuesve: Ndjehet gjithmonë i keqkuptuar, i nëpërkëmbur apo “i sakrifikuar”.
  • Përhap tension emocional pa e shprehur arsyen: Energjia e tij është e rëndë, por nuk ofron qartësi se çfarë po ndodh.

5. Si të sillemi me personalitetin pasiv-agresiv?

Në një artikull të fundit, psikoterapisti Cohen tregon një rast klinik ku përshkruan sjelljen pasive-agresive të një pacienti. 

Ai thekson një dukuri interesante:
Shpesh, kur përballemi me një person pasiv-agresiv, ne i përgjigjemi në të njëjtën mënyrë, përpiqemi edhe ne të dalim si “viktima më e pambrojtur”, në vend që të përballemi hapur me konfliktin.

Pra, bëhet një “garë e heshtur për të qenë viktima”.
Zemërimi dhe agresiviteti në këtë rast nuk shfaqen hapur, por maskohen si lëndim, heshtje, apo sjellje sabotimi.

Pse ndodh kjo?

Kur dikush ndihet i pafuqishëm apo i nënvlerësuar, por nuk guxon ta tregojë hapur, ai zgjedh rrugën pasive-agresive,  një mënyrë për të shprehur zemërimin pa e rrezikuar pranimin nga të tjerët.


Por kjo sjellje shkakton keqkuptime, tension dhe një lloj “lufte të heshtur” mes njerëzve, ku secili përpiqet të fajësojë tjetrin pa folur drejt për drejt.

Zgjidhja? Komunikim pa armiqësi.

Që të mos futemi në këtë lojë, nevojitet një mjedis pa gjykim, ku njerëzit ndihen të lirë të flasin për ndjenjat e tyre pa frikë se do të kritikohen apo ndëshkohen.
Ky lloj mjedisi është i rrallë në familje, punë apo marrëdhënie romantike, por mund të krijohet brenda terapisë.

Kur duhet ndihmë profesionale?

Nëse në një marrëdhënie ka shumë:

  • Heshtje ndëshkuese
  • Prokrastinim të qëllimshëm
  • Kritikë e fshehtë
  • Tërheqje emocionale si dënim

…atëherë mund të jetë koha të kërkosh ndihmën e një psikologu për të kuptuar nga vijnë këto sjellje dhe si mund të ndryshohen.

Nga “Unë do të preferoja të mos…” tek “Ja çfarë ndiej.”

Shpesh, pasiv-agresiviteti është një strategji për të mbijetuar në mjedise ku shprehja e ndjenjave nuk lejohet apo dënohet.

Por me mbështetje psikologjike, njeriu mund të mësojë të shprehë haptazi edhe ndjenjat e vështira, si zemërimi apo zhgënjimi, pa u frikësuar se do të refuzohet.

Ky kalim nga fshehja tek shprehja është hapi i parë drejt mirëqenies emocionale dhe marrëdhënieve më të shëndetshme.

Përmbledhje

Sjelljet pasive-agresive i bëjnë njerëzit të shprehin mendimet dhe ndjenjat negative në mënyra që duket se janë në kundërshtim me atë që thonë ose bëjnë.

Një psikolog shpesh mund t’i ndihmojë njerëzit të mësojnë mënyra për të identifikuar, adresuar dhe ndaluar përfshirjen në këto sjellje dhe veprime kontradiktore.

psikologuonline