Shërbimi i kujdesit për fëmijët në Shqipëri vazhdon të mbetet një sfidë për familjet dhe institucionet, ndërsa tregu po shfaq gjithnjë e më shumë forma të reja oferte. Sociologu Gëzim Tushi vlerëson se rritja e kërkesës për kujdestare të huaja për fëmijë lidhet si me profesionalizmin e shërbimit, ashtu edhe me kostot e larta të institucioneve private parashkollore.

Sipas tij, zhvillimet sociale dhe ekonomike po e bëjnë tregun e shërbimeve të kujdesit për fëmijët më të hapur dhe më të diversifikuar.

Rritja e kërkesës për dado të huaja

Tushi shpjegon se tregu i shërbimeve sociale në Shqipëri po kalon drejt një modeli më të globalizuar. Ai thekson se kërkesa në rritje për kujdestare të huaja lidhet me dy faktorë kryesorë.

Së pari, numri i familjeve që kërkojnë shërbime profesionale dhe të dedikuara për kujdesin ndaj fëmijëve është në rritje. Së dyti, Shqipëria po bëhet një treg tërheqës për punonjëse sociale nga vende të tjera, për shkak të konkurrencës dhe nivelit relativisht të kënaqshëm të pagesave në këtë sektor.

Sipas sociologut, origjina apo kombësia e kujdestareve nuk duhet parë si problem. Megjithëse në fillim mund të ketë vështirësi për shkak të gjuhës, traditave apo mënyrave të edukimit, shumë familje shqiptare i kanë vlerësuar pozitivisht kujdestaret e huaja.

Ai thekson se ato shpesh dallohen për zell, korrektësi dhe durim në përmbushjen e kërkesave të fëmijëve që kanë në kujdestari.

Pse shumë familje preferojnë kujdestarinë në shtëpi

Një tjetër fenomen që po vihet re është zgjedhja e shumë prindërve për të mbajtur fëmijët në shtëpi me kujdestare, në vend që t’i dërgojnë në çerdhe apo kopshte.

Sipas Tushit, kjo lidhet me disa arsye kryesore.

Një prej tyre është mungesa e kapaciteteve të mjaftueshme në institucionet publike dhe private, e cila shpesh e bën të vështirë sigurimin e një vendi për fëmijët.

Një tjetër faktor është orar i kufizuar i shërbimeve, që nuk përputhet gjithmonë me oraret e punës së prindërve.

Gjithashtu, sociologu përmend edhe debatin mbi cilësinë dhe standardet e shërbimit, si dhe nivelin e ekipeve multidisiplinare që punojnë në këto institucione.

Në disa raste, edhe kostoja e lartë e institucioneve private bën që prindërit të zgjedhin kujdestarinë në shtëpi. Edhe pse çerdhet dhe kopshtet ofrojnë shërbim kolektiv, pagesa për to mund të jetë më e lartë se paga për një kujdestare private, përfshirë edhe ato të huaja, të cilat shpesh kanë kërkesa më modeste financiare.

Monitor