Pediatrja e njohur Lira Gjika, e cila prej vitesh ndan në rrjete sociale mendime dhe këshilla të vyera për edukimin e fëmijëve, ka ndarë së fundmi një reflektim të thellë mbi lidhjen mes varfërisë gjuhësore dhe sjelljeve të dhunshme.

Në një postim në Facebook, ajo nënvizon se mungesa e fjalëve nuk është thjesht një çështje e të folurit, por një faktor me ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin mendor dhe në mënyrën se si një individ përballon ndjenjat e tij.

“Një rol të fuqishëm në ndërtimin e sjelljeve të dhunshme luan varfëria gjuhësore,” shkruan ajo. “Fjalori i kufizuar, apo mungesa e fjalëve, zhvillon paaftësinë për të artikuluar dhe kanalizuar me fjalë atë që ndjehet kur njeriu dhunohet. Kur nuk arrin të shprehë atë që mendon dhe ndjen, ai frustrohet, nënshtrohet ose bëhet agresiv dhe i dhunshëm, qoftë ndaj vetes ose ndaj të tjerëve.”

Pediatrja Lira Gjika thekson se fjala është në zemër të çdo procesi shërimi emocional dhe se psikoterapia mbështetet pikërisht te aftësia për të gjetur dhe shprehur ndjenjat e shtypura: dyshimet, frikërat, fyerjet, ndjenjën e fajit apo të turpit që shpeshherë individi i mban të fshehura për vite me radhë.

“Kjo gjendje e brendshme konfuze, kur kombinohet me një nivel të ulët kulturor që karakterizohet nga mungesa e qartësisë së kufijve ndërmjet vetes dhe tjetrit apo edhe me fjalorin e varfër, pengon ndërtimin dhe zhvillimin e inteligjencës emocionale,” shkruan ajo më tej.

Sipas saj, këta tre faktorë si: gjuha e varfër, kultura e ashpër e kufizuar dhe përjetimi i dhunës si model “fitimtar”, krijojnë një terren të favorshëm për formimin e një personi të dhunshëm.

“Njeriu i dhunshëm nuk ka vetëvlerësim. Ai nuk mund të jetë i dhembshur, sepse nuk i ka të zhvilluara këto mekanizma psikikë dhe kur ‘i errësohen sytë’, nuk di më kë godet: veten, tjetrin, gruan, babanë, nënën, fëmijën apo këdo që i del përpara.”

Në përfundim, Lira Gjika u bën thirrje të gjithë të rriturve, prindërve, mësuesve dhe edukatorëve, që përpara se të gjykojnë apo etiketojnë sjelljet e fëmijëve, të përpiqen të kuptojnë dhe të ndihmojnë:

“Sjelljet e dhunshme nuk lindin rastësisht, ato ndërtohen që në fëmijëri. Familja dhe shkolla luajnë një rol të pazëvendësueshëm: ose e ushqejnë dhunën si mënyrë të të qenit dhe të komunikimit, ose e ndalin që në rrënjë.”