Nga Lira Gjika
“Ky i vogli është më i butë, ndërsa i madhi nuk afrohet fare.”
“Sikur nuk janë motër e vëlla.”
“Fëmija i shoqes sime është shumë i zoti, im nuk bën asgjë.”
Fjalë të tilla i dëgjoj shpesh nga prindër, gjyshër, dhe ndonjëherë edhe nga edukatorë apo mësues. Duken të pafajshme në pamje të parë, por krahasimet janë plagë të padukshme që prekin shpirtin e fëmijës dhe formësojnë mënyrën se si ai sheh veten dhe të tjerët.
Krahasimi nuk e ndihmon fëmijën të përmirësohet. Përkundrazi, ai nxit ndjenja zilie, inati dhe vetëvlerësimi të ulët. Fëmijët janë njerëz të ndryshëm, edhe nëse janë vëllezër apo motra. Janë të veçantë në ndjeshmëri, karakter, mënyrën e shprehjes dhe ritmin e zhvillimit.
Fatkeqësisht, kjo mënyrë zhvlerësuese e të sjellurit shfaqet edhe në institucione arsimore. Mësues apo edukatorë, ndonëse me qëllime të mira, shpesh bien në grackën e krahasimeve që lëndojnë: “shiko si punon X, ti pse nuk bën njësoj?” apo “ai e di, ti pse jo?”.
Të rritur, kujtoni: fëmija ende nuk ka mekanizmat emocionalë për të përballuar krahasime të tilla. Ai nis të besojë se nuk është mjaftueshëm i mirë dhe se prindërit apo të rriturit i duan më shumë të tjerët. Dhe kjo ndjesi e shoqëron gjatë, shpesh deri në moshën e rritur.
Edhe ju vetë nuk ndiheni mirë kur ju krahasojnë me dikë tjetër, apo jo? Zemëroheni, mërziteni, ndoshta edhe distancoheni. Pse të presim më shumë nga një fëmijë?
Ka ardhur koha të ndryshojmë fjalorin dhe qasjen tonë. Le të përpiqemi të shohim dhe të vlerësojmë çdo fëmijë për atë që është. Të mbështesim rrugëtimin e tij individual, pa e ngarkuar me hijet e krahasimeve që nuk i shërbejnë askujt.
Ky shkrim është bazuar në një postim nga pediatrja Lira Gjika në rrjetin social Facebook. Publikimi në këtë media bëhet me respekt të plotë për autorësinë dhe kontributin e saj në rritjen e ndërgjegjësimit mbi shëndetin emocional të fëmijëve.