Gjatë viteve të para të fëmijërisë, ne formojmë tregime të rëndësishme që ndikojnë në jetën tonë. Ato na bëjnë të kuptojmë se kush jemi, çfarë duhet të presim nga të tjerët dhe si funksionon bota. Këto tregime shndërrohen në bindjet tona dhe ndikojnë—nëse jo përcaktojnë—thuajse çdo vendim që marrim.
Këtu janë disa nga tregimet më të zakonshme dhe më të dëmshme që mund të formohen në fëmijëri:
1. “Fajtori jam unë.”
a) Egocentrizmi natyral i fëmijës
Psikologu i njohur zviceran, Jean Piaget, sugjeroi se fëmijët e vegjël janë natyrshëm egocentrikë dhe e kanë të vështirë të kuptojnë përvojën e të tjerëve. Për këtë arsye, ata e interpretojnë gjithçka nga këndvështrimi i tyre dhe shpesh mendojnë se janë në qendër të çdo ngjarjeje.
Kështu, kur ndodh diçka e keqe, ata janë më të prirur të besojnë se janë vetë shkaku.
Kjo është veçanërisht e vërtetë kur një prind është përgjegjës për atë që ka ndodhur. Për shembull, nëse një prind është i ftohtë, i largët ose neglizhues, fëmija do të mendojë se ai vetë ka bërë diçka që e ka shkaktuar këtë sjellje. Nëse prindërit ndahen apo divorcohen, fëmija mund të besojë se është faji i tij.
b) Nevoja e fëmijës për t’i parë prindërit si të përsosur
Fëmijët e vegjël kanë nevojë t’i shohin prindërit si të mirë dhe të sigurt, sepse për ta është e frikshme të mendojnë se prindërit kanë dobësi ose mangësi. Ata ndihen të mbrojtur vetëm nëse besojnë se personi që “drejton aeroplanin” është një pilot i aftë dhe i besueshëm.
Për këtë arsye, ata do të fajësojnë veten, vetëm që të ruajnë imazhin e mirë të prindërve të tyre.
2. “Unë nuk jam fëmijë i mirë prandaj nuk më duan”
Kjo ndjenjë lidhet drejtpërdrejt me vetëvlerësimin. Turpi dhe ndjenja se je thellësisht i gabuar ose i pavlerë, dëmton vetëvlerësimin e fëmijëve.
Fëmijët janë shumë të ndjeshëm ndaj mesazheve që marrin nga të rriturit. Për shembull, nëse një prind i thotë një fëmije: “Ti gjithmonë ankohesh! Çfarë nuk shkon me ty?”, ai nuk po kritikon sjelljen e fëmijës, por vetë fëmijën.
Gjithashtu, nëse një fëmijë tashmë beson se “Është faji im”, kjo mund ta bëjë atë të ndiejë se është thelbësisht i keq ose i padenjë për dashuri.
3. “Nuk do të më dojë asnjë.”
Kur fëmijët ndihen të distancuar ose të lënë pas dore nga prindërit e tyre, ata e perceptojnë këtë si refuzim. Kjo mund të ndodhë edhe nëse prindi është i zënë me punë dhe nuk ka kohë të mjaftueshme për ta, ose nëse prindi ka probleme personale, si varësia apo mungesa emocionale.
Gjithashtu, nëse një fëmijë përjeton refuzim të vazhdueshëm nga bashkëmoshatarët, kjo mund ta bëjë të besojë se nuk është i pëlqyeshëm dhe se gjithmonë do të jetë i vetëm.
4. “Zemërimi është i rrezikshëm.”
“Duhet të shmang konfliktet me çdo kusht.” / “Nëse zemërohem, do të humbas kontrollin.”
Kur një prind shfaq zemërim të tepruar, duke bërtitur, duke fyer ose duke bërë gjëra që më vonë pendohefët, fëmija e sheh këtë si një gjë shumë të frikshme.
Fëmijët ndihen të pafuqishëm përballë një prindi të zemëruar dhe për ta, ky moment është si një përbindësh që i kërcënon. Si rezultat, ata mësojnë se zemërimi është një emocion që duhet shmangur.
5. “Ndjenjat janë të frikshme dhe të vështira për t’u përballuar.”
Fëmijët kanë nevojë që prindërit t’i ndihmojnë të menaxhojnë emocionet e tyre. Por nëse prindërit nuk janë në gjendje të përballen me ndjenjat e veta dhe të fëmijës, ata i japin mesazhin se emocionet janë të frikshme ose të rrezikshme.
Meqë fëmijët kanë prirjen të shohin gjërat bardhë e zi, ata mund të krijojnë idenë se të gjitha emocionet janë të papërballueshme.
6. “Nevojat e mia nuk janë të rëndësishme.”
Ndonjëherë, edhe prindërit më të mirë nuk mund t’i plotësojnë gjithmonë të gjitha nevojat e fëmijës. Për shembull, nëse një fëmijë ka një vëlla ose motër që kërkon më shumë vëmendje, ai mund të ndjejë se nevojat e tij nuk kanë rëndësi.
Kur kjo ndjenjë përsëritet shpesh, fëmija mund të fillojë të besojë se nuk duhet të kërkojë asgjë ose se kërkesat e tij mund të mërzisin apo t’i largojnë të tjerët.
7. “Nëse kontrolloj gjithçka, nuk do të ndjehem i frikësuar.”
“Duhet të jem i fortë, i ashpër dhe i fuqishëm.”
Fëmijët shpesh ndihen të vegjël dhe të pafuqishëm. Kjo ndjenjë është shumë e vështirë për ta pranuar, prandaj disa fëmijë përpiqen të marrin kontrollin mbi gjithçka që munden. Ata krijojnë bindjen se vetëm duke qenë të fortë dhe duke kontrolluar gjithçka rreth tyre, mund të ndihen të sigurt.