nga pediatrja Lira Gjika

Truri është i vetmi organ i trupit të njeriut që ka nevojë për vështirësi dhe të panjohurën për të funksionuar siç duhet. Është pikërisht përballja me të panjohurat që e nxit mendjen të punojë në kapacitet të plotë. Në këtë proces, si fëmijët, ashtu edhe shkencëtarët, çdo ditë përpiqen të zbulojnë e të kuptojnë botën që i rrethon.

Shkencëtari, përmes përballjes me të panjohurën, jo vetëm që mëson, por lidh njohuritë e reja me ato që di tashmë. Kjo punë ditë pas dite e mban trurin aktiv, e mpreh mendjen dhe sjell krijimin e zgjidhjeve të reja. I njëjti proces ndodh edhe te fëmijët. Çdo ditë, fëmija mëson diçka të re, mundohet t’i japë kuptim dhe ta vendosë në sistemin e tij të dijes. Ky është një proces që kërkon kohë dhe durim.

Fëmijët ndryshojnë nga njëri-tjetri. Disa mësojnë më shpejt në një fushë, të tjerë në një tjetër. Kjo nuk do të thotë se njëri është më i zoti se tjetri. Pikërisht për këtë ekziston pedagogjia – për të ndihmuar çdo fëmijë të mësojë, pavarësisht vështirësive fillestare. Sepse në thelb, nuk ka asgjë “të lehtë” apo “të vështirë”; ka vetëm atë që di dhe atë që ende nuk e ke mësuar.

Ajo që duhet është pak durim – nga prindërit dhe mësuesit. Në vend që të përqendrohemi te çfarë nuk di një fëmijë, më mirë është të vëmë re çfarë ka arritur. T’i ndihmojmë të ndjejnë krenari për përparimin e tyre, për çfarë kanë mësuar, sado e vogël të jetë ajo arritje.

Të theksojmë dështimin nuk është ndihmë – është thyerje. Është zhgënjim dhe poshtërim. Ndërsa të ndihmosh një fëmijë të besojë te vetja dhe të mos ketë turp nga vetja, është themeli i zhvillimit të tij të shëndetshëm.

Nuk bëhesh i zoti kur të përqeshin dhe të përqendrohen te të metat. Bëhesh i zoti kur dikush të beson dhe të nxit. Prindër dhe mësues, jini ata që besojnë te fëmijët tuaj. Jini ata që i nxisin të ecin përpara.