Ka gjithnjë e më shumë prova që një dremitje shpejtë është e lidhur ngushtë me kreativitetin. Nëse jeni në kërkim të një ideje të re, një zgjidhjeje kreative apo thjesht një “Eureka!” ndoshta përgjigjja është më e thjeshtë se ç’mendonit: një sy gjumë i shkurtër.
Legjendat e dremitjes dhe kreativitetit
Çfarë kanë të përbashkët Thomas Edison, Salvador Dali dhe Albert Einstein? Përveç faktit se janë ndër mendjet më krijuese të historisë, ata gjithashtu ndanin një zakon të veçantë – dremitjen gjatë ditës. Edhe pse mund të duket e pazakontë, kërkimet e fundit tregojnë se ky zakon mund të ketë ndihmuar në rritjen e kreativitetit të tyre.
Çfarë thotë shkenca
Një studim i kryer nga Instituti i Trurit në Paris vërtetoi se faza e parë e gjumit – e njohur si N1 (ose faza e tranzicionit mes zgjimit dhe gjumit të thellë) – është një moment i artë për gjenerimin e ideve. Në këtë studim, 103 pjesëmarrësve iu dhanë një sërë problemesh matematikore. Ata që patën mundësinë të dremisnin për 20 minuta, veçanërisht ata që prekën fazën N1 të gjumit, kishin tre herë më shumë gjasa të zgjidhnin problemet sesa ata që nuk fjetën.
Delphine Oudiette, kërkuesja kryesore, theksoi se shumë nga zbulimet madhore mund të jenë fryt i “gjendjes hipnagogjike” – një gjendje e ndërmjetme mes zgjimit dhe gjumit. Një shembull i njohur është ai i kimistit August Kekulé, i cili pa strukturën e molekulës së benzenit në një gjendje gjysmëgjumë, si një gjarpër që kafshonte bishtin.
Në mënyrë të ngjashme, studiues nga MIT dhe Harvard kanë treguar se kjo fazë gjumi është tepër pjellore për kreativitetin, veçanërisht kur njeriu “sugjerohet” për të ëndërruar rreth një teme të caktuar – një proces i quajtur inkubacion i qëllimshëm i ëndrrave (targeted dream incubation). Ata që dremisnin pas këtij sugjerimi prodhonin histori shumë më kreative krahasuar me ata që qëndronin zgjuar.
Edhe pse kërkimet janë ende në zhvillim, ekspertët sugjerojnë disa hapa praktikë për të përfituar nga kjo gjendje:
- Zgjidh një sfidë kreative – shkruaje në një copë letër.
- Përgatitu për dremitje – vendose letrën dhe një stilolaps pranë teje.
- Vendos një alarm për 10-15 minuta – që të mos biesh në gjumë të thellë (N2).
- Qetësohu dhe lëre mendjen të endet – me fokus te problemi.
- Zgjohu dhe shkruaj gjithçka që të vjen në mendje – edhe nëse nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me problemin. Idetë më të mira ndonjëherë vijnë në mënyrë të tërthortë.
Si çdo aftësi tjetër, edhe kjo kërkon praktikë. Mos prit rezultate të menjëhershme. Mendja ka nevojë të mësohet me këtë mënyrë të re të gjenerimit të ideve. Nëse nuk ke mundësi të dremitësh gjatë ditës, studime të tjera sugjerojnë se meditimi dhe teknikat e ndërgjegjësimit janë alternativa të vlefshme.
Ndoshta është koha të mendosh për dremitjen ndryshe – jo si një shenjë plogështie, por si një mjet për shpërthim kreativ. Ose më mirë, fle mbi këtë mendim.
Ky artikull është një përkthim dhe përshtatje nga artikulli i Anthony D. Fredericks, Ed.D., botuar në Psychology Today. Fredericks është Profesor Emeritus i Edukimit në York College of Pennsylvania dhe autor i mbi 170 librave, përfshirë “The Healing Wisdom of the Forest: Timeless Lessons of Renewal, Tranquility and Joy.”