Bashkimi Europian po shqyrton vendosjen e rregullave të reja për përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët dhe adoleshentët, duke analizuar masa që variojnë nga kufizimet sipas moshës deri te ndalimi i plotë ose i pjesshëm i aksesit për grupmoshat më të reja.
Nisma vjen pas publikimit të një raporti nga një grup ekspertësh, i cili propozon një qasje më të rreptë për mbrojtjen e të miturve në mjedisin digjital. Sipas Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, Komisioni do të shqyrtojë rekomandimet dhe pritet të paraqesë propozime ligjore pas verës.
Një nga ndryshimet më të rëndësishme që po diskutohet është detyrimi për platformat sociale që të provojnë se shërbimet e tyre janë të sigurta për fëmijët dhe adoleshentët, përpara se këta të lejohen t’i përdorin.
“Duhen krijuar kushte që fëmijët të kenë kohë të zhvillohen në botën reale, të luajnë, të krijojnë miqësi dhe të formësojnë identitetin e tyre, përpara se këtë rol ta marrin algoritmet,” deklaroi von der Leyen gjatë një konference për shtyp në Bruksel.
Ajo theksoi se debati nuk lidhet me faktin nëse fëmijët duhet të kenë akses në rrjetet sociale, por me pyetjen se në çfarë moshe rrjetet sociale duhet të kenë akses te fëmijët.
Çfarë propozojnë ekspertët?
Raporti rekomandon një qasje graduale sipas moshës:
- fëmijët nën 3 vjeç të mos ekspozohen fare ndaj ekraneve;
- fëmijët nën 13 vjeç të përdorin internetin dhe platformat digjitale vetëm nën mbikëqyrjen e prindërve ose kujdestarëve;
- për adoleshentët mbi 13 vjeç të vendosen kufizime dhe masa shtesë mbrojtëse, në varësi të moshës dhe nivelit të rrezikut.
Ekspertët argumentojnë se barra e provës duhet t’u takojë platformave teknologjike, të cilat duhet të demonstrojnë se produktet e tyre nuk paraqesin rrezik për përdoruesit më të rinj.
Rregullat e reja mund të prekin platformat më të mëdha
Nëse Komisioni Europian paraqet një propozim ligjor, ai do të duhet të miratohet nga Parlamenti Europian dhe nga të 27 shtetet anëtare të BE-së përpara se të hyjë në fuqi.
Një iniciativë e tillë do t’i jepte një shtysë të re përpjekjeve ndërkombëtare për të kufizuar përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit, duke iu bashkuar masave që tashmë po diskutohen ose janë zbatuar në vende si Mbretëria e Bashkuar dhe Australia.
Rregullat e reja pritet të rrisin gjithashtu presionin mbi kompanitë e teknologjisë, të cilat do të përballen me kërkesa më të forta për të garantuar sigurinë e përdoruesve të mitur.
Hetime ndaj Meta dhe TikTok
Diskutimet zhvillohen në një kohë kur Bashkimi Europian ka shtuar kontrollin ndaj platformave të mëdha digjitale.
Javën e kaluar, Komisioni Europian publikoi gjetjet paraprake të një hetimi, sipas të cilit Meta mund të ketë shkelur Aktin për Shërbimet Digjitale (Digital Services Act – DSA), për shkak të elementeve të dizajnit të Facebook-ut dhe Instagram-it që, sipas autoriteteve europiane, mund të nxisin sjellje të varësisë te përdoruesit.
Më herët gjatë këtij viti, edhe TikTok u përball me gjetje të ngjashme në kuadër të zbatimit të të njëjtit legjislacion europian.
Nëse propozimet e Komisionit marrin mbështetjen e institucioneve europiane dhe të shteteve anëtare, Bashkimi Europian mund të vendosë një nga kuadrot më të rrepta në botë për mbrojtjen e fëmijëve në platformat e mediave sociale./theverge