Tre motra braziliane, të moshave 103, 104 dhe 109 vjeç, janë bërë pjesë e një studimi shkencor që synon të zbulojë sekretet biologjike të jetëgjatësisë dhe të shëndetit në moshë shumë të avancuar.
Studiuesit besojnë se rasti i tyre mund të ndihmojë në identifikimin e faktorëve gjenetikë që u mundësojnë disa njerëzve të ruajnë aftësitë fizike dhe mendore edhe pasi kalojnë moshën 100-vjeçare.
Tre motrat – Zulina de Deus Nunes (103 vjeç), Zoraide de Deus Mota (104 vjeç) dhe Levita de Deus Nunes (109 vjeç) – jetojnë në Rio de Janeiro dhe u identifikuan nga organizata ndërkombëtare LongeviQuest, e cila verifikon rekordet e jetëgjatësisë në bashkëpunim me Guinness World Records.
Kërkimi për “gjenet mbrojtëse”
Studimi drejtohet nga Qendra për Kërkime mbi Gjenomin Njerëzor në Universitetin e São Paulos, ku shkencëtarët po analizojnë ADN-në e personave që kanë kaluar moshën 100-vjeçare.
Koordinatorja e projektit, profesorja Mayana Zatz, shpjegon se objektivi është të identifikohen të ashtuquajturat “gjene mbrojtëse”, të cilat mund të ndihmojnë organizmin të përballojë më mirë procesin e plakjes.
“Sa më shumë persona mbi 100 vjeç, veçanërisht nga familje ku ka disa centenarë, të përfshihen në studim, aq më të sakta do të jenë rezultatet në identifikimin e këtyre faktorëve gjenetikë”, tha ajo.
Shkencëtarët do të krahasojnë të dhënat e centenarëve me ato të personave që kanë zhvilluar dobësi fizike, rënie të aftësive njohëse ose sëmundje kronike, për të kuptuar se cilët faktorë lidhen me një plakje më të shëndetshme.
Gjenetika apo mënyra e jetesës?
Ekspertët mendojnë se trashëgimia gjenetike mund të ketë një ndikim edhe më të madh se faktorët mjedisorë në ruajtjen e shëndetit në moshë të thyer.
Sipas Ben Meyers, drejtues i organizatës LongeviQuest, fakti që tre motra kanë arritur një moshë kaq të avancuar është një tregues i fortë i rolit të gjenetikës.
Megjithatë, ai vlerëson se edhe mbështetja familjare dhe fakti që ato jetojnë pranë njëra-tjetrës kanë ndikuar pozitivisht në mirëqenien e tyre.
“Kur disa motra arrijnë një moshë të tillë, ka qartë një komponent të fortë gjenetik. Por ekziston edhe një aspekt i rëndësishëm komunitar, pasi familja mund t’i ndihmojë kur kanë nevojë,” tha Meyers.
Një jetë e thjeshtë dhe aktive
Vetë motrat ia atribuojnë jetëgjatësinë një stili jetese të shëndetshëm.
Zulina kujton se fëmijëria e saj kaloi duke notuar dhe peshkuar në lumenj, ndërsa ushqimi ishte gjithmonë i freskët, në një kohë kur familja nuk kishte frigorifer.
Nga ana e saj, Zoraide thekson rëndësinë e ushqyerjes me gji gjatë foshnjërisë.
Secila prej tyre ka pasur një jetë të zakonshme. Levita ka punuar si artizane dhe më vonë në një rrjet televiziv. Zoraide ka qenë infermiere dhe ka rritur pesë fëmijë, ndërsa Zulina është kujdesur për gjashtë fëmijët e saj si amvise.
Në moshën 109-vjeçare, Levita thotë se e sheh jetën pa pendesa.
“Pata një fëmijëri dhe rini të bukur. Nuk kam arsye të ankohem,” shprehet ajo.
Synimi, 500 persona mbi 100 vjeç në studim
Shkencëtarët synojnë të kuptojnë se si faktorët gjenetikë mund të mbrojnë zemrën, muskujt dhe funksionin njohës nga efektet e plakjes.
Sipas studiuesit João Paulo Guilherme, objektivi i projektit është të përfshihen rreth 500 centenarë, në mënyrë që rezultatet të jenë statistikisht më të forta dhe të ndihmojnë në kuptimin më të mirë të mekanizmave të jetëgjatësisë./Reuters