Një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh ka zhvilluar një pajisje inovative ultratingulli që vishet në trup dhe mund të monitorojë në kohë reale foshnjën në mitër, duke hapur rrugën për zbulimin më të hershëm të komplikimeve gjatë shtatzënisë dhe parandalimin e lindjeve të vdekura.

Pajisja, e quajtur UPatch, është ende në fazë prove koncepti, por studiuesit besojnë se teknologjia mund të revolucionarizojë mënyrën se si monitorohen shtatzënitë, sidomos ato me rrezik të lartë.

Aktualisht, monitorimi i fetusit kryhet kryesisht përmes kontrolleve periodike me ultratingull në spital ose me metoda tradicionale që shpesh japin alarme të rreme. Sipas ekspertëve, këto metoda ofrojnë vetëm “fotografi të momentit” dhe nuk arrijnë të japin një panoramë të plotë të gjendjes së fetusit gjatë gjithë kohës.

“Pajisjet aktuale diagnostikuese janë të kufizuara dhe kapin vetëm një moment të caktuar të asaj që po ndodh me foshnjën,” deklaroi profesori Sheng Xu nga Universiteti Stanford, një nga autorët kryesorë të studimit.

Ai theksoi se monitorimi i vazhdueshëm mund të ndihmojë mjekët të kuptojnë më mirë ndryshimet individuale të çdo shtatzënie dhe të ndërhyjnë më shpejt kur shfaqen probleme.

Si funksionon UPatch

Pajisja vendoset mbi barkun e gruas shtatzënë dhe mund të përdoret për orë të tëra, duke monitoruar vazhdimisht rrahjet e zemrës së fetusit dhe rrjedhën e gjakut, përfshirë edhe në kordonin umbilikal.

Sipas studiuesve, një nga sfidat kryesore ka qenë ruajtja e sinjalit kur fetusi lëviz në mitër, si edhe kapja e sinjaleve të dobëta nga enët e gjakut në thellësi. Për këtë, ekipi përdori algoritme të avancuara dhe komponentë elektronikë të specializuar.

Studimi është publikuar në revistën prestigjioze Nature Biotechnology.

Testimet dhe rasti që shmangu një tragjedi

UPatch është testuar në SHBA dhe Britaninë e Madhe. Në një provë me 62 gra shtatzëna, matjet e pajisjes rezultuan pothuajse identike me ato të ultratingujve tradicionalë.

Në një tjetër monitorim të vazhdueshëm te 52 gra shtatzëna, pajisja ndihmoi në identifikimin e një rasti të rëndë të kufizimit të rritjes së fetusit te një paciente me pre-eklampsi, çka çoi në ndërhyrje të menjëhershme me operacion cezarian për të shmangur rrezikun e lindjes së vdekur.

“Kjo tregon kufizimet e kontrolleve të shkurtra dhe të ndërprera që kryhen zakonisht gjatë shtatzënisë,” tha Tom Park, autori kryesor i studimit dhe studiues në UC San Diego.

Synimi: monitorim nga shtëpia

Studiuesit po punojnë tashmë për një version pa tela të pajisjes, me synimin që gratë shtatzëna ta përdorin atë në shtëpi dhe gjatë aktiviteteve të përditshme.

Ekspertët besojnë se teknologjia mund të ketë ndikim të madh sidomos në vendet me burime të kufizuara shëndetësore, ku kontrollet e rregullta prenatale janë më të vështira për t’u aksesuar.

Sipas studiuesve, monitorimi i vazhdueshëm mund të ndihmojë jo vetëm në parandalimin e komplikimeve serioze, por edhe në kuptimin më të thellë të zhvillimit të fetusit gjatë shtatzënisë./theguardin