Neglizhimi është një formë keqtrajtimi. Ai shfaqet jo vetëm përmes veprimeve që mungojnë, por edhe në mënyrën si sillemi dhe si komunikojmë: në mënyrën si flasim, si përdorim zërin, në përzgjedhjen e fjalëve, nëse gjejmë apo jo kohën e duhur, në mënyrën si prekim, me butësi apo me mungesë vëmendjeje.

Pikërisht sepse neglizhenca shfaqet në këto forma të përditshme, shpesh kalon pa u kuptuar. Shumë njerëz janë të pavetëdijshëm që po neglizhojnë. Shpesh, neglizhenca nis me veten dhe më pas shtrihet te të tjerët.

Problemi bëhet më i thellë kur një i rritur ka në përgjegjësi fëmijë, që ka për detyrë t’i ndihmojë të rriten. Këtu nis një qark vicioz. Një prind, kur merr këtë rol, përpiqet të mësojë sa më shumë, në mënyrë që të bëjë më të mirën për fëmijën e tij dhe këtë dëshirë e ka me gjithë shpirt. Por njohuria është vetëm një pjesë e procesit të edukimit.

Ajo që luan rolin kyç është vetëdija, ajo vetëdija për misionin që një njeri i ka ngarkuar vetes në çastin kur bëhet prind.

Të gjithë mekanizmat që ndikojnë në realizimin e edukimit janë të lidhur ngushtë me këtë vetëdije: vullneti, durimi, forca për të përballuar veten, padurimin, lodhjen dhe sidomos aftësia për të përballuar përtesën dhe mërzinë, të cilat janë shpesh “bashkëudhëtare” të njeriut dhe njëherazi “parazitët” më të dëmshëm për të.

Pas gjithë këtyre përballimeve, qëndrimi i duhur është të veprosh jo thjesht sipas asaj që di se është e mirë, por sipas asaj që duhet bërë. Ky është një proces i vështirë, sidomos në një shoqëri si e jona, ku individi shpesh reagon në mënyrë impulsive, pa reflektuar mbi veprimin e tij. Në këtë mënyrë, dashur pa dashur, nuk arrin të zgjedhë siç duhet as fjalën, as veprimin.

Neglizhimi, në shumicën e rasteve, ndodh pa dashje. Ai buron nga lodhja, nga mungesa e durimit, nga shpërqendrimi. Jo më kot, është cilësuar si “kanceri i shpirtit”.

Shkruar nga Lira Gjika