Në Angli ka hyrë në fuqi një sistem i ri që i jep pacientëve dhe familjarëve të tyre të drejtën të kërkojnë një kontroll të dytë të kujdesit shëndetësor që po marrin. Ky sistem, i quajtur “Rregulli i Marthës” (Martha’s Rule), është menduar për të parandaluar raste ku gjendja e pacientit përkeqësohet, por shqetësimet e tyre nuk merren në konsideratë.

Rregulli është pjesë e NHS (National Health Service), shërbimi shëndetësor publik në Britaninë e Madhe, që ofron trajtim falas për qytetarët.

Ai mban emrin e Martha Mills, një vajze 13-vjeçare që humbi jetën në vitin 2021 pas një aksidenti me biçikletë, për shkak të një infeksioni të rëndë në gjak (sepsë). Një hetim tregoi se Martha do të kishte shpëtuar, nëse do të ishte transferuar në terapi intensive në momentin kur gjendja e saj nisi të përkeqësohej. Këtë vit ajo do të kishte mbushur 18 vjeç.

Pas këmbënguljes së prindërve të saj, NHS filloi të zbatojë këtë sistem vitin e kaluar në 143 spitale. Sot, “Rregulli i Marthës” është shtrirë në të gjitha 210 spitalet akute në Angli.

Ky rregull u jep pacientëve, familjarëve ose edhe vetë stafit mjekësor mundësinë të kërkojnë që një ekip tjetër specialistësh të shqyrtojë trajtimin që po bëhet. Nëse zbulohen mangësi, ekipi i dytë ka të drejtë të rekomandojë ndryshime të menjëhershme – që mund të variojnë nga transferimi i pacientit në terapi intensive deri te fillimi i trajtimeve urgjente.

Nga shtatori i kaluar deri në qershor, linjat telefonike të “Rregullit të Marthës” kanë marrë 4,906 thirrje nga pacientë, familjarë ose staf. Falë këtij mekanizmi, 241 pacientë kanë marrë menjëherë kujdes më të avancuar – ndërhyrje që, sipas NHS, mund t’ua kenë shpëtuar jetën.

Prindërit e Marthës, Merope Mills dhe Paul Laity, e cilësuan këtë si një mënyrë për të mos lejuar që familje të tjera të kalojnë tragjedinë e tyre.
“E ndjejmë mungesën e saj çdo ditë, por të paktën rregulli që mban emrin e saj po shpëton jetë,” – u shprehën ata.

Edhe Ministri i Shëndetësisë, Wes Streeting, tha se kjo nismë është një trashëgimi e vyer e krijuar falë përkushtimit të prindërve të Marthës. Ndërkohë, Shoqata e Pacientëve në Britani e quajti këtë një “moment historik për sigurinë e pacientëve”.

Në disa spitale, rregulli është zgjeruar edhe për shërbimet pediatrike, duke u dhënë prindërve mundësinë të kërkojnë një rishikim të menjëhershëm nëse mendojnë se gjendja e fëmijës së tyre nuk po merret seriozisht nga mjekët.

“Rregulli i Marthës” shihet si një nga ndryshimet më të rëndësishme në mënyrën se si spitalet bashkëpunojnë me pacientët dhe familjarët e tyre, duke u dhënë atyre një zë vendimtar në kujdesin shëndetësor.

Theguardian