Edhe pse uji është përbërësi më i bollshëm në trupin e njeriut, shpesh nuk i kushtohet rëndësia që meriton. Gati gjysma e të rriturve në SHBA pinë më pak ujë se sa rekomandohet çdo ditë, sipas një sondazhi të vitit 2023 me gati 2,861 persona. Kjo është një problem i madh, sepse hidrimi i mirë është një nga mënyrat më të thjeshta dhe më efektive për të ruajtur shëndetin.
Uji është i domosdoshëm për shumë funksione në trup: ndihmon në rregullimin e temperaturës, lubrifikon nyjet, ndihmon tretjen, pastron organizmin nga toksinat, transporton lëndët ushqyese, prodhon energji dhe mban në formë zemrën e trurin. Studime të fundit nga Instituti Kombëtar i Shëndetit në SHBA tregojnë se konsumimi i mjaftueshëm i ujit lidhet me një rrezik më të ulët për sëmundje kronike, jetëgjatësi më të lartë dhe moshë biologjike më të re se ajo reale.
“Mungesa e ujit ndikon në çdo qelizë të trupit,” thotë Dana Cohen, mjeke e specializuar në mjekësinë integruese në Nju Jork. “Shumë njerëz ecin përditë me dehidratim të lehtë pa e kuptuar. Kjo mund të çojë në lodhje, dhimbje koke, përqendrim të dobët, dhimbje kyçesh apo edhe ndjenja urie që në fakt janë etje.”
Për të shmangur këto probleme, po hedhim dritë mbi disa nga mitet më të zakonshme për ujin dhe hidratimin:
Miti: Duhet të pimë 8 gota ujë në ditë
Ideja që çdo i rritur duhet të pijë 8 gota ujë (rreth 64 ons) në ditë është shumë e përhapur, por nuk është plotësisht e saktë. “Nevojat për ujë ndryshojnë nga personi në person, në varësi të trupit, aktivitetit dhe kushteve të mjedisit,” shpjegon Wendy Bazilian, eksperte në ushqyerje dhe mirëqenie në San Diego.
Sipas Institutit të Mjekësisë në SHBA, rekomandimet janë më të qarta:
- Gratë duhet të marrin rreth 11.5 gota lëngje në ditë
- Burrat rreth 15.5 gota në ditë
Gjatë verës, sidomos kur është nxehtë dhe me lagështi, nevojat për ujë rriten akoma më shumë – veçanërisht nëse ndodheni jashtë ose ushtroni aktivitet fizik. Trupi humbet ujë edhe kur nuk djersitni dukshëm, përmes frymëmarrjes dhe lëkurës.
Në verë, pini të paktën 500 ml ujë shtesë për çdo orë që qëndroni jashtë në nxehtësi apo ushtroheni fizikisht, këshillon mjekja Cohen. Kjo ndihmon në parandalimin e lodhjes nga vapa, krampave apo goditjes nga nxehtësia.
Miti: Etja është shenjë e saktë që ke nevojë për ujë
Etja është një sinjal i mirë, por është një paralajmërim i vonuar, thotë Bazilian. “Kur ndihesh i etur, zakonisht je tashmë në një gjendje të lehtë dehidratimi.” Kjo është veçanërisht e rrezikshme për të moshuarit, sepse me kalimin e moshës, ndjenja e etjes zbehet dhe ata rrezikojnë të mos pijnë sa duhet.
Edhe një humbje e lehtë e ujit në trup, rreth 1-2%, mund të ndikojë në energji, përqendrim dhe gjendjen shpirtërore, thotë Cohen. Një studim me studentë tregoi se dehidratimi i lehtë uli kujtesën, energjinë dhe përqendrimin e tyre – por kur u rihidratuan, të gjitha këto u përmirësuan.
Si ta kuptoni nëse jeni të hidratuar?
Mënyra më e mirë për të parë nëse jeni të hidratuar është tualeti! Duhet të urinoni çdo 2-3 orë gjatë ditës. Nëse urina është e pastër ose verdhë e lehtë, kjo është shenjë e mirë. (Nëse është verdhë e ndezur, mund të jetë nga suplementet që merrni, ndaj mos u shqetësoni.)
Në përfundim:
Mos e nënvlerësoni fuqinë e ujit! Pini rregullisht gjatë ditës, sidomos në ditët e nxehta ose kur jeni aktiv. Mos prisni derisa të ndiheni të etur – kujdesuni për trupin tuaj me një gotë ujë para se ai t’ju kërkojë ndihmë.