Scott Mautz, ekspert i lidershipit dhe autor i librit “The Mentally Strong Leader”, me mbi 30 vite përvojë në studimin e forcës mendore dhe ndikimit, ndan një këshillë të fuqishme për këdo që dëshiron të ketë më shumë ndikim në jetën profesionale apo personale: Bëhu një dëgjues aktiv.
Në një artikull, Mautz thekson se sekreti për të ndikuar te të tjerët nuk qëndron tek ajo që themi, por tek mënyra si dëgjojmë. Ai thotë: “Njerëzit që në jetën tuaj janë dëgjues të mrekullueshëm, ata që marrin kohë për të kuptuar atë që po thoni, për t’ju vërtetuar dhe për të treguar se kujdesen për ju. Ata janë forca e jashtëzakonshme me një ndikim të madh në jetën tuaj. “
Sipas tij, një dëgjim i thellë krijon besim, afërsi emocionale dhe ndjesinë që tjetri e ka me të vërtetë për zemër mirëqenien tonë — dhe kjo i bën njerëzit më të prirur t’i dëgjojnë, t’i respektojnë dhe t’i ndjekin këshillat.
Në librin e tij, Mautz ndan tri hapa praktikë për t’u bërë një dëgjues aktiv dhe me ndikim:
1. Përgatitu për të qenë i përqendruar
Shpesh kalojmë nga një takim në tjetrin, nga një bisedë në tjetrën, pa një moment për t’u shkëputur mendërisht. Scott sugjeron këtë ushtrim të thjeshtë vizualizimi: imagjino trurin tënd si një tabelë shkumësi plot me fjalë dhe mendime të shpërndara. Tani imagjino se po i fshin me një laps të madh, duke e pastruar mendjen për t’u përqendruar plotësisht te personi që ke përballë.
2. Trego vizualisht që je i pranishëm
Të dëgjosh nuk do të thotë vetëm të mos flasësh. Sytë, lëvizjet e trupit dhe fjalët e ndërmjetme tregojnë shumë për nivelin e përfshirjes. Mautz këshillon të bëjmë kontakt me sy, të japim shenja miratimi si tundja e kokës, të përdorim pyetje si “Çfarë ndodhi më pas?” apo edhe të pasqyrojmë gjendjen emocionale të tjetrit — një teknikë e njohur si “mirroring” që krijon një lidhje të menjëhershme emocionale.
3. Kape veten kur mendja të ikën
Është njerëzore të humbasësh përqendrimin gjatë një bisede. Por ajo që bën diferencën është ndërgjegjësimi dhe rikthimi aktiv. Mautz sugjeron përdorimin e mantrave të vogla mendore si:
- “Mos u largo, përqendrohu.”
- “Ji i vetëdijshëm, jo i mbingarkuar.”
- “Drejtoje mendjen — mos e lër të të drejtojë.”
Kur ta kapësh veten duke humbur fokusin, mos e gjyko veten. Thjesht riktheje vëmendjen dhe rifutu në bisedë.
Ky mesazh nga Scott Mautz vjen si një thirrje e qartë: për të pasur ndikim real tek të tjerët sepse nuk mjafton të flasim bindshëm por duhet të dëgjojmë me gjithë mendjen dhe zemrën tonë.
Artikulli i plotë është publikuar në CNBC Make It, dhe bazohet në përvojën shumëvjeçare të Mautz si lider në Procter & Gamble dhe si trajner ndërkombëtar për lidership dhe zhvillim personal.