Diola Dosti, nutricionistja që jeton mes Shqipërisë dhe Kosovës

Diola Dosti, është nutricioniste dhe nënë e tri vajzave. Nëse e keni ndjekur angazhimin e saj do të keni pyetur veten si ia del një grua të zhvillojë karrierë dhe të rrisë shëndetshëm fëmijët e saj. Madje a ia del? Shpesh kemi pikëpyetje rreth kësaj dhe vetë nënat në karrierë udhëtojnë me këtë pyetje Brenda vetes. Në fakt shumë studiues tregojnë se nuk është sasia e kohës që kalojmë me fëmijët, por cilësia ajo që përcakton rritjen e shëndetshme të tyre. Diola ndan me ne përvojën e saj dhe disa këshilla bazë për ushqimin e fëmijëve.

Ti ke tri vajza ndërsa je grua në karrierë, profesioniste, sipermarrëse. Si je organizuar në rritjen dhe edukimin e vajzave?

Ndihem shumë me fat që kam tri vajza. Mua më ka munguar figura e një motre dhe figura e një tezeje dhe për këtë, ndihem pafund e lumtur që vajzat kanë njëra-tjetrën mbi të gjitha. Kjo e bën edhe më të lehtë punën time, sepse vajza e madhe, Bleza, që dhe pak bën 12 vjeç, është shndërruar në një “mami” të vogël për motrat e vogla të saj. Sigurisht që kam angazhuar dhe një zonjë, e cila kujdeset për to kur unë nuk jam në shtëpi. Përpiqem të jem me to në momentet, të cilat ato i shijojnë më shumë, siç është shkuarja në kinema, tregimi i historive frymëzuese para gjumit, “hapjet e zemrës”, sidomos me Blezën, e cila ka hyrë në periudhën e paraadoleshencës dhe ka shumë nevojë të shprehet për pëlqimet që ka apo botën e një vajze 12 vjeçare. Është e vështirë, sepse në fund të ditës, gjithmonë ia bëj pyetjen vetes: – ‘A ia dola sot të jem një nënë e mirë?’

Parimi im jetësor në lidhje me to, është që unë të jem shembulli më i mirë i gruas që nuk dorëzohet dhe merr gjithçka nga jeta. Kështu dua t’i shoh dhe vajzat e mia në të ardhmen.

Cila është koha që kalon patjetër me to?

Nuk dua të bëj mungesa në ditët e tyre të veçanta siç janë ditëlindjet, viti i ri dhe pushimet verore. Edhe pse për mua, të kalosh ditën me to, është përherë një ditë e veçantë. Çmoj çdo ditë që kaloj me to, çdo moment. Sidomos në fundjavë, përherë shkojmë në kinema (me dy vajzat e mëdha, se e vogla është 2 vjeç). Ato i pëlqejnë shumë filma vizatimorë dhe në darkë gjithashtu i shijojmë filmat vizatimorë, frymëzues. Koha e leximit pasdite gjithashtu është një pjesë që e shijojmë bashkë dhe vënia në gjumë. Më duhet fillimisht që të vë vajzën e vogël në gjumë, Gjurmën (që e zë gjumi një orë pasi shtrihemi) dhe pastaj kaloj në dhomën e vajzave të mëdha, Blezës dhe Enjës, të cilat nuk mërziten së dëgjuari historine time të përsëritur, mbi takimin me njeriun e gjatë në Bibliotekën e Tiranës.

Lexo: Vetëbesimi tek fëmijët, programi i Shpresa Rupar

Çfarë u thua? Cilat janë gjërat që ke më shumë merak që ato të mund të marrin dhe të zhvillohen përsa u përket edukimit, aftësive?

Personalisht kam preferuar që të mos u bëj presion në nota. Jam e vetëdijshme që një fëmijë, mund të mos ketë prirje për gjithçka. Dy vajzat e mëdha janë të prirura më shumë nga matematika, madje mund të them që janë ndër më të mirat në këtë lëndë. Gjuhën shqipe dhe historinë i mësojnë shumë pa qejf. Pikërisht për këtë, kam zgjedhur që mos t’ju kërkon që të jenë të shkëlqyera në të gjitha lëndët, por të ruajnë mesataren e mirë dhe të mësojnë më shumë, të hulumtojnë më shumë në fushat që ato duan. Ju blej shpesh libra të mendimit pozitiv dhe motivues si “Historitë e vajzave rebele” apo “Zakonet e adoleshentëve të suksesshëm” që të mësojnë më shumë për gjëra që nuk i mësojnë në shkollë dhe që u duhen patjetër t’i dinë, për të patur sukses në jetë. Gjuhët e huaja dua t’i mësojnë më shumë, prandaj shkojnë në kurs (Enja është në klasën e dytë dhe tani do ta fus në kurs anglisht) kurse Bleza që në klasë të dytë ka shkuar rregullisht në kurs anglisht dhe piano. Shpesh herë kanë kërkesë pëer të shkuar në kurse vallëzimi. Nuk besoj që e gjejnë veten shumë, por i regjistroj sa për të mos u mbetur merak dhe pastaj gradualisht zbehet dëshira për kurset e ndryshme të vallëzimit. Dua të pavarësohen, të mësojnë t’i bëjnë gjërat vetë. Bleza ka shumë dëshirë gatimin dhe verës do ta angazhoj në një kurs gatimi. E ka pasion dhe do që ta zhvillojë. Qe tani ka bërë plane për të hapur një restorant. Në anën tjetër, shkon dhe në një kurs të kompjuterit ku mëson se si të krijojë programe kompjuterike të reja.

Po me ushqimin? Si vepron që ato të ushqehen shëndetshëm?

Një luftë më vete kjo. Aq më tepër kur nuk gjen bashkëpunim nga babai i vajzave për sa i përket ushqimit. Me dëshirën për t’i përkëdhelur, padashje u bën dëm me ushqim të pashëndetshëm. Ushqimi i shëndetshëm është kulturë. Nuk mbaj mend të kem fjetur ndonjëherë pa menduar se çfarë hëngrën sot vajzat, a morën mjaftueshëm vitamine C, a morën mjaftueshëm omega 3. Nuk kalon ndonje ditë pa menduar se nëse nuk e hanë një perim të caktuar, një mungesë vitamine apo minerali apo elektroliti që tani, mund t’i bëhet bazë për zhvillimin e ndonjë sëmundjeje në vazhdim. Mbase e teproj dhe e ngarkoj veten shumë me këto mendime, por profesioni bën të veten. Frigoriferi im nuk mban ushqime të pashëndetshme. Është e vetmja formë e menaxhimit të tyre dhe kështu e mendoj për të gjithë. E mbush shtëpinë me fruta dhe fara kryesisht që mos t’ju shkojë mendja tek çokollatat.

Në disa statuse të tuat kam parë që vazja të përgatit sallatën ndërsa ti vrapoje? Si ia ke arritur ta angazhosh në punët e shtëpisë apo në vetë shërbim?

Jam me fat që vajzat e mia shohin angazhimet e mia dhe e kanë mireëkuptuar punën që bëj. Sepse jo çdo fëmijë e arrin këtë. Nuk jam ankuar ndonjëherë me punën që kam, por ato vetë, duke parë se sa lodhem, sa mundohem, sa shpesh dal në Tv dhe jap këshilla, sa shpesh udhëtoj për punën time, janë ndërgjegjësuar mbase që mami ka nevojë të gjejë diçka gati në shtëpi. E bëjnë shpesh këtë. Madje ndonjëherë vijnë tek dhoma ku jam duke lexuar, me mbyllin syte dhe me ulin ne tavolinen me receta të ndryshme. Jam vërtet e bekuar me to. Asgje e veçantë. Thjesht janë fëmijë që dinë të vlerësojnë punën që ti bën. Mendoj që mbi të gjitha, kur shohin që prindi, punon, lexon dhe di të respektojë dhe kohën për veten, marrin shembullin më të mirë të gruas që nuk dorëzohet.

A je mamaja perfeksioniste? Apo toleron pak?

Kam qenë shumë më e rreptë. Por, kohët e fundit, e pranoj që kam toleruar dhe ndonje akullore. Vura re se kur isha shumë perfeksioniste. Vajzat kur dilnin nga shtëpia dhe ndonjë familjar u jepte çokollatë apo akullore, i hanin me shumë dëshirë. Sepse une jua ndaloja. Dhe gjëja e ndaluar shijon më shumë. Kështu që vendosa të jem mëe tolerante në ndonjë fundjavë. Dhe më rezultoi shumë e mirë si metodë sepse tani kur nuk janë me mua dhe u japin ushqime të pashëndetshme, ato nuk i marrin më, sepse i kanë shijuar me mua. Por punoj shume qe ato qe dine efektet anesore te ketyre ushqimeve.

Çfarë këshillash do të na japësh për ushqimin për fëmijët? Bebe dhe moshat më të rritura?

Ushqimi i parë i fëmijës nuk duhet të jetë një frut por një perime. Që mos të mësojë që në fillim shijen e ëmbël. Pas moshës 1 vjeçare duhet të përdoret omega 3 si vaj peshku apo vaj i mëlcisë së merlucit, pasi ndihmon në zhvillimin psikomotor të fëmijës. Jo ushqime të gatshme, por perime dhe fruta të përgatitura në shtëpi.