Shkruar nga Joel Snape.
Dua Lipa është, padyshim, e aftë në shumë gjëra. Ajo këndon, vallëzon, shkruan dhjetëra këngë dhe ka bashkëpunuar me Donatella Versace për një koleksion mode. Por nëse dikush do t’ju thoshte se ajo sapo është shpallur si intervistuesja më e mirë e shkrimtarëve në një “garë” stil Mortal Kombat-i, ndoshta do të mendonit se kanë marrë shumë seriozisht këngën e saj Hallucinate.
Megjithatë, kjo është pikërisht ajo që ka ndodhur – në një video në YouTube që ka mbledhur mbi një milion shikime në vetëm pak javë. Argumenti që sjell ajo video është… befasueshëm bindës.
“Po kërkoja për një ese video mbi cilësinë e intervistave letrare në media të ndryshme,” thotë shkrimtari Blake Lefray, autor i videos për kanalin e tij ende në fillimet e veta. Ai hasi në intervistën e Lipës me Hernan Diaz, autor i romanit Trust, fitues i çmimit Pulitzer, dhe mbeti “gojëhapur”.
Megjithëse e kishte parë Diaz të intervistohej disa herë më parë nga gazetarë dhe prezantues televizivë, Lefray thotë se “intervista e Lipës ishte pa dyshim më e mira”.
“Në fillim mendova se të shpallje Dua Lipën si intervistuesen më të mirë aktuale të romancierëve ishte një titull qesharak për të tërhequr klikime – por sa më shumë i ndoqa intervistat e saj, aq më shumë kuptova se, për mua personalisht, ajo është më e mira që e bën këtë tani. Bën pyetje të mençura, të mbështjella me ndjeshmëri dhe kureshtje.”
Kjo mund të tingëllojë si ekzagjerim, por mjafton të shikosh disa intervista që të dallosh menjëherë një ndryshim nga ato tipiket me përgjigje të stërpërgatitura për PR.
Në intervistën me Diaz, ajo e pyet nëse një nga personazhet është frymëzuar nga një gazetare hetuese që zbuloi skandalet e John D. Rockefeller dhe ndihmoi në shpërbërjen e Standard Oil Trust – dhe Diaz, që nuk kishte dëgjuar kurrë për atë gazetare, mbetet i habitur.
Në një bisedë me shkrimtaren nobeliste Olga Tokarczuk, ajo futet në një diskutim të gjatë për rëndësinë e William Blake si figurë anti-sistem në Poloninë komuniste.
Ndërsa me autorin e Lincoln in the Bardo, George Saunders, diskutimi kalon te rëndësia e të qenit jo-gjykues gjatë draftit të parë të shkrimit – dhe përfshin një moment ku Saunders, disi i emocionuar, e pyet Lipën si ishte të performonte në Glastonbury. Këto nuk janë pyetje që zakonisht dëgjon në intervista të transmetuara në televizion.
Në emisionet e natës vonë, pyetjet janë shpesh sipërfaqësore – Jimmy Fallon fillon zakonisht me ndonjë variant të “Si ndiheni që libri juaj është bestseller?”, ndërsa Seth Meyers ia kushtoi një pjesë të intervistës me Diaz pyetjes mbi stilolapsin që ai përdor për të shkruar me dorë.
Prezantueset britanike si Lorraine Kelly apo Angela Rippon mund të jenë pak më të mprehta, por segmentet e tyre janë aq të shkurtra, sa nuk ka kohë për thellime, e aq më pak për biseda të çrregullta rreth fatit, ndjeshmërisë apo martesës në qeveri të djathta.
Sigurisht që podcast-et dhe festivalet letrare ofrojnë intervista më të mira – por siç thekson Lefray, nuk janë aq të qëndrueshme sa Lipa: ndonjëherë të çuditshme, ndonjëherë të sikletshme, dhe shpesh me atë “sort of” të lodhshëm në çdo fjali.
Si ia del ajo, pra?
Së pari, Lipa duket se lexon shumë. Në një fjalim në ndarjen e çmimeve Booker 2022, ajo përmendi se si, si adoleshente, kishte zbuluar shpirtin e qëndresës shqiptare përmes veprave të Ismail Kadaresë.
Intervistat që zhvillon janë pjesë e klubit të librave të faqes së saj Service95, dhe ndonëse një cinik mund të mendojë se bëhen për të ndërtuar një markë personale dhe për të përfituar nga lidhjet me shitjen e librave (ashtu si Reese Witherspoon, Dakota Fanning, Natalie Portman dhe vetë Fallon kanë klubet e tyre), Lipa ka nisur që në vitin 2019 të lexojë dhe rekomandojë libra me miqtë e saj më të afërt.
Ajo publikonte sugjerime librash në Instagram shumë përpara se të krijonte Service95, dhe rafti i saj i librave – që shpesh dallohet në sfond gjatë intervistave – është i mbushur me tituj të veçantë, nga The Story of Art Without Men i Katy Hessel te Rap Capital i Joe Coscarelli.
Ndoshta, si dikush që vetë ka dhënë qindra intervista, e di saktësisht çfarë e bën një intervistë të mirë: pyetjet që artistët i duan apo i urrejnë, ato që shpresojnë t’u bëhen, dhe ato që i bëjnë të hapen.
Nuk është e qartë nëse i shkruan vetë pyetjet – përfaqësuesit e saj nuk dhanë koment – por ajo duket gjithmonë e përgatitur: njeh personazhe dytësorë dhe nën-narrativa, dhe nuk duket asnjëherë e zënë në befasi nga ndonjë shënim i autorit.
Përtej të gjithave, ndoshta Dua Lipa është intervistuese e mirë sepse lexon ashtu siç shpresojnë autorët të lexohen: duke u zhytur në botën e personazheve me gëzimin e vërtetë të leximit.
Është e dukshme se lexon me vëmendje dhe thellësi, gjë që e çon natyrshëm në pyetje të pasura e të menduara mirë. Po të ndjekësh disa nga bisedat e saj, entuziazmi i saj bëhet aq ngjitës, sa të shtyn të lexosh më shumë, më gjerë – apo thjesht më mirë.