Të qenët mbipeshë në moshë të vogël mund të dyfishojë rrezikun për të qenë obez në moshën e rritur, sipas një studimi të kryer nga shkencëtarë në Holandë.

Studiuesit theksojnë se indeksi i masës trupore (BMI) në moshën gjashtëvjeçare është treguesi më i besueshëm për të parashikuar obezitetin në moshën e rritur, ndërsa pesë vitet e para të jetës janë kyçe për të parandaluar shtimin e peshës.

Studimi ka ndjekur BMI-në e mijëra fëmijëve holandezë në moshat 2, 6, 10, 14 dhe 18 vjeç, dhe ka zbuluar se çdo rritje me një njësi e BMI-së në moshën gjashtëvjeçare më shumë se dyfishon mundësinë që një fëmijë të jetë mbipeshë ose obez në moshën 18 vjeç.

Kërkimi, i paraqitur në Kongresin Evropian për Obezitetin që u mbajt në Málaga, gjithashtu zbuloi se fëmijët mbipeshë që arritën një peshë të shëndetshme para se të mbushnin gjashtë vjeç, nuk kishin më rrezik të shtuar për të qenë mbipeshë apo obez në adoleshencë. Por, nëse ata humbnin peshë pas kësaj moshe, rreziku mbetej i lartë.

Nga 3,528 të rinjtë që u përfshinë në studim, 32.3% konsideroheshin mbipeshë apo obezë në moshën 2 vjeç, 22.3% në moshën 6 vjeç, 24.7% në moshën 10 vjeç dhe 20.6% në moshën 14 vjeç.

Shumë prej tyre vazhdonin të ishin mbipeshë ose obezë edhe në moshën 18 vjeç.

Jasmin de Groot, nga Qendra Mjekësore Universitare Erasmus në Roterdam, tha:
“Duhet të kuptojmë si rriten dhe zhvillohen fëmijët, nëse duam që brezat e ardhshëm të jetojnë më shëndetshëm dhe t’u japim çdo fëmije një shans për një jetë të lumtur dhe të shëndetshme.”

Ajo shtoi: “Pesë vitet e para të jetës së një fëmije janë një mundësi e jashtëzakonshme për të ndërhyrë dhe për të parandaluar mbipeshën dhe obezitetin në vitet që vijnë.”

Një kërkim i veçantë nga Universiteti i Bristolit, gjithashtu i paraqitur në këtë kongres, zbuloi se numri i adoleshentëve mbipeshë në Angli është rritur me 50%, nga 22% në periudhën 2008–2010 në 33% gjatë viteve 2021–2023.

Drejtuesi i kërkimit, Dr. Dinesh Giri, endokrinolog pediatrik në Spitalin Mbretëror për Fëmijë në Bristol, tha:
“Gjatë 15 viteve të fundit, obeziteti tek adoleshentët është rritur ndjeshëm për shkak të një kombinimi faktorësh: konsum i lartë i ushqimeve shumë të përpunuara, stil jetese sedentare të nxitur nga koha e tepërt para ekranit, mungesë gjumi të mjaftueshëm dhe probleme në rritje me shëndetin mendor.

Gjithashtu, mundësitë e reduktuara për aktivitet fizik dhe pabarazitë sociale e ekonomike kanë kontribuar më tej në krijimin e një mjedisi që nxit stilin e jetesës jo të shëndetshme.”

theguardian