Besojmë se të gjithëve u ka ndodhur një situatë e tillë: Ti nis të flasësh dhe të tregosh një ngjarje, apo të japësh një ide në një mbledhje pune, kur dikush të ndërpret nga hiçi.
Në një situatë të tillë ka gjithnjë 2 zgjedhje: Të mos reagosh dhe të presësh derisa të vijë sërish radha jote për të folur, ose të reagosh dhe të vendosësh në pah sjelljen. Veprimi i dytë mund të çojë në një sjellë pasiv-agresive dhe mund të nisë një konflikt, por është i rëndësishëm, pasi vetëm kështu mund të vendosësh barrierat e duhura dhe idetë e tua mund të merren më seriozisht.
Gjithsesi, duhet të jesh i vetëdijshëm se pse njerëzit po të ndërpresin, në mënyrë që edhe ti të reagosh në mënyrën e duhur. Disa prej arsyeve mund të jenë:
Ajo që po thua nuk është fare interesante për personin tjetër
Biseda lidhet me një përvojë të personit tjetër dhe do ta thotë para se ta harrojë
Mund të jetë një simptomë e ADHD
Të ndërpresin që t’i shtojnë elemente të tjerë idesë tënde
Biseda është dinamike dhe po cek shumë tema njëherësh, etj.
Pra, mund të ketë shumë arsye se pse po të ndërpresin në bisedë. Sërish, adresoje fenomenin sepse, sipas Susan RoAne, autore e “What Do I Say Next?: Talking Your Way to Business and Social Success” dhe spikere: “Nëse nuk themi asgjë, e miratojmë sjelljen në fjalë, si dhe e ndrydhim veten që të heshtim”.
Ka shumë mënyra se si mund ta adresosh dukurinë dhe më e mira është në mënyrë të drejtpërdrejtë, me qetësi, edukatë dhe kontakt me sy me personin që të ndërpret. Shmang kërkesën e lejes dhe në vend që të thuash: “A mund të vazhdoj?”, thuaj: “Dua të mbaroj mendimin time” dhe këtë bëj.
Disa shprehje të tjera mund të jenë:
“Më lejo të vazhdoj, të lutem”.
“Interesante, por dua të them mendimin tim”.
“Ok”. (Kalo tek tema jote)
“Më ke ndërprerë disa herë. Të lutem, mos e bëj më!”.