Kalimi i kohës në natyrë është i rëndësishëm për shëndetin mendor. Por studimet tregojnë se edhe vetëm dëgjimi i këngës së zogjve mund të lehtësojë simptomat e ankthit dhe depresionit.

Çdo pranverë, kur miliarda zogj migrojnë drejt veriut, këngët e tyre melodioze bëhen të padiskutueshme, askush nuk dëshiron t’i shmangë. Kori i tyre në agim na tregon që më në fund ditët e ngrohta e të ndritshme kanë mbërritur. Por përveç kësaj, është një ilaç i vërtetuar shkencërisht për trurin tonë.

Shkencëtarët e dinë tashmë që natyra ka ndikim të fortë pozitiv te shpirti. Të dalësh jashtë ndihmon trupin të mbajë ritmin, ndërsa qëndrimi në pyll ul stresin, rrahjet e zemrës dhe tensionin e gjakut. Të shikosh lule të egra që lulëzojnë mund të të japë ndjesinë e mrekullisë një ndjenjë habie që të bën të kuptosh se ti dhe problemet e tua jeni vetëm një grimcë e vogël në një botë pafundësisht më të madhe.

Por çfarë e bën tingullin e zogjve kaq të veçantë? Si qenie sociale, “jemi të prirur të lidhemi me gjithçka përreth nesh,” thotë Cindy Frantz, psikologe sociale dhe mjedisore. Pjesët e trurit që përdorim për të krijuar lidhje me njerëzit, na ndihmojnë të ndërtojmë lidhje edhe me natyrën, përfshirë edhe zogjtë.

Si ndikojnë cicërimat e zogjve te shëndeti ynë mendor
Një numër gjithnjë e më i madh studimesh sugjeron se kënga e zogjve është një derë hyrëse drejt përfitimeve të shumta të natyrës, pavarësisht nëse jeton në qytet apo në fshat.

Një studim i vitit 2022, rreth 1,300 pjesëmarrës regjistruan tri herë në ditë për dy javë gjendjen e tyre emocionale dhe çfarë përjetonin në ambientin përreth. Sa herë që ata raportuan se kishin parë ose dëgjuar zogj, ndiheshin dukshëm më mirë psikologjikisht. Madje edhe kur hiqeshin nga llogaritjet efektet e gjelbërimit apo pranisë së ujit në zonë, e për më tepër, kjo ndjesi pozitive zgjaste për disa orë.

Është e vërtetë që pjesëmarrësit e dinin se studimi kishte të bënte me zogjtë, gjë që mund të ketë ndikuar në vetëdijen dhe perceptimin e ndjenjave të tyre. Gjithashtu, studimi u zhvillua gjatë periudhës së pandemisë COVID-19, kur niveli i përgjithshëm i stresit ishte më i lartë. Por një tjetër studim, po i vitit 2022, theksoi dallimin midis tingujve të natyrës dhe atyre urbanë: nga 295 pjesëmarrës që dëgjuan 6 minuta tinguj zogjsh përmes kufjeve, shumica raportuan më pak depresion, ankth dhe paranojë. Dhe sa më i pasur dhe i larmishëm të ishte kori i zogjve, aq më i madh ishte efekti pozitiv: dëgjimi i këngëve të shumë specieve rezultoi më efektiv sesa dëgjimi i vetëm dy llojeve.

Një tjetër studim nga viti 2020, realizuar nga universiteti California Polytechnic State, mbështet rezultate të ngjashme. Studiuesit vendosën altoparlantë të fshehur përgjatë dy shtigjeve në Boulder, Colorado, për të simuluar një biodiversitet më të madh përmes tingujve të zogjve. Vizitorët, pa e ditur që këngët ishin të regjistruara, raportuan ndjesi më të thella çlodhjeje dhe qartësimi mendor krahasuar me ata që ecnin në shteg pa tinguj.

Pse tingulli i zogjve na qetëson trurin?
Shumë ekspertë besojnë se kënga e zogjve është një sinjal sigurie. “Nëse ndihesh në ankth ndërsa ecën në një pyll të pazakontë të qetë, ku zogjtë nuk këndojnë fare, ajo heshtje mund të jetë një paralajmërim se ka ndonjë rrezik aty pranë,” shpjegon studiuesi Clinton Francis. Ndaj, në rrjedhën e evolucionit tonë, kënga e zogjve mund të jetë shndërruar në një tregues i besueshëm që gjithçka është në rregull dhe mund të qetësohemi.

Lidhur me përmirësimin e qartësisë mendore, shkencëtarët ende nuk e kuptojnë saktësisht pse ndodh. Por disa studime sugjerojnë se kontakti me natyrën ul aktivitetin e zonave të trurit të lidhura me stresin dhe mendimet e vazhdueshme negative. Natyra na ndihmon të harrojmë veten dhe problemet tona, thotë Frantz.

Dëgjimi i zogjve është gjithashtu një formë e vetëdijes së momentit — ose “mindfulness” — sepse të ankoron në të tashmen. Ndodhemi në një dialog të qetë me natyrën, e cila përfshin shqisat tona në mënyrë të lehtë dhe të këndshme, pa i mbingarkuar ato. Këtë ndjesi shkencëtarët e quajnë “fascinim i butë”: na tërheq vëmendjen, por nuk na lodh. Të shikosh sythet e pemëve që çelin, të ndjesh erën e shiut, apo të dëgjosh pëshpërimën e një pëllumbi — ndoshta këto janë momentet kur ndjejmë se jemi vërtet gjallë.

Si ta sillni më shumë këngën e zogjve në jetën tuaj
Edhe pse dëgjimi i këngës së zogjve nëpërmjet regjistrimeve ka efekte pozitive për shëndetin mendor, Francis thotë se asgjë nuk e zëvendëson përjetimin e drejtpërdrejtë.

Por natyra nuk ka pse të jetë e gjerë apo e virgjër. Mund të vendosni një ushqyes zogjsh në ballkon apo kopsht, ose të shkarkoni një aplikacion si Merlin Bird ID, që identifikon zogjtë përmes zërit. Sipas Frantz, të njohësh emrat dhe zërat e specieve të ndryshme mund të të ndihmojë të krijosh lidhje më të fortë me ta.

Dhe herën tjetër që të dëgjosh një kor të harlisur zërash apo të shikosh një zog me pendë të shndritshme duke kënduar nga degët, ndalu një çast dhe përjetoje atë magji. Sepse zërat e pranverës janë të bukur… dhe të përkohshëm.

Nationalgeographic