0-5 vjeç, në këtë periudhë vendosni themelet e rritjes dhe mësimit.
Nga buzëqeshja e parë dhe hapi i parë deri tek përjetimi i një sërë emocionesh, fëmija juaj kalon shumë momente të rëndësishme të fëmijërisë. Kjo është një kohë rritjeje dhe mësimi dhe një kohë ideale për të filluar ta mbështesni mirëqenien mendore të fëmijës suaj.
Ngritja e themeleve për një jetë të lumtur dhe të shëndetshme
Fëmija juaj kërkon dashuri, mësim dhe siguri. Mundohuni të kaloni sa më shumë kohë cilësore së bashku. Nxitja e një marrëdhënieje të ngrohtë dhe të butë dhe ndihma e fëmijës suaj të ndihet i sigurt dhe nën kujdes, është një rrugë e gjatë për t’i hedhur bazat për një shëndet të mirë mendor gjatë gjithë jetës.
Foshnjat
Kalimi i kohës cilësore me fëmijën tuaj është e mirë për të dy. Kjo madje çliron hormone natyrale, të cilat ju ndihmojnë të lidheni me fëmijën tuaj dhe ta përmirësoni mirëqenien për të dy!
- Luani me ta dhe përkëdhelni.
- Flisni me ta, këndojuni.
- Përgjigjuni tingujve të tyre me fjalë në mënyrë që ata të fillojnë ta kuptojnë gjuhën dhe komunikimin.
Fëmijët e vegjël
Derisa fëmija juaj fillon të lëvizë më shumë, dëshira e tij për të eksploruar vazhdon të rritet. Kjo kureshtje ka nevojë për edukim dhe inkurajim.
- Lexojini fëmijës tuaj (çdo ditë nëse mundeni).
- Luani lojëra që përfshijnë kuriozitetin dhe të mësuarit e tyre.
- Kërkojini fëmijës suaj t’i emërtojë gjërat – filloni me emrin e tyre dhe objektet përreth, le të jenë emërtime të thjeshta.
- Eksploroni së bashku mjedisin jashtë shtëpisë tuaj.
Fëmijët e moshës parashkollore
Përderisa fëmija juaj bëhet më i pavarur dhe më kureshtar, ai do të dëshirojë ta eksplorojë botën jashtë dhe të mësojë për gjërat rreth tij. Ndërveprimet me njerëzit do t’iu ndihmojnë fëmijëve t’i zhvillojnë mënyrat e tyre të të menduarit dhe ta kuptojnë botën përreth tyre.
- Inkurajoni ndërveprimin social përmes lojës me fëmijët e tjerë.
- Ftojini ata t’ju ndihmojnë me punët e thjeshta të përshtatshme për moshën e tyre. Drejtojini ata nëpër hapa për të zgjidhur probleme të thjeshta.
- Vendosni kufij të qartë dhe pritshmëri realiste. Pas përgjigjes “jo” vazhdoni me alternativa për atë që do të preferonit ta bëjë.
- Jepuni atyre zgjedhje të qarta që janë të lehta për t’u kuptuar, kur të merrni vendime se çfarë të hanë, çfarë të veshin apo çka të luajnë.
Për çfarë duhet të keni kujdes
Fëmijët e vegjël mësojnë si ta shprehin veten dhe t’i menaxhojnë emocionet e mëdha. Kjo ndonjëherë mund të shkaktojë zemërim ose stres kur ata nuk mund t’i komunikojnë nevojat e tyre. Kur fëmijët ndihen të stresuar ose të mbingarkuar, ata kanë nevojë për një të rritur të dashur, që do t’i bëjë të ndjehen të sigurte dhe t’u ndihmojë t’i menaxhojnë ndjenjat e tyre.
Shmangni…
- Çdo formë të dhunës, duke përfshirë të bërtiturat dhe goditjet. Kur një fëmijë jeton në një mjedis negativ, kjo mund t’i shkaktojë “stres toksik” – që e dëmton rritjen dhe zhvillimin e fëmijës – si dhe shkakton probleme afatgjata në jetën e mëvonshme.
- Debatet e shpeshta mes prindërve dhe njerëzve rreth fëmijës. Tensioni në ambientin familjar mund të jetë stresues për fëmijët – ata mund të ndihen të lënë pas dore, të pafuqishëm dhe të pambrojtur.
- Çdo formë neglizhence. Fëmijët kanë nevojë për vëmendje, dashuri dhe kujdes të vazhdueshëm në mënyrë që të kenë rritje dhe zhvillim të shëndetshëm.
Mbani mend: Kujdesuni edhe për veten
Pavarësisht nëse jeni prind i një foshnje apo fëmije të vogël, ju do të përjetoni një gamë të gjerë emocionesh në periudha të ndryshme – gjë që është normale. Emocionet përfshijnë gëzim, zhgënjim, lodhje dhe nervozizëm. Sa herë që ndiheni të mbingarkuar, gjeni kohë për ta menaxhuar stresin tuaj.
- Sigurohuni që të keni mbështetje të mirë sociale rreth jush. Mundohuni të ndani pak kohë për veten, në mënyrë që të keni ca hapësirë për veten tuaj.
- Mos harroni të ndani hapësirë për gjumë të mjaftueshëm, ushqim të shëndetshëm dhe aktivitet fizik.
Disa forma të stresit janë gjëra që secili prind i ri i përjeton, por mos kini frikë të kërkoni mbështetje dhe ndani kohë për t’u kujdesur për nevojat tuaja.