Edi Gogu, Profamilja

Miq të dashur, nuk e di sesa shënon termometri aty tek ju, por mund t’ju them vetëm që këtu tek ne është aq nxehtë sa kjo gota me ujë akull, feta limoni jeshil dhe gjethe borziloku të freskëta që kam përmbi tryezë , zbrazet dhe rimbushet gati cdo 15 minuta.


Çdo vit në këtë kohë më duket sikur përsëris të njëjtin cikël, atë të vaposjes deri në lodhje dhe të sfilitjes për të gjetur ide interesante dhe të reja për argëtimin e fëmijëve gjatë ditëve të pushimeve verore.

Nga njëra anë janë fëmijët të cilët kanë një vit që presin dhe ëndërrojnë për pushimet e tyre verore dhe nga ana tjetër janë prindërit të cilët duhet të kujdesen disi më ndryshe për aktivitete dhe mënyra për të mbushur kohën e lirë të fëmijëve të tyre. Disa prindër e pohojnë ngrkesën emocionale që ju jep kjo kohë çdo vit dhe shumë të tjerë fillojnë që të kërkojnë për kampe verore disa muaj përpara përfundimit të shkollës.

Tradita e pushimeve verore i ka rrënjët në epokën Viktoriane, pra në shekullin e 19të dhe ka mbetur e tillë deri më sot (disa shtete kanë më pak pushime në verë pasi i kanë ato të shpërndara edhe përgjatë vitit mësimor).

Pushimet verore janë një kohë e shumëpritur për fëmijët dhe i gjithë çlirimi nga angazhimet shkollore, i karikon ata me një energji shumëherë të pashpjegueshme edhe për vetë ne prindërit:-)

Besoj e keni parasysh atë pyetjen “po nesër çfarë do të bëjmë?” Ndërkohë që mendojmë me mendjet tona të ngarkuara se çfarë përgjigje të japim, kujtohemi dhe pendohemi që nuk arritëm të lexojmë dot në internet atë shkrimin me idetë më të mira për argëtimin e fëmijëve. Kjo pyetje sjell edhe një ngarkesë emocionale si tek prindërit ashtu edhe në atë mes tyre the fëmijëve pasi ata presin automatikisht që prindërit të sigurojnë lumturinë dhe argëtimin e tyre pareshtur.

Pikësëpari duhet t’i marrim gjërat me rradhë; janë pushimet verore që do të thotë që fëmijëve ju nevojiten disa ditë që të përshtaten me rregjimin e ri ditor dhe ne duhet t’i japim kësaj përshtatjeje të paktën tre ditë kohë .

Unë i shijoj këto mëngjeset “dembele” ku nuk më duhet të vrapoj nëpër shtëpi për të përgatitur mëngjesin me vrap, për të përsëritur njëqind porositë e përditshme, ndërsa më duhet të filloj ditën edhe për vete.

Koha e pushimeve verore është një mundësi e mrekullueshme të cilën mund ta shfrytëzojmë për të kaluar më shumë kohë cilësore me fëmijët tanë;

1- Ditët janë më të gjata dhe na japin mundësinë për shëtitje në natyrë pas punës (kur prindërit nuk e kanë marrë ende lejen)

2- Pasditet mund t’i përdorim për vajtje në pishinë, në kinema apo edhe për lojëra poshtë pallatit apo në park.

3- Mund të fillojmë leximin së bashku të ndonjë libri të bukur psh; “Dy vjet pushime” apo libra të tjerë me aventura të përshtatshme për moshën e fëmijëve.

4- Adoleshentët kanë nevojë për kohë dhe biseda të thella. Jepuni të gjithë vëmendjen dhe kohën për të cilën ata kanë nevojë. Çdo verë i rrit ata me nga një vit, ndaj prindërit duhet t’u qëndrojnë pranë për t’i shoqëruar në proçesin e të bërit i rritur.

5- Mbani ditar dhe shënoni gjërat më të rëndësishme që po ndodhin në jetën e fëmijëve tuaj! Një ditë ai ditar do të jetë mjaft i çmuar për ju, por edhe për fëmijët tuaj.

6- Shmangni përdorimin e telefonave gjatë kohës që po ju kushtoni fëmijëve tuaj. Ju siguroj që ata nuk do ta harrojnë kurrë këtë gjë.

Pushimet verore janë një moment i shkëlqyer që prindërit dhe fëmijët të krijojnë kujtime që zgjasin gjithë jetën;

(Rrëfim) Ndërsa isha duke u bërë gati për të shkruar këtë pjesë të këtij shkrimi, i vogli ynë erdhi edhe më tha “të lutem më kushto pak vëmendje maaa!” Në fakt isha mbyllur në dhomë për ca orë duke shkruar dhe ai më konfirmoi atë nevojë për të cilën unë shkrova një paragraf më sipër. E lashë punën dhe luajtëm me top. E qeshura e tij si cicërimë është gjëja që ka më shumë rëndësi.

Disa ide sesi mund të provojmë që të krijojmë kujtime që zgjasin sa jeta.

1- Të krijojnë kalendarin e javëve me tema psh; java e kështjellave, ku si familje vizitohen kështjella edhe flitet rreth tyre, krijohen histori imagjinare për jetën në atë kohë, krijohen kostume me materiale të riciklueshme, etj.

Java e botanikes; ku së bashku me fëmijët mbledhim dhe thajmë lule dhe bimë, krijojmë herbariume apo korniza me lule të thata dhe ua dhurojmë gjyshërve apo zbukurojmë ambientet e shtëpisë.

Java e artit pamor; ku vizitojmë galeri arti dhe së bashku zgjedhim të vizatojmë apo të pikturojmë tablo, e guitta kjo në varësi të moshës së fëmijëve.

Java e profesioneve; u flasim fëmijëve për profesione të ndryshme, për rëndësinë e tyre në jetën tonë dhe vizitojmë së bashku bukëpjekësin, një mjek gjatë orarit të punës, një punonjës bankar etj.

Java e kafsheve ose java e dinosaurëve, java e princeshave apo java e fluturave.

Krijoni një kalendar javor sipas pëlqimeve tuaja dhe të familjes tuaj! Kësisoj do ta keni më të lehtë që të organizoheni dhe të argëtoheni së bashku. Këto ide vlejnë si për ditët që jeni pushim apo edhe për ditët kur fëmijët janë në kujdesin e dikujt tjetër. Disa aktivitete mund ti bëni së bashku dhe disa të tjera fëmijët mund ti bëjnë me gjyshërit apo kushërinjtë që po kujdesen për ta.

Është e rëndësishme që kur jeni me fëmijët tuaj ta shpenzoni çdo çast me ta the për ta.

Shkoni për të gjetur thesare të humbura; vini ne punë fantazinë, merrni një kuti, një palë doreza plastike dhe dilni të kërkoni sende të cilat ju keni vendosur që ti quani thesare.

Me adoleshentët ju mund të kaloni po kaq bukur duke filluar që nga; shikimi i një filmi së bashku shoqëruar kjo gjë me ushqim pasi adoleshentët i kënaq ushqimi i mirë, lojëra tavoline apo lojëra konkurruese me playstation, etj. Adoleshentët kanë dëshirë të bëjnë sporte, luani me ta volejboll, basketboll, futboll, tenis, paintboll etc.

Shkoni në librari dhe zgjidhni libra që i frymëzojnë dhe i nxisin për jetën e tyre. Këto janë vite, të cilat nuk duhet të shkojnë dëm! Investoni në kohë miqësie dhe shoqërie, ku adoleshentët ndiejnë të gjithë praninë dhe vëmendjen tuaj.

Koha e pushimeve verore është një mundësi e çmuar për të nxitur fantazinë dhe për t’i frymëzuar fëmijët tanë.

Pushimet verore të krijojnë hapësirën për aktivitete në shtëpi (gjatë pikut të vapës), lexim librash, vizatime dhe ngjyrosje, vallëzim, ndërtim shtëpie me jastëkë dhe kuti të mëdha kartoni, ndërtim puzzle, lojë me plastelinë dhe tharja në diell e tyre, lojëra me lego dhe lojëra formuese etj.

Për aktivitete në natyrë; bërje dhe fluturim balonash, ujitje te bimëve në ballkon/kopësht due përkujdesje për to, lojë duke fryrë fllucka sapuni, lojë me rërë dhe dhe’ në lagje, mbledhje lulesh dhe tharja e tyre, ndërtim robot me kuti kartoni me shokët, lojë me hartë thesari në lagje, lojëra me plastelinë me shokët, lojë me peta si ne prindërit dikur.

për aktivitete në grup; vizitë në një muzeum, vizitë në një fabrikë vendase, vajtje në kinema, vajtje diku për të shijuar një akullore ose një kupë kos të ngrirë, vajtje në librari dhe në bibliotekë, krijimi i një klubi libri (me ndihmën e prindërve), një piknik në natyrë, vajtje në një park lojërash apo plazh/pishinë të shoqëruar nga të rriturit, vizitë tek puna e mamit ose e babit etj.

për aktivitete individuale; riorganizimi i dhomës së fëmijës, një mundësi për të mbajtur ditar, fotografimi i momenteve më mbresëlënëse të ditës, përfshirja në gatim, vizatim dhe praktikim i një instrumenti muzikor, rock climbing (kështu quhet ky aktivitet që është kacavarrje në murin e posaçëm të palestrës), shëtitje në natyrë për të mbledhur lule, gjethe apo guacka, një film i mirë i parë në qetësi etj.

Familjet duhet të sigurohen që fëmijët të kenë libra të rinj për të lexuar, lapsa, letra me ngjyra, blloqe vizatimi, plasteline, xixa dhe ngjitëse, gërshërë dhe mjete të tjera me të cilat ata mund të punojnë në qetësi dhe të krijojnë sipas fantazisë së tyre.

Kini parasysh që ti prezantoni fëmijët me projekte të ndryshme sociale, ku fëmijët e rritur mund të ofrojnë kohën dhe kontributin e tyre në një mënyrë të vazhdueshme dhe të organizuar. Kësisoj mbjellim tek fëmijët ndjenjën e dhembshurisë, konsideratë ndaj të tjerëve dhe përgjegshmërinë shoqërore.

Janë prindërit ata që i mësojnë fëmijët e tyre që ti ndajnë librat dhe lodrat e tyre me ata që nuk kanë ose që kanë nevojë për ndihmë dhe kujdes.

Pushimet verore duhet të jenë pushime aktive dhe ku fëmijët vazhdojnë proçesin e të mësuarit, të ndihmuarit në gjërat e vogla praktike për të cilat ka nevojë familja dhe ku puthjet e përqafimet ëmbëlsojnë ditët e çmuara mes anëtarëve të çdo familjeje.

Uroj dhe shpresoj me shumë dëshirë që ky shkrim t’ju ketë frymëzuar dhe nxitur me ide të reja për pushime verore te bukura dhe të ëmbla me të shtrenjtët tuaj:-)