Fyt i thatë e i acaruar, hundë të bllokuara apo dhimbje koke, këto janë vetëm disa nga simptomat që mund të përjetoni këto kohë.
Në fakt gripi mund të cilësohet si një gjendje thuajse normale, duke marrë parasysh kushtet në të cilat trupi kalon.
E megjithatë deri sa ditë duhet të duroni të gjithë simptomat e tij?
Sa ditë zgjat gripi normalisht dhe kur mund të quheni të sigurt e të shëruar?
Periudha delikate tek të rriturit
Çdo njeri mund të preket nga gripi apo të ftohet disa herë gjatë vitit. Tek të rriturit ekspertët thonë se gripi mund të zgjasë edhe më shumë nga sa mendoni. Sipas ekspertëve gripi normalisht zgjat 7 deri në 10 ditë.
Nëse ndiheni të plogësht e të lodhur gjatë kësaj periudhe, nuk ka asgjë për t’u alarmuar. Kjo sepse gripi ndahet në tre faza teksa vepron në organizëm.
Lexoni edhe Pse është e rëndësishme të lejoni fëmijët të eksperimentojnë me ushqimin, sipas Lira Gjikës
Faza e parë
- Simptomat e para të gripit fillojnë 10-12 orë pasi trupi ka marrë virusin dhe është infektuar.
- Në fillim ndjeni fytin e acaruar, rëndesë të kokës apo humbje të energjive.
Faza e dytë
- Më pas vijnë 2-3 ditët ku virusi i gripit bëhet më intensive dhe i ashpër me organizmin.
- Këto ditë do të ndiheni më të lodhur, me dhimbje e më shumë siguri do të ndjeni nevojën për tu konsultuar me mjekun.
- Disa nga simptomat më të shpeshta që do të ndjeni janë teshtimat, lotimi i syve, bllokimi i hundës, temperaturë, dhimbje koke apo fyti dhe kollë.
Faza e tretë
- Teksa ditët kalojnë gripi do të fillojë të largohet nga organizmi juaj, por jo tërësisht.
- Për ditë të tëra do të keni kollë apo do të ndiheni të pafuqishëm.
- E megjithatë këto simptoma do të fillojnë të zbuten dhe kjo është një shenjë se trupi juaj po arrin ta luftojë infeksionin.
Periudha e gripit tek fëmijët
Tek fëmijët periudhat e gripit janë ndryshe se tek te rriturit. Që organizmi i një fëmije të luftojë viruset gripale duhen rreth 2 javë. Tek moshat më të vogla gripi jo vetëm që zgjat më shumë, por organizmi është edhe më i pambrojtur nga viruset e ndryshme.
Nëse një i rritur i përjeton periudhat e gripit 2-4 herë në vit, shifrat për një fëmijë dyfishohen me 6-8 herë në vit.
Edhe simptomat për fëmijët janë ndryshe dhe më të ashpra.
Këtu përfshihet infeksioni i veshëve, sinuseve apo problemet me mushkëritë dhe frymëmarrjen.
Kujdes veçanërisht duhet të tregoni gjatë 10 ditëve të para në mënyrë që të ndaloni përhapjen e infeksionit.
Në rastet kur këto simptoma zgjasin dhe komplikohen konsulta me mjekët specialistë është e domosdoshme.