Nga cilësimet e privatësisë tek shqetësimet mbi shëndetin mendor, ja çfarë duhet të dinë prindërit për aplikacionin popullor Instagram, përfshirë masat e rëndësishme që duhen marrë sa më shpejt të jetë e mundur.
Përhapja masive e Instagram, me shumë persona të njohur që e përdorin në çdo kohë për të ndarë çdo detaj të jetës së tyre, aplikacioni për ndarjen e fotove është bërë mishërimi i argëtimit qëkur u lançua në vitin 2010. Por ajo që po shihet është përdorimi i tij edhe nga fëmijët.
Me një llogari në Instagram, si adoleshentët dhe fëmijët, të cilët përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të bazës së përdoruesve të platformës, mund të ngarkojnë imazhe dhe video, të postojnë story 15 sekondëshe që zhduken në 24 orë, të ndërveprojnë me miqtë, të dërgojnë mesazhe private, të shikojnë përmbajtje me format më të gjatë në IGTV dhe të shfletojnë miliarda foto.
Përdoruesit përqafojnë mënyrën se si Instagram promovon inovacionin dhe kreativitetin, por me gjithë atë liri për të ndarë informacionin vijnë edhe një sërë problemesh të sigurisë, duke përfshirë përmbajtjen e papërshtatshme dhe nevojën për perfeksion. Për të luftuar këto problematika, Instagram ka ekipe të dedikuara për sigurinë e të rinjve dhe ata janë gjithmonë duke punuar me funksionalitete të reja që synojnë të mbrojnë fëmijët tuaj.
Ja çfarë duhet të dinë prindërit për t’i mbajtur fëmijët e tyre të sigurtë ndërsa përdorin Instagram.
Fëmijët mund të lidhen me këdo në Instagram
Përdoruesit e Instagram kanë dy opsione në llogaritë e tyre për t’i bërë ato publike apo private. Çdo përdorues mund të shikojë dhe ndjekë një llogari publike; kjo është e dobishme për ata që kërkojnë të fitojnë një ndjekje të mediave sociale, por paraqet shumë shqetësime përsa i përket sigurisë, pasi ju kurrë nuk e dini se kush mund të aksesojë fotot dhe videot e fëmijës tuaj, kush mund të dërgojë mesazhe apo të bëjë komente të padëshiruara. Për të adresuar këto shqetësime, Instagram ka implementuar një teknologji të re për të ndaluar llogaritë që shfaqin “sjellje potencialisht të dyshimta” nga bashkëveprimi me llogaritë e të rinjve. “Duke përdorur këtë teknologji, ne nuk do t’u shfaqim këtyre të rriturve llogaritë e të rinjve në Explore, Reels ose ‘Accounts Suggested For You’,” thotë Instagram në një përditësim. “Nëse i gjejnë llogaritë e të rinjve duke kërkuar përkatësisht në emrat e tyre të përdoruesit, nuk do të jenë në gjendje t’i ndjekin ato.”
Gjithashtu rrjeti social ka një veçori që “pengon të rriturit të dërgojnë mesazhe te personat nën 18 vjeç që nuk i ndjekin”, sipas kompanisë.
Përdoruesit e Instagram shpesh përpiqen për perfeksionin
Instagram drejtohet nga “like”, të cilat shpejt mund ta shndërrojnë platformën në një garë popullariteti. Kjo mund të ndikojë në vetëvlerësimin e fëmijës, të kontribuojë në ankth dhe të ndezë ndjenjat e zilisë. Për më tepër, fëmijët përpiqen të provojnë sfida të rrezikshme ose të pozojnë me veshje të papërshtatshme.
Të rinjtë gjithashtu mund ta kenë të vështirë të kuptojnë se jo gjithçka që shohin në Instagram është e vërtetë. Filtrat dhe redaktimi i fotove mund të ndryshojnë pamjen e një personi, gjë që mund të krijojë një dëshirë për përsosmëri të paarritshme. Gjithashtu mund të ndikojë në vetëbesimin e një fëmije dhe t’i bëjë ata të fiksuar pas imazhit të trupit. Disa hashtags (të tilla si #thighgap ose #skinnyinspiration) gjithashtu ndikojnë negativisht në imazhin e vetes.
Fëmijët mund të hasin në përmbajtje të papërshtatshme
Sapo hapet aplikacioni i Instagram shohim foto dhe video nga njerëzit që ndjekim. Fëmijët gjithashtu mund të lundrojnë në funksionin Explore, i cili rregullon në mënyrë algoritmike përmbajtjen publike bazuar në interesat dhe ndërveprimet e fëmijës suaj. Ata gjithashtu mund të kërkojnë fotografi duke përdorur “hashtags” (kategori për tema të veçanta). Për shkak të natyrës së aplikacionit, fëmijët mund të ndeshen me njerëz që marrin pjesë në lojëra dhe sfida të rrezikshme, pikëpamje paragjykuese ose raciste, përdorim substancash, fotografi të dhunshme, video seksuale dhe përmbajtje të tjera të papërshtatshme. Fëmijët mund t’i shikojnë këto postime publike edhe nëse llogaria e tyre është private.
Ngacmimi kibernetik ndodh edhe në Instagram
Ashtu si me çdo formë të mediave sociale, disa përdorues raportojnë ngacmim kibernetik. Autorët mund të jenë miq të një përdoruesi ose të huaj të rastit (nëse kanë një llogari publike). Ngacmimi kibernetik është relativisht i zakonshëm, një sondazh i Marsit 2019 nga Qendra Kërkimore Cyberbullying zbuloi se 36.5% e të anketuarve kanë përjetuar ngacmim kibernetik në një moment të jetës së tyre. Ngacmimi kibernetik është i lidhur me shqetësimin emocional, dhunën ose rënien në mësime, depresionin dhe më shumë.
Mediat sociale ndikojnë në shëndetin mendor
Një studim i fundit zbuloi se adoleshentët që kalojnë më shumë kohë në ekranet e tyre kanë më shumë gjasa të raportojnë simptoma depresive dhe sjellje vetëvrasëse. Instagram gjithashtu është i lidhur me ankthin, vetminë dhe një “frikë nga humbja e gjërave” (FOMO). Nëse fëmijët tuaj nuk kanë një filtrim të përmbajtjes, ata potencialisht mund të hasin në fotografi ose video që janë shumë personale ose sensitive, madje edhe ato që promovojnë dëmtimin e vetëvetes ose çrregullimet e të ngrënit.
Si prindërit mund të mbrojnë fëmijët e tyre?
Flisni hapur me fëmijët tuaj për Instagram-in
“Unë i inkurajoj prindërit të bëjnë biseda të hapura dhe autentike me fëmijët e tyre me qëllim që të mësojnë më shumë rreth këndvështrimit të tyre mbi rrjetet sociale,” thotë Janis Whitlock, drejtoreshë e Programit Kërkimor Cornell. “Komunikimi pozitiv në lidhje me këto çështje mund të çojë në një bisedë më të thellë me ta nëse fëmijët e tyre janë të shqetësuar për diçka që ata kanë parë ose përjetuar në lidhje me përdorimin e mediave sociale.”
Njihuni edhe vetë me aplikacionin
Nëse ju si prindër dini të përdorni mirë instagramin, mund të monitoroni më mirë përdorimin e tij nga fëmija juaj. Merrni parasysh të krijoni llogarinë tuaj ose ta shikoni atë me fëmijën tuaj. Kjo gjithashtu do t’ju ndihmojë t’i përgjigjeni pyetjeve të fëmijës tuaj në lidhje me përmbajtjen, sigurinë dhe më shumë.
Përditësoni cilësimet e tyre të privatësisë
Ndryshe nga llogaritë publike, të cilat mund të shihen nga kushdo, llogaritë private janë të arritshme vetëm për ndjekësit. Vetëm përdoruesit e miratuar mund të shikojnë fotot dhe story-t. Ju lehtësisht mund të kaloni nga një llogari publike në një llogari private, dhe anasjelltas. Nëse një adoleshent zgjedh një llogari publike, Instagram do t’i dërgojë njoftime që flasin për përfitimet e një llogarie private, të cilat mund t’i inkurajojnë ata të kalojnë në llogari private.
Përdoruesit, madje edhe ata që kanë një llogari private, mund të jenë edhe më selektivë me atë që ndërvepron me ta. Ata mund të krijojnë një listë duke përdorur funksionin “Close Friends”. Njerëzit në këtë listë do të jenë të vetmit që do të lejohen të shikojnë story-t e tyre në Instagram.
Bllokoni ndërveprimet e padëshiruara
Në Instagram ju mund të bëni bllok çdo person që nuk dëshironi të ndërveproni me të dhe ai të mos shikojë asnjë përmbajtje të llogarisë tuaj. Ky person nuk do të njoftohet kurrë që ju i keni bërë bllok.
Gjithashtu nëse fëmija juaj nuk dëshiron t’i bëjë bllok dikujt, por nuk është i interesuar të ndërveprojë me atë person, ai thjesht mund t’i bëjë mute llogarisë. Duke prekur simbolin e tre-pikëshit në cepin e njërit prej postimeve të atij personi, ata mund të zgjedhin nëse do të bëjnë mute postimet, story-t e tij. Përsëri, ai person nuk do të njoftohet kurrë për këtë.
Përdoruesit në instagram mund të zgjedhin se kë të lejojnë të komentojë nëpër postime.
Për më tepër, ata mund të kontrollojnë se kush mund të shpërndajë postimet e tyre dhe kush mund t’i ruajë ato. Fëmija juaj gjithashtu mund të çaktivizojë opsionin online kështu që askush nuk e sheh nëse është aktualisht online apo ta shikojë herën e fundit që kanë qenë online.
Vendosni filtra për të bllokuar përmbajtjen e padëshiruar
Instagram ka më shumë karakteristika për të parandaluar ngacmimin dhe ndërveprimet e tjera negative. Filtrat e integruar mund të heqin automatikisht fjalë dhe fraza fyese dhe përdoruesit gjithashtu mund të krijojnë filtrat e tyre të personalizuar. Ata madje mund të bllokojnë emoji që nuk duan t’i shohin në pjesën e komenteve.
Kufizoni kohën para ekranit
Instagram u lejon përdoruesve të shohin sa kohë shpenzojnë në aplikacion. Prindërit mund ta rishikojnë këtë informacion me fëmijën e tyre dhe të caktojnë një afat kohor ditor. Për shembull, ata mund të vendosin një reminder për të ndaluar përdorimin e Instagram për më shumë se 30 minuta në ditë. Si një alternativë, përdoruesit e Instagram mund të çaktivizojnë njoftimet.
Përdoruesit e Instagram mund të etiketojnë vendndodhjen e tyre sa herë që postojnë përmbajtje. Flisni me adoleshentin tuaj në lidhje me cilësimet e vendndodhjes. Ju mund t’i lejoni atyre të postojnë vendndodhjen e përgjithshme (si qytetet ose shtetet) dhe jo vende të veçanta (si emrat e restoranteve ose rrugëve). Ju gjithashtu duhet t’i thoni fëmijës tuaj që të shmangë fotot para vendndodhjeve të njohura, të tilla si jashtë lokalit të tyre të preferuar, pasi njerëzit lehtë mund ta gjurmojnë atë.
Inkurajoni fëmijët të raportojnë ngacmimet
Herë pas here, përdoruesit e Instagram hasin në një fotografi ose komente të pakëndshme ose të padëshiruara. Lejoni adoleshentin tuaj nëse vëren një llogari, foto, video, koment, mesazh ose histori që ka për qëllim të ngacmojë dikë, ta raportojë atë.
Merrni parasysh instalimin e një aplikacioni të palëve të treta
Disa aplikacione të palëve të treta e bëjnë më të lehtë kontrollin e përdorimit të mediave sociale të fëmijës suaj. Për shembull, Bark mund të gjurmojë bisedat në Instagram, të kufizojë kohën e ekranit, të zbulojë rreziqet e mundshme të sigurisë, etj.
Si po i trajton Instagram problematikat e sigurisë?
Fëmijët nën 13 vjeç nuk lejohen të përdorin Instagram pa pëlqimin e verifikueshëm të prindërve, sipas Aktit të Mbrojtjes së Privatësisë në Internet të Fëmijëve. Dhe Instagram tani po e bën të detyrueshme të kërkojë datën e lindjes së një përdoruesi kur regjistrohet. Ata kohët e fundit kanë integruar përdorimin e inteligjencës artificiale dhe teknologjisë së machine learning për të ndihmuar në kuptimin e moshës reale të përdoruesve të tyre (sepse njerëzit ndonjëherë gënjejnë për datën e tyre të lindjes). Aplikacioni ka zbatuar shumë karakteristika të sigurisë gjatë viteve për t’i mbajtur përdoruesit e tyre të vegjël të sigurtë.