John Green mbi sëmundjen, empatinë dhe mënyrën si shpesh dështojmë të shohim njëri-tjetrin.
Përgjatë historisë, sëmundjet mendore dhe fizike janë moralizuar dhe përdorur kundër individëve të cenueshëm. Në fakt, mënyra se si shoqëria e kupton një sëmundje ndikon drejtpërdrejt në trajtimin e saj, stigmat që lidhen me të dhe nivelin e dhembshurisë ndaj të prekurve. Shëndeti nuk është thjesht çështje biologjie – ai pasqyron sisteme shoqërore, përparësi dhe pushtet.
John Green, i njohur në mbarë botën për videot informuese “Crash Course”, së fundmi ka botuar librin Everything Is Tuberculosis: The History and Persistence of Our Deadliest Infection. Edhe pse në pamje të parë duket si një vështrim historik mbi një sëmundje të lashtë bakteriale, libri shkon përtej: është një reflektim i thellë mbi natyrën njerëzore, mënyrën si kuptojmë vuajtjen dhe përgjigjen tonë ndaj saj.
Si ndikojnë shpjegimet në trajtim
Green thekson se shpjegimet që i japim sëmundjeve ndikojnë në mënyrën si i trajtojmë ato. Në të kaluarën, tuberkulozi është lidhur me mëkatin seksual apo posedimin nga djajtë – teori që jo vetëm ishin të gabuara, por edhe çuan në trajtime çnjerëzore dhe margjinalizim të të prekurve. Me përparimin shkencor dhe zbulimin se shkaktari është një infeksion bakterial, ndryshoi edhe trajtimi: kërkimi për kura të efektshme dhe përpjekja për të kuptuar më mirë sëmundjen.
Ky ndryshim në kuptim vërehet edhe te trajtimi i çrregullimeve mendore, si skizofrenia apo varësia. Ndërsa shpjegimet biologjike kanë sjellë trajtime më efektive dhe shtim të dhembshurisë, stigmat ende mbeten. Psikologët theksojnë se duhet të largohemi nga ideja se vullneti i individit është gjithçka që nevojitet për të përballuar varësinë apo çrregullime të tjera. Këto nuk janë dështime personale, por pasqyra e një realiteti shumë më kompleks.
Pse i fajësojmë të sëmurët?
Një nga arsyet që Green përmend është dëshira për të ndier kontroll mbi jetën. Nëse besojmë se bota është e drejtë, na vjen më lehtë të fajësojmë viktimën për vuajtjet e saj – një mënyrë psikologjike për të ruajtur ndjenjën e rendit dhe sigurisë. Kjo na lejon të besojmë se gjërat e këqija nuk do të na ndodhin neve, nëse bëjmë “zgjedhjet e duhura”.
Shëndeti si konstrukt shoqëror
Green tregon se edhe koncepti i shëndetit nuk është gjithmonë objektiv. Në disa rrethana historike, tuberkulozi është idealizuar: pamja e dobët, sytë e thelluar dhe lëkura e zbehtë janë konsideruar të bukura. Ndërkohë, në komunitetet e margjinalizuara, sëmundja është neglizhuar, duke përforcuar dallimet racore dhe sociale.
Shembuj të tjerë të përdorimit të gabuar të diagnozës për qëllime shtypjeje përfshijnë rastin e Elizabeth Packard, e cila në vitin 1860 u mbyll në një spital psikiatrik nga bashkëshorti i saj për shkak të mospajtimeve fetare. Gratë, ndryshe nga burrat, mund të hospitalizoheshin pa asnjë proces ligjor, vetëm me dëshminë e burrit të tyre.
Sistemet mbi individin
Green ngre pyetjen: pse problemet sistemike i trajtojmë si dështime personale? Ai përshkruan raste të pacientëve me tuberkuloz që kanë ndalur mjekimin jo nga pakujdesia, por sepse nuk kishin ushqim për ta marrë ilaçin pa shkaktuar dhimbje. Megjithatë, në sistemin shëndetësor, këta individë shpesh etiketohen si “jo bashkëpunues”.
Ai nënvizon se vendimet politike, sistemi ekonomik dhe mbështetja sociale ndikojnë më shumë në shëndetin tonë sesa zgjedhjet individuale.
Kostoja e mosveprimit
Edhe pse ekzistojnë trajtime efikase për tuberkulozin, ai mbetet sëmundja infektive më vdekjeprurëse në botë. Sipas Green, kjo është pasojë e stigmës, interesave të industrisë farmaceutike dhe neglizhencës së politikave publike. Ndërsa fondet për kujdesin shëndetësor mendor dhe mbështetjen sociale shkurtohen, vazhdojmë të përsërisim gabimet e së kaluarës.
Në përfundim, Everything Is Tuberculosis nuk është thjesht një histori për një sëmundje të lashtë, por një thirrje për të parë njëri-tjetrin me më shumë dhembshuri – jo si raste, por si njerëz që meritojnë jetë të dinjitetshme.
Ky artikull është përshtatur nga shkrimi i Veronika Tait, Ph.D., i botuar në Psychology Today:
Why We Blame the Sick