Me rritjen e përdorimit të TikTok-ut dhe algoritmave që ndryshojnë vazhdimisht, mundësia që dikush të bëhet viral është më e madhe se kurrë. Qoftë një postim i menduar mirë për të marrë shikime apo një video e thjeshtë që përhapet rastësisht, virali në rrjet mund të jetë njëkohësisht emocionues dhe shqetësues. Si prind në kohët moderne, është e vështirë të dish si të reagosh përballë kësaj situate shumë të veçantë.
“Çdokush mund të bëhet viral sot, qoftë nga një postim i vet apo nga ndonjë postim tjetër,” shpjegon Steffi Cao, gazetare që analizon kulturën e brezit Z. Kur një postim bëhet viral, ai përhapet shumë shpejt brenda pak orëve dhe merr shumë reagime. Kjo mund t’i ndodhë kujtdo, në çdo moment – dhe nëse llogaria e fëmijës suaj nuk është private, videot e tyre mund të shihen nga miliona njerëz në mbarë botën.
Duke qenë se nuk ekziston një manual për prindërit mbi mediat sociale, është e kuptueshme që shumë prindër nuk e dinë si të veprojnë kur fëmija i tyre bëhet i famshëm në rrjet. Shumë të rinj nuk janë emocionalisht të përgatitur për këtë gjë.
Emocionet që vijnë me famën e papritur
Fillimisht, adoleshentët mund të ndihen të lumtur apo krenarë, por sipas psikologes për fëmijë Dr. Tamara Soles, kjo famë mund të sjellë edhe ankth, ndjesi turpi apo stres.
“Bërja virale mund të duket si diçka emocionuese, por vendos një vëmendje të madhe mbi adoleshentët – një gjë që edhe të rriturit e kanë të vështirë ta përballojnë,” shpjegon ajo. Në fillim, pëlqimet dhe komentet mund të japin ndjesi të mira, por mund të kthehen në burim shqetësimi, sidomos nëse komentet bëhen negative.
Fama e papritur mund të shkaktojë probleme me gjumin, ankth, varësi nga telefoni apo edhe depresion. Disa adoleshentë ndihen të humbur dhe ndihen të detyruar të vazhdojnë të postojnë për të ruajtur famën e tyre.
Rreziqet e të qenit viral
Përveç stresit emocional, Steffi Cao thekson edhe rreziqe të tjera si ngacmimet online, publikimi i të dhënave personale (doxxing), fyerjet masive apo urrejtja në rrjet. Ajo përmend gjithashtu faktin që çdo gjë që ndodh online mund të mbetet si gjurmë dixhitale dhe të përdoret për qëllime të ndryshme, përfshirë teknologjitë e reja si inteligjenca artificiale.
Një tjetër rrezik është varësia nga rrjetet sociale, ku adoleshenti kontrollon pafundësisht komentet dhe reagimet për të marrë ndjesinë e “dopaminës” – ndjesinë e kënaqësisë së shpejtë që këto aplikacione krijojnë.
Si të ndihmoni fëmijën tuaj
Nëse fëmija juaj dëshiron ta vazhdojë këtë vëmendje, psikologia Dr. Soles sugjeron të ndihmoni fëmijën të dalë nga mendësia e kënaqësisë së menjëhershme.
Ajo këshillon që së bashku me fëmijën të krijoni një plan sigurie dixhitale, që mund të përfshijë:
- Mosleximi i komenteve
- Të caktoni dikë që të fshijë komentet negative
- Të fikni komentet fare
- Ta ktheni llogarinë në private
- Të kufizoni kohën që kalon në telefon
“Është shumë e rëndësishme t’i thoni që nuk ka asgjë të keqe të bëjë një hap pas. Rutinat e përditshme ndihmojnë shumë, dhe duhet ta ndihmoni të shprehë ndjenjat që ka,” shton Dr. Soles.
Ana pozitive e famës në internet
Sigurisht, ka edhe disa mundësi pozitive. Fama e papritur mund të shfrytëzohet për të ndihmuar ndonjë kauzë, për të rritur vetëbesimin, për të gjetur mundësi krijuese apo edhe për të lidhur miqësi të reja me persona që kanë interesa të përbashkëta.
Disa adoleshentë e përdorin këtë famë si mundësi për t’u bërë influencerë, për të marrë dhurata nga kompani apo thjesht për të treguar arritjet te shokët.
Çfarë të bëni nëse fëmija juaj po ngacmohet online
Nëse fëmija juaj përballet me ngacmime apo komente urrejtjeje, Dr. Soles rekomandon të:
- Ruani provat (screenshot-e)
- Raportoni komentuesit në platformë
- Bllokoni personat që shkruajnë fyerje
Në raste të rënda, mund të kontaktoni edhe shkollën ose policinë. Steffi Cao shton se fshirja e llogarisë ose kalimi në privat ndihmon në mbrojtjen e të dhënave dhe shmang mesazhet nga të panjohur.
Një nga mënyrat më të thjeshta për të shmangur situatat e pakëndshme është të dilni nga rrjetet sociale për pak kohë. “Edhe pse interneti është pjesë e jetës sonë të përditshme, sërish kemi të drejtën të shkëputemi kur duam,” thotë Cao.
Kur duhet kërkuar ndihmë nga një profesionist?
Çdo adoleshent reagon ndryshe ndaj famës. Por si prind, duhet të shihni me kujdes ndryshimet në sjellje si:
- Probleme me gjumin
- Ndryshime në oreks
- Ndryshime në humor
- Mospëlqim për të dalë jashtë apo për të shkuar në shkollë
Nëse vini re ndonjë nga këto, mos prisni që situata të përkeqësohet. Kërkoni ndihmë nga një psikolog menjëherë. “Mos e lini që gjërat të bëhen më keq,” përfundon Dr. Soles.