Pse po bëhen biberonët një trend i ri viral mes të rriturve?
Biberon. Soother. Dummy. Thithkë. Quajeni si të doni, por këta zëvendësues gome, plastike apo silikoni, që dikur përdoreshin vetëm nga foshnjat, po rikthehen fuqishëm. Vetëm se këtë herë nuk janë për fëmijë, por për të rritur.
Trendi më i fundit që po shpërthen në rrjetet sociale është përdorimi i biberonëve për të rritur dhe përpara se të shpërtheni me ironi se njerëzimi po “kthehet mbrapsht”, vlen të theksohet se kjo prirje lidhet me diçka më serioze sesa një modë e çastit apo një tekë për vëmendje.
Gjithçka nisi në Kinë, ku të rritur të stresuar nisën të ndanin online se po përdornin biberonë për të lehtësuar ankthin e përditshëm. Në fillim të gushtit, “South China Morning Post” raportoi se të rriturit po shpenzonin deri në 60 euro për biberonë të posaçëm për të rritur – më të mëdhenj se ata të zakonshmit për fëmijë dhe disa tregtarë pretendonin se shisnin mbi 2,000 copë në muaj. Platformat e-commerce si Taobao dhe JD.com kanë parë një rritje të madhe të listimeve për këtë produkt.
Ashtu si fenomeni “Labubu”, edhe ky trend i pazakontë ka kaluar kufijtë, duke u përhapur në Europë dhe SHBA. Përdorues të shumtë në internet i përshkruajnë biberonët për të rritur si “qetësues” dhe “të sigurt”. Madje disa pretendojnë se po i ndihmojnë me probleme si apnea e gjumit. Në TikTok, videot e të rriturve që përdorin biberonë në situata stresi – përpara mbledhjeve të punës, në trafik, pas lajmeve të zymta po shpërndahen me shpejtësi.
Duke marrë parasysh kostot gjithnjë e më të larta të terapisë apo edhe të cigareve, shumë përdorues e justifikojnë këtë “mjet qetësimi”. Disa e shohin madje si një mënyrë për të lënë duhanin.
Por çfarë thonë ekspertët?
Paralajmërimet e mjekëve
Stomatologu Tang Caomin nga Chengdu, provinca Sichuan, paralajmëroi se përdorimi i biberonit gjatë gjumit mund të ndërhyjë në frymëmarrje dhe, në rastet më të këqija, të rrezikojë mbytjen. Ai shtoi se përdorimi i zgjatur mund të shkaktojë probleme orale, si shtrembërime të dhëmbëve, lodhje të nofullës dhe infeksione.
“Dëmet e mundshme në gojë minimizohen qëllimisht nga shitësit. Nëse thithni biberonin për më shumë se tre orë në ditë, pas një viti mund të ndryshojë pozicioni i dhëmbëve tuaj,” tha Dr. Tang për SCMP.
Edhe Federata Franceze e Ortodontisë (FFO) ka reaguar, duke theksuar se përfitimet e pretenduara si reduktimi i stresit apo ndihma për lënien e duhanit nuk mbështeten nga prova shkencore, por janë vetëm efekte placebo.
“Është thjesht absurde, dhe këtë e them pa asnjë gjykim moral. Rrjetet sociale janë plot me rekomandime të ekzagjeruara dhe ky është rreziku i tyre më i madh,” tha për “L’Express” Dr. David Couchat, zëdhënës i FFO.
Shumë organizata shëndetësore u kanë bërë thirrje përdoruesve që të konsultohen me profesionistë në vend të mbështeten te biberonët si zgjidhje të përkohshme. Psikologët paralajmërojnë se përdorimi i tyre mund të maskojë problemet e vërteta të ankthit, duke shtyrë individët të shmangin përballjen me shkaqet reale të stresit.
Këndi psikologjik
Fenomeni lidhet me një mekanizëm të njohur mbrojtës në psikologji: regresionin. Ky përkufizohet si kthimi tek sjellje të një faze më të hershme të zhvillimit, në këtë rast, tek ndjesia e sigurisë së fëmijërisë.
Sipas teorive freudiane, ky sjellje lidhet me fiksimin oral pra përqendrimin tek aktivitete që përfshijnë gojën, si thithja apo përtypja shpesh si pasojë e konflikteve të pazgjidhura në zhvillimin e hershëm.
Debati vazhdon
Megjithatë, pavarësisht paralajmërimeve, shumë përdorues në rrjete sociale mbeten mbështetës të fortë të trendit. Disa pretendojnë se kanë përdorur biberon për vite pa pasoja negative, ndërsa të tjerë thonë se i ndihmon edhe me çrregullime si ADHD.
Sigurisht, ekzistojnë strategji më të shëndetshme për menaxhimin e stresit. Por, siç thonë edhe vetë përdoruesit, nëse kjo mënyrë ndihmon për të kaluar ditën, pse jo?
Në fund të fundit, pyetja mbetet: a po dëmton dikë një i rritur që zgjedh të përdorë biberon? Për shumëkënd, kjo është një shenjë e brishtësisë emocionale në rritje, por edhe një tregues se stresi i përditshëm po kërkon gjithnjë forma të reja për t’u menaxhuar.