Në shkollat publike kjo është dita e parë e shkollës.

Është njëkohësisht viti i dytë që fëmijët nisen drejt shkollave me maska. Ndërkohë, në pranverën e vitit 2020 mundësia më e madhe ishte dalja në ballkon.

Pandemia na ka sfiduar të gjithëve. Të rriturit, institucionet, i ka vënë në një provë të madhe. Të vegjlit i ka kufizuar, për shkak të kufizimeve të përgjithshme, por edhe për shkak të ndonje mos organizimi të duhur apo pamundësie organizimi nga ana e të rriturve.

Në Tiranë, fatkeqësisht ka shkolla me 4 turne, ku fëmijë të klasave të treta dhe të katërta u duhet ta nisin mësimin pas orës 15:00. Në pasdite, është shpenzuar pjesa më e mire e energjive të fëmijës dhe përqëndrimi ka rënë në mënyrë të theksuar.

Të dashur fëmijë!

Kjo letër ju drejtohet juve.

Mos e humbni dëshirën dhe pasionin për mësim e lojë. Madje ushqejeni atë çdo ditë. Pikërisht kur na u cënua më shumë e kuptuam se shëndeti mendor është i rëndësishëm. Ne si prindër e mësues jemi të shqetësuar nëse ju po merrni më të mirën nga shkolla. Por, ndërkohë prindërit, mësuesit dhe edukatorët po synojnë të kenë më shumë vëmendje tek ju. Sigurisht, që ju rëndon shumë fakti se disa shkolla kanë 4 turne mësim. Mësuesit po bëjnë punë dyfishe me klasat e ndara, pikërisht që ju të mos prekeni nga virusi e të mos sëmuren as familjarët tuaj.

Kjo është një kohë që do të kalojë dhe ne jemi me fat në një vend me diell si Shqipëria, ndaj mësoni dhe pastaj luani. Nuk ka si shoqëria, ajo e shkollës, e lagjes, e qendrave pas shkolle, e klubeve sportive, e ditëlindjeve (të vogla) e takimeve me kushërinjtë.

Duke shpresuar që cdonjëri nga ju mundi të shkojë sot në shkollë i pëërgatitur për të mësuar, dhe jo vetëm i veshur bukur, ju urojmë shumë suksese! Pas pushimeve të gjata, është koha për t’u zhytur në libra, për t’u angazhuar në kurse të ndryshme, në mënyrë që të mos humbasim asnjë mundësi, pavarësisht pengesave.