Përrallë për fëmijët që janë në rrugën drejt kontrollit të urinimit
Nga Lira Gjika, pediatre

Ani, 3 vjeç, sapo u zgjua në mëngjes nga gjumi, kontrolloi veten. Prapë ishte lagur. U mërzit aq shumë dhe filloi të qajë. Menjëherë erdhi mami dhe e pyeti:
– Po qan se je lagur?
– Mos u mërzit, – vazhdoi mami, – po të tregoj përrallën e trurit dhe fshikëzës së urinës, apo “qeses së çiçit”.

Truri drejton çdo proces në trupin e njeriut. Ai e realizon këtë kontroll nëpërmjet postierëve të shumtë që ka në dispozicion. Ata shkojnë në çdo cep të trupit duke çuar komanda. Një postier punon vetëm për vezikën urinare, apo “qesen e çiçit”.

Kur njeriu është i vogël, si ti Ani, edhe postieri është i ri dhe nuk mund të ecë shpejt, sepse nuk e di mirë rrugën. Kështu, komanda që i dërgon truri “qeses së çiçit” arrin me vonesë në destinacion.

Pas moshës tre vjeç, postieri fillon edhe bëhet më i shpejtë e më i zoti, e njeh mirë rrugën dhe blen edhe një makinë. Kështu, e dërgon më shpejt komandën dhe “qesja” nuk e hap “derën” para kohe – fiton kontroll.

Natën truri nuk fle, por punon edhe më shumë dhe i çon vazhdimisht komanda “qeses së çiçit” që të mos e hapë derën pa dëgjuar zilen e postierit. Por “qesja” qëllon gjumashe dhe nuk e dëgjon zilen kur vjen postieri. Prandaj urinojmë pa e kuptuar, siç të ndodh ty, Ani.

Atëherë truri vendos dy roje dhe u ngarkon detyrën që të zgjojnë “qesen” kur i bie ziles postieri, që ta hapë derën në kohën e duhur. Por ndodh që edhe rojet, duke mos qenë akoma profesionistë të mirë, i zë gjumi.

Por me kalimin e kohës ata të gjithë rriten së bashku – rojet, postieri, “qesja” dhe fëmija – edhe bëhen shumë të zotë, siç po përpiqesh ti, Ani, të bëhesh. Dhe do ja dalësh shumë shpejt.

Përfundoi përrallën mami, duke përkëdhelur kokën e Anit, që tashmë ishte qetësuar.

Shënim për prindërit

Kjo përrallë është një mënyrë e dashur dhe përfshirëse për t’i ndihmuar fëmijët të kuptojnë se procesi i kontrollit urinar kërkon kohë, dhe se nuk ka asgjë për t’u turpëruar. Me durim, mbështetje dhe dashuri, çdo fëmijë do ta arrijë këtë hap të rëndësishëm të zhvillimit.