Ndonjëherë jeta na përball me situata që na marrin përpara sëmuremi pak para një afati të rëndësishëm, dështojmë në një projekt për të cilin jemi përgatitur me muaj, ose diçka shkon krejtësisht jashtë kontrollit tonë. Dhe kur kjo ndodh, ndjenjat shpesh e marrin komandën: stresi na shkund nga themelet, ankthi rritet dhe humbim përqendrimin.

Por, sipas neuroshkencëtares dhe autores së librit bestseller Tiny Experiments, Anne-Laure Le Cunff, ekziston një mjet shumë i thjeshtë, por jashtëzakonisht i fuqishëm, që mund të ndihmojë në situata të tilla.

Ajo e quan këtë metodë “kaskada e pasojave”, dhe qëndron mbi një frazë prej vetëm dy fjalësh:
“Po pastaj?”
(anglisht: So what?)

Si funksionon rregulli “Po pastaj?”

Sa herë që diçka shkon keq, Le Cunff sugjeron ta përdorim këtë frazë për të analizuar pasojat një nga një, derisa të zbulojmë nëse situata është me të vërtetë aq e rëndë sa duket apo thjesht po reagojmë me ankth të tepërt.

Le ta shohim me një shembull:

Situata: Jeni duke organizuar një aktivitet dhe, tre orë para fillimit, kuptoni që shërbimi i ushqimit nuk do vijë dot.

  • Po pastaj? Nuk ka ushqim për të ftuarit.
  • Po pastaj? Do jenë të uritur dhe ndoshta të pakënaqur.
  • Po pastaj? Duhet të gjejmë një zgjidhje. Mund të porosisim ushqim tjetër, edhe nëse nuk është aq cilësor.
  • Po pastaj? Nuk do jetë siç ishte planifikuar, por është më mirë sesa asgjë.

Rezultati? Situata është e menaxhueshme. Nuk është fundi i botës.

Pse kjo ndihmon për të ulur ankthin?

Sepse kur ndodh diçka stresuese, mendja ka prirjen ta zmadhojë problemin. Por kur nisim t’i analizojmë pasojat një nga një, shumë herë zbulojmë se në fund të kaskadës, përgjigjja është:
“Po pastaj? Asgjë e rëndë.”

Le Cunff e përjetoi këtë personalisht para disa javësh. Ajo ishte e ftuar të mbante një fjalim në një kompani të madhe teknologjie, por u sëmur dhe nuk arriti të dërgonte prezantimin me kohë. Fillimisht, filloi të panikosej:
“Do mendojnë që jam e papërgjegjshme, do më kritikojnë, gjithçka do shkojë keq.”

Por kur filloi të zbërthente pasojat me frazën “po pastaj?”, arriti në përfundimin:
“Slidet do jenë me pak ditë vonesë. Është në rregull. Askush nuk do vuajë prej kësaj.”

Çfarë mëson kjo teknikë?

  • Të fokusohesh tek ajo që mund të kontrollosh
  • Të dalësh nga paraliza që shkakton stresi
  • Të dallosh kur një problem është i vërtetë dhe kur thjesht po e zmadhojmë me mendje
  • Të kuptosh që shpesh, ajo që duket dramatike, nuk është edhe aq serioze

Pra, herën tjetër që ndiheni të mbingarkuar, ndaloni për një moment. Pyesni veten: “Po pastaj?” dhe vazhdoni derisa të arrini në një zgjidhje, ose në kuptimin që nuk ja vlen të shqetësoheni.

Është një ushtrim i thjeshtë, por me ndikim të madh në mirëqenien emocionale. Dhe mbi të gjitha, ju mëson të menaxhoni më mirë veten në momente tensioni diçka që secili prej nesh ka nevojë.

INC