Jeni ndjerë të pashpresë? Nuk dinit cili ishte hapi i rradhës për t’u marrë? Sa herë keni zënë kokën me duar para frigoriferit? Epo, të dashur prindër, nuk jeni vetëm dhe për t’ju vërtetuar këtë, po ju sjellim pikëpamjen e një prindi, si ju!
Nuk e mohoj dot. Një pjesë e madhe e ekspertëve që më kishin këshilluar ishin praktikisht ‘kriminelë prindërimi’ në sytë e mi. I injoroja.
Megjithatë, shumë të tjerë më bënin të mendoja që po më orientonin në rrugën e duhur. Të edukuar. Të mirëinformuar. Diçka që mesa dukej, më nevojitet për të arritur vërtetë suksesin në prindërim.
Dhe, epo… Pas 19 vitesh në këtë skenë, nuk ka këshillë prindërimi apo eksperti që të përgatit për atë që të pret. Sado të aftë, nuk i njihinin fëmijet e mi.
Fëmijët e mi nuk përcaktoheshin dot me etiketimet e librave që më ishin dhënë dhe isha pothuajse e bindur që nuk dija si të rrisja një fëmijë që i kishte mbijetuar kancerit dhe vetëvrasjes së njërit prind.
E çfarë libri të lexoja unë mbi këtë?
Çfarë eksperti të takoja — megjithëse, të them të drejtën e kishim gjetur një specialist në fushën e fëmijëve që kalojnë traumën e një prindi vetëvrasës. Në fund të fundit, unë nuk kam reshtur kurrë së kërkuari ndihmë efektive.
Fillimi i gjimnazit të tim biri përkoi me shpërnguljen në një shtet tërësisht të ri, si për të dhe për mua, shtoi kësaj edhe 4 fëmijë të rinj në familje nga ana e njerkut, tre prej të cilëve ishin më të rritur se ai. Njeh njeri ti? As unë!
E gjitha ishte e papërtypshme.
Veji kapakun kësaj me koordinatoren e shkollës, e cila më telefonon një ditë të bukur për të më treguar se si “në dhjetë vitet e saj në arsim nuk kishte hasur një fëmijë me histori kaq “të komplikuar” edukimi. Oh, po faleminderit shumë për vëzhgimin e nderuar koordinatore! Tani, po nuk e pate problem, më shkruaj pak planin e tij të 500-të ngjitur me atë të neuropsikologes, pra, nën rekomandimet mbi kimioterapinë dhe traumat shtoji këtë historinë e komplikuar të edukimit. Mirë? Faleminderit!
Viti i parë filloi mbarë. Si fëmija i një fizikanti dhe një mamaje gjithmonë në kërkim të dijes, nuk e kishte të vështirë t’i vidhte dhjetat nga mësuesja gjatë gjithë semestrit të parë.
Derisa na njohu një gocë.
Njohu një vajzë nga turma e gabuar, të cilën mendonte se mund ta shpëtonte. Dhe im bir, zemërbuti dedikoi çdo pjesë të ekzistencës së tij në arritjen e këtij qëllimi. Nuk i piu ujë. Dhe as nuk i piu ujë në kalimin e provimeve gjatë semestrit të dytë.
Ishte shqetëuese. Gjimnazi është i rëndësishëm apo jo?
Djali duhet të shkojë në universitet. Duhet të krijojë një karrierë për veten. Ku shkon ai me këto nota?
Çdo qelizë e trurit tim po bërtiste. “ Ky është një moment i mirë për të kaluar në PANIK!”
Dhe, oh, ç’u panikosa se!
Vitin e dytë e kaloi në shtëpi, i dënuar. Ju mund të thoni, po si e dënove djalin e ëmbël që na përshkruajte pak më lart? Epo, ishte pak e vështirë të fokusesha në ëmbëlsinë e tij më tërë këtë sjellje toksise që po manifestonte lidhur me shkollën si dhe mungesën e lirisë për të pasur një jetë të tijën.
Çdo ekspert më çonte drejt përfundimit të thjeshtë; tregoji pasojat që veprimet e tij kanë. Merri celularin. Merri video lojërat. Merrja të gjitha! Do i thërrasë mendjes.
Por duhet ta kisha menduar më mirë vetë.
Po ky djalë i ëmbël na kishte vërtetuar se sa nuk u bindej kushteve që kur luftoi kancerin në moshën 3 vjeçare. Ky ishte fëmija që bindte spitalin dhe rrezatonte energji edhe në pikën më të dobët të vet.
Kështu që, asnjëri, e veçanërisht unë, nuk duhej të surprizohesha kur shikoja sesi ia ngulte sytë tavanit gjithë pasditen në vend që të bënte detyrat që do i kthenin mbrapsht privilegjet që i kisha hequr.
Po bëja çdo gjë të mundur që ekspertët më kishin këshilluar në mënyrë që të mos futesha në një luftë pushteti me tim bir dhe prapë, ai e kishte gjetur mënyrën e vet. Nuk do dorëzohej. Dhe nuk u dorëzua.
Patjetër, kisha momentet e mia të dobësisë. Mbrëmje ku e lejoja të shkonte kur përfundonte një projekt për në shkollë, për shembull. U bë shumë po shumë i aftë në përfundimin e detyrave në momentin e fundit dhe të kalonte provime me nota kaluese. Mësuesit e dinin që ishte i aftë.
Unë vetë e dija që ishte i aftë.
Të gjithë e kishim të qartë që nuk do ulte veten për të na bërë qejfin neve. Ky fëmijë, qartazi kishte për të bërë pikërisht atë që donte, kur të donte. Këtë e kuptoi më shpejt koordinatorja e shkollës sesa unë dhe e vuri në listën e fëmijëve që ‘’thjeshtë le të kalonin gjimnazin’’. Asnjëri nuk e mendonte si mundësi që ai të futej në universitet.
Mbaj mend veten zgjuar natën duke përsëritur të njëjtat pyetje prapë e prapë; si do shkojë kjo punë? Çfarë do ndodhë pas diplomimit, a thua të diplomohet njëherë? A do motivohet të hyjë në universitet ky djalë? Po punë do gjejë ndonjëherë? Do marrë ndonjëherë rrogë mbi minimalen? Si erdhëm këtu? A ishte faji im e gjitha? Çfarë kam bërë kështu? Po tani çfarë të bëj?
Jo vetëm më linin zgjuar natën, por më kaplonin ditën. Nuk kishte terapist, koordinator a mik të më tregonte një plan a t’u përgjigjej pikëpyetjeve mbi të ardhmen e tim biri.
Një ditë, më erdhi në majë të hundës.
Pse? Më kishte marrë malli për tim bir. Më kish marrë malli për të qeshurën e tij. Për kohërat e bukura dhe kujtimet që s’bënim më. Më mungonin miqtë e tij. Më mungonin edhe ato fotot qesharake që më niste darkave me shpresën të më bënte të qesh.
Nuk e planifikova fare këtë bisedë. Thjesht ndodhi. Dhe, për jetë të jetëve do jem e lumtur që kjo bisedë u bë.
Një ditë ulem dhe i them:
“Po të kthej çdo privilegj të mohuar.
Jo sepse e ke merituar, por sepse nuk dua ta shoh më këtë si një mënyrë për të të kontrolluar.
Nuk dua të të kontrolloj – edhe nëse është për të mirën tënde të kalosh vitin shkollor dhe të marrësh nota të mira.
Je tejmase inteligjent. Koeficienti yt i inteligjencës e tregon qartazi këtë.
Përsa kohë të kam njohur dhe dashur, ma ke treguar këtë.
Je tejmase i fortë, me gjithë ç’ke mbijetuar dhe vullnetin e humorin tënd dhe miqësitë që ke krijuar gjatë tërë këtij karuseli që jeta të ka venë para.
Je tejet i talentuar si në muzikë si në përballimin e krizave sociale.
Dhe e di që je i zgjuar mjaftueshëm për të kuptuar sa dyer vijon t’i mbyllësh vetes me neglizhimin tënd akademik.
E di që je i zgjuar mjaftueshëm sa për të kuptuar sa të vështirë do ia bësh jetën vetes nëse nuk arrin të mbyllësh gjimnazin.
E di që i di të gjitha këto. Dhe… “ Aty mora frymë thellë: Kam besim tek ty 100%.
E di që do e gjesh rrugën tënde.
Dhe, nga sot, je tërësisht i lirë ta gjesh në mënyrën tënde.
Nuk kam për të të pyetur më rreth detyrave.
Nuk kam për të venë presion mbi vitin shkollor.
Nuk do të të dënoj kur të mos dorëzosh detyrat në kohë.
Je i rritur mjaftueshëm sa t’i dish vetë pasojat që veprimet e tua do kenë në të ardhmen tënde.
Gjithë çka dua nga ty është të më tregosh çfarë ke ndërmend të bësh me jetën tënde në momentin që do mbushësh 18, sepse nuk ke për të jetuar nën këtë çati falas për të kaluar kohën para videolojërave për pjesën e mbetur të jetës tënde.
Ose do gjesh një punë për të marrë një shtëpi më vete o do bësh një plan për studimet universitare edhe nëse do të duhen vite për t’u përgatitur tamam.
Si mendon ti?”
Më dha një përqafim.
Më tha thjesht, “Faleminderit mami. Do bëj një plan.”
Dhe zonja dhe zotërinj, e qendisi fare atë plan.
Tani, mund të jetë edhe kjo, që falë valës së Covid, ia doli të diplomohej për fije të perit. Por, për mua kjo nuk ka shumë rëndësi tani. Mund edhe të ketë njohur një vajzë me mesatare më të lartë që e ka venë para një sfide me veten.
Dhe kështu, u regjistrua në orë parapërgatitore për degën që mendonte të ndiqte pas gjimnazit. E bëri të gjithën vetë. Pra, mblodhi firmat, përgatiti çdo shkresurinë dhe u mor me çdo detaj. E përsëris, vetë. I njëjti fëmijë, që për dy vite nuk bëri një detyrë të vetme spanjishteje, i bëri të gjitha këto. Pa pikën e ndërhyrjes nga ana ime.
Kishte një plan dhe po e vinte në jetë. E implementoi shumë mirë.
E teksa vinte në jetë këtë plan, nuk mungoi as në mbrëmje apo ceremoni, luajti në violinçelin e vet në skenë dhe me banda, zuri një punë part-time nga e cila na sillte në shtëpi 100 dollarë vetëm nga bakshishet. Dhe, ç’na ishte kjo punë? Punë në plazh. Tërë ditën.
Duke u mënjanuar, arrita të vë re që nuk kishte probleme në aftësitë e veta organizative. Ishte kontrolli i gjithëanshëm dhe ‘lufta për pushtet’ e shkollës që e zmbrapste.
Tani, një vit pas diplomimit, është goxha i lumtur me punën e tij pranë forcave të emergjencës. Po përdor dhuntinë e tij të të ruajturit qetësinë gjatë një krize, duke u lidhur me njerëzit dhe marrë vendime të shpejta në shpëtimin e jetëve. Gjatë një pandemie.
Biri im i dashur. Çfarë burri është bërë. Ka plane. Plane të mëdha. Planet e tij.
Ka një punë të faktastike. Të njëjtën të dashur të shkëlqyer. Dhe po, jemi mbështetësit më të mëdhenj të njëri-tjetrit, guxoj të them edhe shokë të mirë.
Herë pas here, kemi mosmarrëveshjet tona, më së shumti në lidhje me rrëmujën e vërtetë që një 19 vjeçar është i aftë të krijojë gjatë kohës së vet të lirë apo grindjet e kota me vëllezërit më të vegjël në lidhje me videolojërat. Por, me të vërtetë, jam shumë krenare për të.
Nuk mendoj se ajo që na mungonte ishte një ekspert. Mendoj se duhet të mësoja të besoja.
Kisha nevojë të mësoja të besoja në rradhë të parë tek vetvetja si mama. Të ndaloja së menduari që kishte vetëm një mënyrë të duhur prindërimi. Dhe vetëm një mënyrë të vetme për t’ia dalë si fëmijë.
Dhe ç’është më e rëndësishmja, kisha vërtetë nevojë të besoja se fëmija im i kishte përgjigjet që i duheshin brenda vetes gjatë gjithë kësaj kohe.
Të besoja, pa rezerva, tek im bir.
Scarymommy