Kur shikon një nënë të re, ajo që të bie menjëherë në sy është energjia e jetës që ajo përfaqëson, edhe pse shpeshherë vetë nuk është e vetëdijshme për këtë. Trupi i saj ka rritur një jetë dhe tani, si nënë, prodhon qumështin që ushqen foshnjën – qumështin e bardhë, ngjyrën e pastërtisë dhe të së mirës.

Ne, nënat “e vjetra,” që nuk mund ta përjetojmë më këtë lloj ekzistence, ndonjëherë ndiejmë një lloj zilie të pashpjegueshme, e cila mund të na shtyjë të kërkojmë anë negative tek nënat e reja. Por, për fat të mirë, dashuria bën mrekulli dhe na kujton se këto nëna të reja janë vajzat tona, apo nuset e djemve tanë. Kështu, ndjesia e keqe shuhet dhe nuk lejojmë që ajo të na pushtojë shpirtin. Është koha të përqafojmë këtë eksperiencë të re dhe të ndihmojmë nënat e reja të bëhen më të mira se ç’kemi qenë ne dikur. Së bashku me ta, le të shijojmë dhe të kujdesemi me përgjegjësi për mbesat dhe nipërit tanë.

Të ndihmosh një nënë të re nuk do të thotë ta mënjanosh, t’i zësh vendin, apo t’i thuash se “ajo është e re dhe nuk di.” Përkundrazi, duhet ta mbështesim, ta inkurajojmë dhe ta ndihmojmë të marrë rolin që natyra dhe Perëndia i ka dhënë. Megjithatë, shpeshherë hasim një konflikt të heshtur, që fshihet pas këshillave që më shumë e demoralizojnë sesa e ndihmojnë një nënë të re.

Është e vërtetë që një nënë e re nuk është aq e zhdërvjellët sa një nënë me përvojë, por edhe nënat me përvojë dikur kanë qenë fillestare. Edhe ato janë përballur me vështirësi, janë ndier të pasigurta, madje janë penguar nga të tjerët. Prandaj, pa e kuptuar, ndonjëherë përsërisim të njëjtën sjellje që dikur na ka bërë të ndihemi keq dhe nuk na ka lejuar të shijojmë plotësisht mëmësinë tonë.

Të duash do të thotë të kapërcesh ndjesitë konfuze dhe pështjellimet shpirtërore që të pushtojnë kur nuk je më në qendër të një ngjarjeje madhështore, siç është ardhja e një jete të re. Nuk duhet ta përdorim përvojën dhe moshën si një pushtet mbi nënat e reja për t’i penguar në rrugëtimin e tyre si nëna. Kjo nuk është vlerë, por thjesht një paaftësi për të menaxhuar veten dhe emocionet tona.

Le ta mbështesim nënën e re, ta fuqizojmë dhe ta ndihmojmë të rritet bashkë me fëmijën e saj. Në këtë mënyrë, ne jo vetëm që përmbushim rolin tonë si gjyshe dhe nëna me përvojë, por gjithashtu kontribuojmë në ndërtimin e një brezi të ri prindërish më të sigurt dhe më të dashur.

Lira Gjika.