Nga Lira Gjika

Shpesh dëgjohen prindër, si nëna edhe baballarë, që i nxisin fëmijët të përgjigjen me dhunë ndaj moshatarëve të tyre. Këtë nxitje e justifikojnë me idenë që fëmijët duhet “të bëhen të zotët e vetes”. Por sa e besueshme është kjo mënyrë të menduari për një fëmijë?

Një fëmijë është një njeri në rritje dhe nuk i sheh apo i përjeton situatat ashtu siç prindërit pretendojnë. Sipas pediatres Lira Gjika, një prind që nxit fëmijën të mbrohet vetë, në fakt po i mëson atij se është i vetëm dhe i braktisur. Në thelb, një fëmijë që mësohet të mbrohet vetë, ndjen se nuk ka mbështetje as nga familja dhe as nga institucioni ku prindërit e dërgojnë çdo ditë.

“Si është e mundur që ju prindër e lini vetëm përballë frikës dhe e dërgoni në një institucion ku askush nuk e mbron?”, shtron pyetjen Gjika. Ajo i bën thirrje prindërve të tregojnë kujdes me mënyrën si flasin dhe veprojnë, sepse fëmijët i ndjekin dhe i përthithin mesazhet në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Në vend që fëmijës t’i mësohet të mbrohet vetë, sipas saj, gjëja e parë që duhet të mësojë është të kërkojë ndihmë tek mësuesit apo edukatorët. Prindi e ka dërguar fëmijën në kopësht apo në shkollë – pra në një institucion – dhe është detyrë e çdo të rrituri ta ndihmojë dhe mbrojë fëmijën, jo ta lërë vetëm.

“Detyra numër një e çdo të rrituri është t’i gjendet pranë një fëmije, ta ndihmojë dhe mbrojë atë”, thekson ajo. Prindi, edukatori apo mësuesi duhet të jetë ndërmjetës për të zhvilluar miqësinë tek fëmijët, jo nxitës i dyshimit apo i inatit mes tyre.

Në përfundim, Lira Gjika apelon: “Kujdes të rritur, dhunën që keni në shpirtin tuaj mos ua ngjisni edhe fëmijëve. Përpiquni t’u mësoni vlerën e fjalës dhe të miqësisë.”