Ushqimet e përgatitura në mënyrë industriale përfshijnë dhjetëra përbërës dhe procese për t’u bashkuar në një produkt të vetëm, gjë që e bën të vështirë të kuptohet kostoja e tyre e vërtetë për mjedisin.

Nëse sheh paketimin e një M&Ms, që është një prej çokollatave më të njohura në SHBA do të gjesh disa përbërës të njohur si sheqeri, qumështi i skremuar në pluhur dhe gjalpi i kakaos. Por do të hasësh edhe emra më pak të zakonshëm: gome arabike, dekstrinë, dyllë karnaube, lecitinë soje dhe ngjyruesin E100.

Në total, M&Ms përmban 34 përbërës dhe, sipas kompanisë Mars që e prodhon, furnizimi i tyre përfshin të paktën 30 vende të ndryshme, nga Bregu i Fildishtë deri në Zelandën e Re. Secili prej këtyre vendeve ka zinxhirin e vet të furnizimit që shndërron lëndët e para në përbërës: kakaon në liker kakaoje, kallamin në sheqer, naftën në ngjyrues ushqimor blu.
Këta përbërës udhëtojnë nëpër botë drejt qendrave të përpunimit ku kombinohen dhe transformohen në copëza të vogla çokollate me ngjyra joshëse.

Sot dihet se sistemet ushqimore janë një ndër faktorët kryesorë të krizës klimatike. Shkencëtarët kanë studiuar ndikimin e shpyllëzimeve për bujqësi apo të metanit nga blegtoria, por ndikimi i ushqimeve ultra të përpunuara (UPF)
Një arsye është vetë natyra e këtyre produkteve: ato përfshijnë një numër shumë të madh përbërësish dhe procesesh industriale, që e bëjnë pothuajse të pamundur ndjekjen e gjurmës së tyre mjedisore.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se kuptimi i këtij ndikimi është thelbësor, pasi ushqimet ultra të përpunuara përbëjnë tashmë rreth 70% të produkteve që shiten në supermarketet amerikane dhe më shumë se gjysmën e kalorive që konsumohen nga popullsia.

Një zinxhir që dëmton mjedisin

Sipas studiuesve, sa më i përpunuar të jetë një ushqim, aq më i madh është dëmi që shkakton për shëndetin dhe për planetin.
Anthony Fardet, studiues në Institutin Kombëtar Francez për Bujqësinë dhe Mjedisin, thotë se kjo ndodh sepse përbërësit e tillë kërkojnë shumë energji për t’u prodhuar edhe kur kombinohen, ndikimi shumëfishohet.

Shembulli i M&Ms e tregon qartë. Hapi i parë është bujqësia për kultivimin e kakaos, kallamit të sheqerit, qumështit dhe vajit të palmës. Procese që nxisin shpyllëzimin masiv në shumë vende. Që nga viti 1850, zgjerimi bujqësor ka shkaktuar gati 90% të shpyllëzimit global dhe rreth 30% të emetimeve të gazrave serrë.
Kompania Mars është kritikuar disa herë për praktikat e kultivimit të kakaos në zinxhirin e saj të furnizimit dhe, megjithëse ka shpallur plane për qëndrueshmëri, bujqësia masive e kakaos mbetet në thelb e paqëndrueshme.

Edhe përbërës të tjerë si sheqeri, qumështi i përpunuar apo yndyra e palmës janë kontribues të mëdhenj të gazrave serrë.
Ndërkohë, përbërësit industrialë si ngjyruesit dhe shenjat dalluese të ushqimeve ultra të përpunuara, kanë ndikim të rëndë mjedisor. Vetëm M&Ms përmban 13 lloje të ndryshme ngjyruesish. Për shembull, ngjyruesit blu E132 dhe E133 prodhohen kryesisht në Indi dhe Kinë përmes reaksioneve kimike që përdorin naftë dhe metale të rënda si bakri e kromi.

Një tjetër përbërës, lecitina e sojës, që shërben për të dhënë qëndrueshmëri çokollatës, kërkon një proces të gjatë kimik: pastrimin e vajit të sojës në reaktorë të nxehtë, izolimin kimik të fosfolipideve, zbardhjen me peroksid hidrogjeni dhe tharjen në vakum. Edhe dekstroza, një lloj ëmbëlsuesi, kalon nëpër disa faza përpunimi kimik deri sa të rikristalizohet në formën përfundimtare.

Kompania Mars nuk pranoi të komentojë për këtë histori.

Sa ndotin në të vërtetë?

Edhe pse çokollatat janë ndër produktet më ndotëse, edhe ushqime të tjera të ultra-përpunuara si patatinat Doritos kanë ndikim të madh. Një qese Doritos përmban 39 përbërës, ndërsa çdo hektar misri i kultivuar për to gjeneron rreth 1 ton dioksid karboni.
Edhe pse Pepsico, kompania prodhuese, ka prezantuar programe “të gjelbra” si “regjenerimi bujqësor”, shumë ekspertë i cilësojnë këto nisma si forma greenwashing, që fshehin problemet reale.

Kompania suedeze CarbonCloud, e cila llogarit emetimet e produkteve ushqimore, ka analizuar të dhënat e Mars dhe vlerëson se për çdo kilogram M&Ms të prodhuar, gjenerohen të paktën 13.2 kg ekuivalent karboni.
Duke qenë se Mars prodhon mbi 664 milionë kilogramë M&Ms në SHBA çdo vit, kjo përkthehet në rreth 3.8 milionë ton dioksid karboni – rreth 0.1% e totalit vjetor të emetimeve të SHBA-së.
Megjithatë, kjo është vetëm një vlerësim mbi të dhëna publike; ekspertët besojnë se kostoja reale është shumë më e lartë për shkak të mungesës së transparencës në industrinë ushqimore.

Patrick Callery, profesor në Universitetin e Vermontit, e quan këtë “një kuti të zezë” të llogaritjeve të karbonit. “Ka shumë pasiguri sapo zinxhirët e furnizimit bëhen kompleksë,” thotë ai.

Pse nuk dihet saktë kostoja

Llogaritja e saktë e ndikimit mjedisor të ushqimeve ultra të përpunuara është pothuajse e pamundur, pasi ato përfshijnë shumë përbërës dhe procese që nuk janë transparente. Përbërësit nuk thjesht përzihen si në një recetë shtëpie, por kalojnë në modifikime kimike, shtohen ngjyrues, aromatizues dhe konservues dhe askush nuk e di me siguri se sa energji apo ndotje kërkon secila fazë.
Një arsye tjetër është mungesa e vullnetit nga vetë korporatat e mëdha ushqimore për të zbuluar të dhëna të plota mbi gjurmën e tyre ekologjike.

Për shembull, Mars nuk zotëron fermat e kakaos, por mbështetet në qindra furnizues të vegjël, të cilët shpesh nuk kanë asnjë metodë të saktë matjeje të emetimeve. Si pasojë, raportimet e kompanive të mëdha janë të pjesshme ose nënvlerësojnë ndikimin e tyre real.
“Shumë kompani përdorin faktorë të llogaritjes që janë në thelb hamendësime,” shpjegon David Bryngelsson, bashkëthemelues i CarbonCloud.
Shumica raportojnë vetëm për transportin, që është më i lehtë për t’u matur, por lënë jashtë llogaritjeve ndikimin e bujqësisë dhe të proceseve kimike që qëndrojnë në bazë të çdo përbërësi.

Kush duhet të paguajë?

Në fund të fundit, qëllimi kryesor i ushqimeve ultra të përpunuara është fitimi, thotë Fardet. “Ato janë dizajnuar për të qenë tërheqëse, të lehta dhe të këndshme për t’u konsumuar.”
Por, sipas Bryngelsson, mënyra e vetme për ta ndryshuar këtë është që çmimi i ushqimeve të pasqyrojë ndikimin e tyre real në klimë diçka që kërkon rregullim qeveritar dhe taksa mbi ndotjen.

Në raftin e supermarketit, një qese M&Ms kushton më pak se 2 dollarë, por kostoja e saj e vërtetë për planetin është shumëfish më e madhe.
“Thjesht të ulësh sasinë e sheqerit ose të kripës nuk është zgjidhje, është vetëm një formë greenwashing,” thekson Fardet. “Duhet të ndryshojmë gjithë mënyrën si e konceptojmë ushqimin.”
Kjo nënkupton më shumë produkte të freskëta, lokale dhe më pak të përpunuara, me gjurmë të vogël karboni. Ndërkohë, produkte si çokollata, që nuk mund të prodhohen lokalisht, duhet të konsumohen rrallë dhe vetëm kur vijnë nga zinxhirë furnizimi të gjurmueshëm dhe etikë.

Por kjo është e vështirë në një vend si SHBA, ku çmimet e ushqimit janë në rritje dhe “shkretëtirat ushqimore” (zona pa akses në ushqime të shëndetshme) janë të përhapura. Prandaj, ekspertët thonë se përgjegjësia nuk mund t’u lihet vetëm konsumatorëve: korporatat e mëdha duhet të mbajnë përgjegjësi për barrën që i shkaktojnë klimës dhe shoqërisë.

Planet e tyre për “qëndrueshmëri” si “Cocoa for Generations” i Mars apo “Pep+” i Pepsico janë vetëm arna mbi plagë të thella, ndërsa ndryshimi i vërtetë kërkon reformim rrënjësor të sistemit global ushqimor.

“Ushqimet tona nuk janë aspak normale,” përfundon Fardet. “E gjithë industria duhet të paguajë për kostot e fshehura që po i ngarkon planetit tonë.”

The Guardian.