Fëmijët dhe celulari

Ja çfarë këshillojnë neuroshkencëtarët, psikologët dhe pediatrit për përdorimin e celularit nga fëmijët:

Për fëmijët deri në moshën dy vjeç, celulari nuk duhet të bëjë pjesë në sendet që mund t’i përdorë fëmija, pasi këto mjete shkaktojnë dëme në trurin dhe mendjen e fëmijës.

Pas moshës dy vjeç, deri në katër vjeç, mund të përdoret jo më shumë se një orë në ditë.

Nga mosha katër deri në tetë vjeç, fëmija mund të përdorë celularin deri në dy orë në ditë, por jo më shumë.

Një këshillë tjetër shumë e rëndësishme, që specialistët këmbëngulin ta respektojnë dhe ta zbatojnë prindërit apo zëvendësuesit e tyre, është: të mos përdoret celulari gjatë kohës kur fëmija ushqehet.

Kujdes prindër, përpiquni t’i zbatoni këto këshilla, mos i neglizhoni. Për momentin mund të duket sikur po gjeni një zgjidhje, por në të ardhmen do të komplikoni më shumë problemet.

Imitimi dhe vetja

T’i nxisim fëmijët të mos imitojnë tjetrin, por të përqendrohen te vetja që ta rrisin atë.

T’u mësojmë fëmijëve se të imitosh tjetrin nuk të ndihmon të jesh vetja. Po të fiksohen te tjetri dhe ta imitojnë atë, do të harrojnë që kanë vete.

Shkenca, filozofia, arti dëshmojnë se nuk ka dy njerëz njësoj. Atëherë, pse të rriturit – prindër e mësues – nuk përpiqen t’ua mësojnë këtë “gjë” fëmijëve?

Rrinë gjithë kohën duke i krahasuar, duke u treguar të metat dhe jo arritjet e tyre.

Prindër dhe mësues, përpiquni të jeni mbështetje e fëmijëve që të bëhen vetja dhe jo të imitojnë tjetrin.

Shkruar nga Lira Gjika