Një ditë, Ani, një djalë 12 vjeç, ishte i sëmurë dhe nuk kishte shkuar në shkollë, kur nëna po i përgatiste një lëng portokalli, e dëgjon atë duke qeshur i vetëm në dhomë. Ajo shkon dhe e pyet se çfarë ka, dhe djali, duke vazhduar të qeshurën, i tregon një video ku ai dhe një grup nxënësish, djem dhe vajza, po keqtrajtonin një shokun e tyre të klasës. Nëna e Anit menjëherë reagoi e shqetësuar:

  • Si mund të sillesh në këtë mënyrë dhe për më tepër, e ke filmuar dhe qesh?! Kjo është “të kënaqesh me të keqen”, biri im, kjo është ligësi.
  • Jo, mama, kjo është lojë – insistonte Ani.
  • Jo, biri im, kjo nuk është lojë, kjo është gjë shumë e keqe. Në lojë të gjithë kënaqen dhe nuk trëmben nga njëri-tjetri. Të bësh një tjetër të vuajë dhe të ketë frikë, kjo nuk është lojë. Po sikur të ishe ti në vend të shokut tënd? – vazhdoi nëna.
  • Jo, mua nuk ma bëjnë dot – bërtiti Ani.
  • Po, i tha nëna, edhe ty mund të të ndodhë, madje të ka ndodhur, sepse ti po kënaqesh me të keqen dhe e quan edhe lojë. Në këtë situatë ku gjëndesh, kam edhe unë pjesën time të fajit. Mesa duket nuk ta kam mësuar si duhet të mirën. Të kam transmetuar frikë, më fal dhe të jap fjalën që do të të ndihmoj që të kuptosh se sa e keqe është për ty kjo “lojë” që je përfshirë.

Ani e shikonte nënën me habi, por edhe me një lloj ndjenje turpi. Djali po fillonte të përftonte një dimension tjetër të ndjesisë së tij për situatën ku ishte përfshirë. Pas bisedës me të birin, nëna e Anit u vesh dhe shkoi në shkollë, ku takoi mësuesen kujdestare dhe drejtorin e shkollës. U tregoi për ngjarjen që kishte konstatuar dhe, duke i kërkuar të ndërhynin, u tërhoqi vërejtjen për indiferencën e tyre ndaj këtyre dukurive. Mësuesit, deri diku të habitur nga ndërhyrja e nënës, pasi zakonisht kishte ankesa nga nënat e fëmijëve që e pësonin bullizmin dhe jo nga nënat e fëmijëve që e ushtronin bullizmin, morën përsipër të ndërhynin.

Gjithashtu, nëna e Anit takoi djalin e ndrojtur që pësonte bullizëm dhe i kërkoi falje, duke i thënë se ajo nuk do të lejonte ta ngacmonin. Djali e pa me frikë dhe, duke iu lutur, i tha:

  • Të lutem mos ndërhy, pasi ata do të sillen më keq. Nuk dua që ta marrin vesh prindërit, pasi nëna ime është e sëmurë.

Nëna e Anit ndihej gjithnjë e më shumë konfuze. Donte të shmangte me çdo kusht inatin që e kishte pushtuar dhe nuk e linte të ishte e kthjellët për të vepruar. Aq sa ishte e zemëruara me të birin, aq më shumë kërkonte të ishte e qetë, që të mund të nxirrte të birin nga kjo “gropë thithëse” e kënaqësisë që ndjehet kur mund dhe i bën keq një njeriu tjetër. I dukej se po të mundte inatin e saj, do të mund të shpëtonte edhe të birin.

Shkoi në shtëpi dhe u fut direkt në dhomë të djalit të saj, që e priti gjithë ankth. Ajo u ul te krevati i tij dhe, pasi i tregoi se kishte takuar mësuesit, kishte takuar edhe djalin e mirë që duronte për prindërit e tij poshtërimin, Ani, duke dëgjuar, filloi të qajë dhe u justifikua:

  • Unë nuk dija gjë.
  • Kjo nuk është justifikim – i tha nëna. – Pse duhet të dish që ka një problem një njeri që të mos i bësh keq? Kjo është një mënyrë e keqe të menduari. “Nuk ju detyron njeri ta doni shokun apo shoqen, por jeni të detyruar të respektoni dhe të mos fyeni tjetrin”. Këto veprime nuk mund dhe nuk duhet t’i bëni. Ky veprim është i ndaluar sepse bëni keq si tjetrit, po ashtu edhe vetes tuaj. Ju, me këtë veprim, zhvilloni të keqen. Po sikur të ishit ju në vendin e shokut apo shoqes tuaj, si do të ndiheshit?! Mos u justifikoni se mua nuk më ndodh. Të gjithëve mund t’u ndodhë. Edhe ty të kanë nxitur siç ke nxitur edhe ti shokët, që të bëni keq. E shikon që të ka ndodhur, që ty të tjerët të nxiturën edhe më keq drejt kësaj kënaqësie. Dhe ti bëre të njëjtën gjë me shokët e tu. Ti mbylle çdo gjë të mirë që ti gjatë gjithë kohës përpiqesh ta demonstosh, që je një djalë i mirë, dhe u desh një nxitje e vogël dhe e harrove të mirën dhe respektin për veten. Ti ndihesh mirë kur unë vij nga mbledhja e prindërve dhe të tregoj fjalët e mira që thonë mësuesit për ty, si për mësimet edhe për sjelljen. Dhe tani unë zbuloj që ti fshehtas sillesh siç nuk do të ta dijë njeri. Pra ti je më i dobët se ai djali që ju duron të gjithëve, se ka një qëllim. Ai do të bëjë diçka që të ndihmojë familjen dhe ai hesht për ngacmimin e keq që ju i bëni. Ai nuk do të mërzitë nënën që është e sëmurë rëndë. Po ta shihje në film, ti do të ishe me djalin dhe do ti kishe inat ata si ty, që e mundonin atë.
  • Mami, nuk dua që ti thuash babit për këtë që kam bërë, sepse tani më vjen shumë turp nga vetja.
  • Babit do t’ja themi, pasi nuk mund të gënjejmë dhe të fshehim një gjë kaq të keqe, siç është kënaqësia për të bërë keq. Edhe babi, si unë, vërtet do të mërzitet shumë, por ai si unë, do të përpiqet të të ndihmojë të zbulosh e njohësh ndjesitë e tua. Duke i njohur, nuk bëhesh pre e tyre. Ti po rritesh dhe shumë gjëra po i mëson të bësh sipas mënyrës tënde. Po mëson të diferencosh të mirën dhe të keqen. Po mëson të mbash përgjegjësi për veprimet e tua. Po, nëse nuk pate kurajo sot t’ja tregosh babit, nesër nuk do të mundesh të jesh i rritur, por do të mbetesh gjithnjë duke u fshehur.

Lira Gjika