Fotografimi i grave që ushqejnë fëmijën me gji në publik pa pëlqimin e tyre do të bëhet i paligjshëm në Angli dhe Uells. Personat që fotografojnë nënat që ushqejnë fëmijën me gji pa pëlqimin e tyre mund të përballen me deri në dy vite burg, sipas një propozimi të paraqitur në parlament, raporton The Guardian.


Ligji është përfshirë si amendament nga Ministria e Drejtësisë.

“Asnjë nënë e re nuk duhet të ngacmohet në këtë mënyrë. Ne jemi të përkushtuar të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i mbrojtur gratë, për t’i bërë ato të ndihen më të sigurta dhe për t’u dhënë atyre besim më të madh në sistemin e drejtësisë,” tha Dominic Raab, sekretar i Ministrisë së Drejtësisë.

Sipas BBC, stilistja me bazë në Mançester, Julia Cooper filloi prillin e kaluar një fushatë për të kriminalizuar fotografimin e nënave që ushqejnë fëmijën me gji në publik.

“U ula për të ushqyer vajzën time me gji dhe vura re një burrë në një stol tjetër që na shikonte”, tha ajo për BBC.

“Ia ngula sytë për t’i bërë të ditur se e kisha fiksuar shikimin e tij, por pa u penguar ai mori aparatin e tij digjital, vendosi një lente zmadhimi dhe filloi të na fotografonte.”

Zonja Cooper tha se ndihej e “dhunuar” nga incidenti dhe kontaktoi deputetin e saj vendas laburist, Jeff Smith dhe kolegen e tij Stella Creasy. Zonja Creasy kishte përjetuar vetë fotografimin pa pëlqimin e saj ndërsa ushqente me gji fëmijën e saj në një tren. Dyshja e çuan fushatën më tej fushatën, duke bërë thirrje që fotografimi i ushqyerjes me gji të bëhet i paligjshëm.

Sipas Yahoo News, Ministria e Drejtësisë tha se “bërja e fotografive ose video-inçizimeve pa konsensus të nënave që ushqejnë fëmijën me gji” do të bëhej një vepër “specifike” e ushqyerjes me gji në Angli dhe Uells, e dënueshme deri në dy vjet burg dhe duke mbuluar “situata ku motivi është për të përfituar kënaqësi seksuale, ose për të shkaktuar poshtërim, shqetësim ose alarm”.

Anglia dhe Uellsi janë vende pjesë e Mbretërisë së Bashkuar. Mbretëria e Bashkuar përbëhet nga Anglia, Skocia, Uellsi dhe Irlanda e Veriut. Sipas Ligjit Praktik, Mbretëria e Bashkuar ka tre sisteme ligjore të veçanta: nga një për Anglinë dhe Uellsin, Skocinë dhe Irlandën e Veriut.

ndtv