Fëmijët në Florida nuk do të jenë më të detyruar të vaksinohen kundër sëmundjeve të parandalueshme si fruthi, shytat, lia e dhenve, poliomieliti dhe hepatiti, tha të mërkurën kirurgu i përgjithshëm i shtetit, Joseph Ladapo, gjatë një fjalimi ku krahasoi detyrimin për vaksina me “skllavëri”.
Ladapo, i zgjedhur për këtë post nga guvernatori republikan Ron DeSantis, është prej kohësh skeptik për përfitimet e vaksinave dhe shpesh është kritikuar nga ekspertët e shëndetësisë për “nonsense shkencore”.
Në një konferencë shtypi në Tampa, ai tha se çdo detyrim shtetëror për vaksinat do të hiqet, duke shtuar se kjo lëvizje do të ketë “bekimin e Zotit”.
“Çdo njëra prej tyre është e gabuar dhe e mbushur me përbuzje dhe skllavëri,” tha Ladapo, i cili në vitin 2022 ndryshoi të dhënat e një studimi për vaksinat kundër Covid për të ekzagjeruar rreziqet për të rinjtë meshkuj. “Njerëzit kanë të drejtë të marrin vetë vendime. Askush, as qeveria, nuk duhet t’ju thotë çfarë të fusni në trupin tuaj. Trupi është një dhuratë nga Zoti.”
Ai dënoi izolimet dhe detyrimet për vaksinim gjatë pandemisë, duke i quajtur ato “gjëra të çmendura” dhe tha se mosbesimi në vaksina është “dritë e Zotit kundër errësirës së tiranisë”. Ladapo ka qenë pjesë e një grupi ultra-konservator mjekësh dhe prej kohësh ka kundërshtuar vaksinat kundër Covid. Në vitin 2023 ai u bëri thirrje banorëve të Floridës të refuzojnë dozat përforcuese mRNA, të cilat ai pretendoi gabimisht se nuk ishin testuar tek njerëzit.
Ai ka mbajtur edhe qëndrime të tjera të kritikuara si të rrezikshme, si promovimi i heqjes së florit nga uji i pijshëm dhe këshillimi që prindërit të mos vaksinojnë fëmijët kundër fruthit.
Komentet e tij për “skllavërinë” ishin të bujshme, sidomos pasi DeSantis vitin e kaluar u akuzua për racizëm, kur shteti futi në kurrikulën shkollore idenë se skllavëria kishte edhe “përfitime” për të skllavëruarit.
Aktualisht, departamenti i shëndetit në Florida ka rregulla të rrepta për vaksinat që fëmijët duhet të marrin përpara se të regjistrohen në shkollat publike.
Sipas një raporti të Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), vaksinat e rregullta të fëmijërisë kanë parandaluar rreth 508 milionë raste sëmundjesh, 32 milionë shtrime në spital dhe 1.13 milionë vdekje te fëmijët e lindur në SHBA mes viteve 1994 dhe 2023. Programi i vaksinimit ka kursyer rreth 540 miliardë dollarë shpenzime direkte dhe 2.7 trilionë dollarë në kosto shoqërore.
Ladapo nuk dha detaje apo një afat kohor për këtë vendim, por tha se do të punojë me ligjvënësit dhe administratën e DeSantis për ta realizuar.
Ai shtoi se “do të ishte e mrekullueshme që Florida të ishte shteti i parë që e bën këtë”.
Plani u përshëndet nga Robert W. Malone, një mjek konservator dhe figurë e njohur kundër vaksinave, i cili u emërua kohët e fundit në një komision të ri për imunizimin nga Robert F. Kennedy Jr.
“Bravo Joe!”, shkroi Malone në X, duke e quajtur Ladapon “një shkencëtar të matur – i cili është i vendosur të ndryshojë sistemin për më mirë”.
Por jo të gjithë ishin dakord. Anna Eskamani, një deputete demokrate e Floridës, e quajti vendimin “një katastrofë të ardhshme për shëndetin publik”.