Ndërsa shumë shkolla në Angli kanë ndaluar përdorimin e telefonave, në Estoni – vendi që tani cilësohet si një nga më të suksesshmit në Europë për arsimin – nxënësit përdorin rregullisht telefonat e tyre në mësim. Madje, që nga shtatori, ata do të kenë edhe llogaritë e tyre personale për të përdorur inteligjencën artificiale. Qëllimi i vendit është që t’u japë nxënësve dhe mësuesve njohuri dhe aftësi të avancuara për përdorimin e IA-le në arsim.
Ky shtet i vogël baltik – me një popullsi prej 1.4 milionë banorësh – është kthyer në mënyrë të heshtur në vendin me performancën më të mirë në Europë në vlerësimin ndërkombëtar të nxënësve të zhvilluar nga OECD (PISA), duke lënë pas edhe fqinjët e tij të afërt si Finlanda.
Në raundin e fundit të PISA-s, mbajtur në vitin 2022 dhe publikuar një vit më vonë, Estonia doli e para në Europë për matematikë, shkencë dhe mendim krijues, dhe e dyta pas Irlandës për lexim. Dikur pjesë e Bashkimit Sovjetik, sot ajo tejkalon vende me popullsi më të mëdha dhe buxhete më të mëdha. Ka disa arsye për këtë sukses, por përqafimi i teknologjisë digjitale është ajo që e veçon më së shumti Estoninë.
Ndërkohë që Anglia dhe vende të tjera kufizojnë përdorimin e telefonave në shkolla për shkak të shqetësimeve se dëmtojnë përqendrimin dhe shëndetin mendor, mësuesit estonezë i inkurajojnë nxënësit që t’i përdorin telefonat si mjet mësimor.
Tani Estonia po nis një iniciativë kombëtare të quajtur AI Leap, e cila synon të pajisë nxënësit dhe mësuesit me mjete dhe aftësi të avancuara në fushën e inteligjencës artificiale. Po negociohen licenca me OpenAI, gjë që do ta kthejë Estoninë në një laborator testimi për përdorimin e IA-Le në shkolla. Synimi është që deri në vitin 2027 të ofrohet akses falas në mjetet më të avancuara të mësimit me IA-le për 58,000 nxënës dhe 5,000 mësues, duke filluar që këtë shtator me nxënësit 16 dhe 17 vjeç.
Mësuesit do të trajnohen në përdorimin e teknologjisë, me theks te të mësuarit e pavarur, etika digjitale dhe përfshirja e barabartë në arsim. Zyrtarët thonë se kjo do ta bëjë Estoninë “një nga kombet më të zgjuara në përdorimin e IA-le, jo thjesht më të mbushurat me teknologji”.
Kristina Kallas, ministrja estoneze e arsimit dhe kërkimit shkencor, gjatë një vizite në Londër në kuadër të Forumit Botëror të Arsimit, tha:
“E di që shumica e vendeve europiane janë skeptike dhe të kujdesshme përsa i përket ekraneve, telefonave dhe teknologjisë. Por në rastin e Estonisë, shoqëria është shumë më e hapur dhe e prirur drejt përdorimit të mjeteve dhe shërbimeve digjitale. Mësuesit nuk janë përjashtim.”
Sipas saj, nuk ka ndalim të telefonave në shkollat estoneze. Përkundrazi: telefoni inteligjent shihet si pjesë e politikës së suksesshme arsimore digjitale të vendit. “Të them të drejtën, nuk kam dëgjuar për ndonjë problem,” tha ajo. “Rregullat vendosen nga vetë shkollat në nivel lokal. Ne i përdorim telefonat për qëllime mësimore.”
Ajo shtoi:
“Këtë tetor kemi zgjedhje lokale. Në këto zgjedhje, edhe 16-vjeçarët kanë të drejtë vote dhe mund të votojnë online përmes telefonave të tyre. Ne duam që ata të përdorin telefonin për të kryer detyrën qytetare, për t’u informuar, për të analizuar platformat politike.
Do të ishte çuditshëm t’u thoshim që mund të votojnë online me telefon, por nuk mund të përdorin ChatGPT në shkollë për të mësuar.”
Kallas theksoi:
“Ne nuk ndalojmë. Kemi dhënë udhëzime, veçanërisht për fëmijët nën moshën 12–13 vjeç, sa i përket përdorimit të telefonave, por shumica e shkollave i kanë rregulluar vetë gjërat. Zakonisht ndalojnë përdorimin e telefonave gjatë pushimeve, por gjatë mësimit përdoren vetëm kur kërkohet nga mësuesi për ndonjë detyrë apo ushtrim.”
Në vend që të kundërshtojë teknologjinë, Estonia e ka përqafuar atë që në vitin 1997, me investime të mëdha në kompjuterë dhe infrastrukturë interneti përmes programit Tiigrihüpe (Hapi i Tigrit). Tani, IA-le dhe telefonat inteligjentë janë hapi tjetër.
Kallas flet për një revolucion të IA-le, që mund të nënkuptojë fundin e eseve si detyrë shtëpie, largimin nga modeli i vjetër i të mësuarit përmendësh dhe aplikues, dhe kalimin te provimet gojore. Sfida është zhvillimi i aftësive më të larta njohëse te të rinjtë, sepse IA-le tashmë mund të bëjë më mirë dhe më shpejt pjesën tjetër.
“Është urgjente,” tha ajo. “Po përballemi me një sfidë evolutive. Ose zhvillohemi në krijesa që mendojnë më shpejt dhe në mënyrë më të thellë, ose teknologjia do të na marrë ndërgjegjen.”