Për sa kohë e zgjidhni konfliktin në mënyrë konstruktive, studimet tregojnë se kjo është e mirë për fëmijët në planin afatgjatë.
Nëse jeni prind, një nga mënyrat më të mira për të ndjerë se po e balanconi mirë jetën personale dhe atë profesionale, është të ndjeni se po i mësoni fëmijëve aftësi jetësore që do t’i ndihmojnë të rriten të lumtur, të plotësuar dhe të suksesshëm. Një nga këto aftësi? Si të përballojnë dhe të zgjidhin konfliktet – si në aspektin praktik, edhe emocional.
Sipas një studimi të botuar së fundmi në revistën Developmental Psychology, fëmijët që janë të ekspozuar ndaj konflikteve mes prindërve kanë më shumë gjasa të zhvillojnë aftësi më të mira ndërpersonale dhe kontroll emocional. Por çelësi është si debatoni.
Nëse bërtisni, shani, hidhni gjëra apo tregoheni agresivë – atëherë po modeloni sjellje destruktive dhe kjo është ajo që fëmijët do të mësojnë si mënyrë për të trajtuar konfliktet.
Nëse modeloni sjellje konstruktive – biseda të qeta, të arsyeshme dhe me respekt, me qëllimin e qartë për të zgjidhur mosmarrëveshjen – atëherë fëmijët tuaj do të mësojnë se mendimet ndryshe janë diçka që mund të menaxhohet dhe zgjidhet, jo diçka që duhet shmangur.
Kjo ka logjikë. Fëmijët mësojnë përmes vëzhgimit dhe shembullit – veçanërisht nga ata që i shohin si të rëndësishëm ose me ndikim (pra, ju). Nëse ju tregoni se një mendim ndryshe nuk është një sulm personal apo një luftë që duhet “fituar”, ata do të mësojnë të përballojnë mosmarrëveshjet me qetësi dhe logjikë.
Dhe do të jenë më pak të stresuar – si gjatë debatit, ashtu edhe më pas.
Hulumtimi tregon se kur prindërit modelojnë sjellje konstruktive gjatë konflikteve, fëmijët kanë më shumë gjasa të shfaqin sjellje pro-sociale – pra sjellje që ndihmojnë të tjerët – si tani ashtu edhe në të ardhmen. (Studime të tjera tregojnë se edhe punonjësit ndjekin këtë model kur e shohin tek drejtuesit e tyre.)
Kjo krijon një situatë me përfitim të dyanshëm. Nëse unë nuk ndjej nevojën të mbrohem gjatë një debati me ty – gjë që do të thotë se nuk do të veproj në një mënyrë që të bëj ty të ndihesh në mbrojtje – atëherë të dy kemi më shumë gjasa të kuptojmë njëri-tjetrin, të mos e përshkallëzojmë konfliktin dhe ta zgjidhim çështjen në mënyrë pozitive.
Kështu që, herën tjetër që ju dhe partneri/partnerja juaj nuk jeni dakord përpara fëmijëve, mos e shtyni bisedën për më vonë. Shiheni si një mundësi për t’u treguar fëmijëve tuaj si mund të mos biesh dakord në mënyrë të shëndetshme. Tregojuni se edhe kur ka një debat, njerëzit mund të qëndrojnë të qetë, të dëgjojnë me respekt dhe të arrijnë një zgjidhje të mirë për të dy palët.
Duke bërë këtë, jo vetëm që modeloni sjellje që dëshironi që ata të kenë në të ardhmen – por edhe sjellje që ju vetë dëshironi të tregoni tani.
Dhe kjo ju ndihmon ta zgjidhni konfliktin tuaj në mënyrë pozitive.
A nuk është kjo një fitore për të gjithë?