Si prindër, shpesh presim që faza e largimit të fëmijës nga shtëpia të jetë e mbushur me kujtime të bukura dhe afrimitet. Por ndodh që kjo periudhë të karakterizohet nga konflikte të papritura, zemërime dhe rebelim, duke na lënë të hutuar e të lënduar.
Ky fenomen njihet nga disa profesionistë të shëndetit mendor si “soiling the nest” ose në shqip “shkëputje me konflikt” një fazë që ndodh përpara se një adoleshent të largohet nga shtëpia dhe që shpesh shoqërohet me tensione të shtuara dhe konflikte.
Në vend të përqafimeve, bisedave të gjata dhe kujtimeve të ëmbla, shtëpia mbushet me fërkime, zhgënjime dhe shpesh konfuzion. Por kjo sjellje, megjithëse e vështirë për t’u përballuar, në fakt është krejtësisht normale.
Çfarë do të thotë “shkëputje me konflikt”?
Termi “shkëputje me konflikt” përshkruan një dukuri psikologjike kur adoleshentët, përpara se të largohen nga shtëpia, përfshihen në sjellje negative apo konflikte me qëllim që të lehtësojnë shkëputjen, shpjegon Samantha Potthoff, terapeute familjare dhe bashkë-themeluese e The Therapy Collective of California.
Ajo thotë se termi vjen nga vëzhgimet në natyrë, ku shpendët e rinj prishin folezat para se të largohen, duke sinjalizuar gatishmërinë për pavarësi. Po ashtu, edhe kalimi nga fëmijë në të rritur shoqërohet shpesh me tension për të lehtësuar largimin nga familja.
Shenjat që tregojnë se adoleshenti juaj po “ndot folezën” përfshijnë:
- Kritikë ndaj rregullave familjare
- Grindje për çështje të parëndësishme
- Refuzim të traditave familjare
- Hapur mospëlqim ndaj zakoneve prindërore
- Ankesa për ushqime që më parë i pëlqenin
- Talle me vlerat familjare
- Tërheqje emocionale
- Krijim i tensioneve të shpeshta
- Testim i kufijve
Sipas Potthoff, kjo sjellje ka një funksion emocional të pavetëdijshëm: ndihmon adoleshentin të përballojë ankthin e largimit duke krijuar distancë emocionale dhe duke ulur ndjenjën e fajit apo frikës. Ajo i ndihmon të provojnë pavarësinë e tyre.
Pse adoleshentët nisin konflikte para ndryshimeve të mëdha
Sipas Robin Hershkowitz, specialiste në shëndetin mendor të studentëve dhe profesoreshë asistente në New York Medical College, adoleshentët që përgatiten të largohen nga shtëpia apo të shkojnë në universitet, janë në një proces formimi të identitetit dhe kërkimi të pavarësisë.
Hershkowitz thekson se marrëdhënia e besimit që ekziston me prindërit i ndihmon ata të ndihen të sigurt për të eksploruar botën dhe veten. Kjo sjellje nuk është refuzim i lidhjes prind-fëmijë, por mënyra e tyre për të përballuar kalimin drejt rritjes.
Emocione të forta si frika, ankthi, por edhe entuziazmi, mund të shkaktojnë sjellje të papritura ose të ashpra. Këto janë përpjekje për të krijuar hapësirë dhe distancë emocionale nga kujdestarët.
Pse kjo sjellje mund të jetë shenjë pozitive
Sipas Brandy Schumann, profesoreshë klinike dhe terapiste familjare, adoleshentët janë të programuar për t’u shkëputur. Ata janë emocionalë, impulsivë dhe reaktivë ndërsa përpiqen të kuptojnë veten jashtë strukturës familjare.
“Largimi nga shtëpia, edhe kur është emocionues, është gjithashtu një humbje – si për prindin, ashtu edhe për fëmijën,” thotë ajo. Ata kanë dalë nga roli që kishin dhe janë në tranzicion drejt një roli të ri – dhe kjo është një periudhë e çrregullt.
Shpesh prindërit e interpretojnë këtë sjellje si refuzim apo dështim, por në të vërtetë, adoleshenti ndihet aq i sigurt me prindin sa të shfaqë hapur ndjenjat e tij. Konflikti, për ta, është një tregues i një lidhjeje të fortë, sepse ata ndihen të dashur edhe kur kundërshtojnë.
Çfarë keqinterpretojnë prindërit
Hershkowitz thekson se adoleshenti nuk ka qëllim të lëndojë me sjelljen e tij. Shpesh duket sikur po krijojnë tension qëllimisht, por në fakt ata po përpunojnë emocione të forta. Kjo reflekton ndjenjën e sigurisë që kanë me prindin.
Është e rëndësishme të dallojmë këtë sjellje normale nga ajo toksike. Sjelljet toksike përfshijnë: sjellje të rrezikshme, dëmtim të vetes apo të tjerëve, përdorim të substancave, izolim ekstrem dhe ndryshime të thella e të zgjatura në humor.
Nëse nuk jeni të sigurt nëse sjellja është pjesë e rritjes apo është diçka më serioze, pyeteni veten: A rikthehet fëmija në balancë pas konflikteve? A ka ende momente afeksioni, humori apo lidhjeje? Nëse po, ka gjasa që është pjesë e procesit të natyrshëm të pavarësimit.
Si të menaxhoni emocionet si prind
Nëse e vëreni se fëmija juaj po kalon këtë fazë, Veronica Lichtenstein, konsulente për shëndetin mendor, sugjeron të qëndroni të qetë dhe të komunikoni hapur.
Planifikimi i disa vizitave në kampus gjatë vitit mund të ndihmojë për të zbutur ankthin e ndarjes. Po ashtu, rekomandohet të përdoret video-komunikimi në vend të mesazheve, sepse fytyrat shprehin më shumë se emoji-t.
Schumann pranon se edhe si profesioniste, kjo periudhë është e vështirë. Ajo përjeton dhimbje nga ndryshimi i ritmit të marrëdhënies me vajzën që do të shkojë në universitet, por njëkohësisht është thellësisht e prekur nga mënyra si po rritet ajo.
Ajo shton se edhe prindërit kalojnë një fazë zhvillimore: ndryshime emocionale, mendore dhe financiare, shpesh duke qenë njëkohësisht në rolin e mbështetjes për prindërit e moshuar dhe fëmijët që teknikisht janë të rritur, por ende varen nga ta.
Si të gjeni balancë në këtë tranzicion
Sipas Hershkowitz, ndjenja si trishtimi apo mërzia nuk janë shenja që diçka nuk shkon – përkundrazi, ato tregojnë një lidhje të fortë dhe të dashur.
Disa strategji që ndihmojnë prindërit në këtë periudhë përfshijnë:
- Përqafoni ndryshimin. Pranojeni si pjesë natyrale e jetës.
- Pranoni emocionet. Mos i gjykoni ndjenjat tuaja.
- Ruani rutinën. Struktura ndihmon për t’u ndjerë të mbështetur.
- Kujdesuni për veten. Zgjidhni çfarë ju ndihmon: miq, natyrë, ushtrime, etj.
- Fokusohuni te çfarë mund të kontrolloni. Vendosni objektiva të vegjël dhe realë.
Çfarë ndodh pas largimit të fëmijës?
Pasi fëmija largohet, mund të ndjeni një përzierje lehtësimi dhe trishtimi. Me kohën, mund të mësoni ta shijoni lirinë e re, por gjithashtu të përballeni me boshllëkun identitar apo dinamikat e reja në çift. Disa përjetojnë edhe “sindromën e folezës bosh”.
Potthoff sugjeron të përdorni këtë fazë për t’u rilidhur me partnerin (nëse keni), të eksploroni hobi, të fokusoheni te rritja personale apo karriera.
Ndërkohë, ruani kontaktin me fëmijën tuaj – por pa e mbingarkuar. Bëni pyetje se si preferojnë të qëndroni në kontakt dhe shprehni dashurinë pa krijuar ndjenjë faji apo detyrimi.
Hershkowitz thekson: “Fëmija po mëson të navigojë botën pa ju përkrah, por duke ditur që ju jeni aty nëse ka nevojë.” Jepini hapësirën për të ndjerë sikletin e pavarësisë, sepse përmes saj do të mësojë aftësitë dhe sigurinë që i duhen për të ecur përpara në jetë.