A e keni vënë re se sa herë që jeni duke bërë një bisedë me një të rritur tjetër, pavarësisht nëse është një mësues, një prind tjetër, apo edhe dikush në anën tjetër të një telefonate, kjo i nxit fëmijët tuaj t’ju ndërpresin?
Pse ndodh kjo? Së pari, kur fëmijët kuptojnë se përqëndrimi i prindërve është larguar prej tyre, mund të jetë i frikshëm. Madje mund t’i frymëzojë ata të veprojnë në mënyrë që të ndihen të dukshëm. Fëmijët mund të shtrihen në tokë, të bërtasin, të provojnë marifete të rrezikshme në këndin e lojërave, të zgjedhin të zihen me vëllezërit e motrat.
Gjëja më e rëndësishme që mund të bëni në këto situata është vetë-rregullimi. Mos harroni: Ndërsa instinkti juaj mund të jetë që ta shuani menjëherë zjarrin, ndërprerja nga fëmija juaj nuk është në të vërtetë një urgjencë. Në fakt, vendosja e kufijve është e shëndetshme. Por, si ta bëjmë këtë në një mënyrë më të dashur?
Mos u acaroni
Mos supozoni se fëmijët po ndërhyjnë për të qenë të pasjellshëm. Kuptoni që ndërprerja NUK është mosbindje, mosrespektim, sjellje antisociale). Fshini keqkuptimet nga mendja, në mënyrë që t’i përgjigjeni fëmijës tuaj me qëllimin e lidhjes mes jush, jo vetëm korrigjimin.
Mbani mend, fëmijët e vegjël janë egoistë. Ata nuk e kuptojnë sa ndikon ndërprerja nga perspektiva e një personi tjetër. Fëmijët nuk kanë lindur me aftësi sociale dhe nuk dinë të lexojnë shenjat. Fëmijët me ADHD, për shembull, priren të ndërpresin, sepse janë të prirur ndaj impulsivitetit dhe shpesh i turbullojnë gjërat pa e planifikuar. Fëmijët mund të kenë vërtet frikë se do të harrojnë gjënë e rëndësishme që donin të thoshin, duke zhvilluar një ndjenjë të vërtetë urgjence. Nëse vëmendja juaj është përqëndruar diku tjetër, mund të jetë e frikshme që fëmijët e vegjël të ndjejnë papritur se burimi i tyre i vetëm i mbështetjes dhe sigurisë është tërhequr për arsye përtej kontrollit të tyre. Kjo mund të duket e paarsyeshme. Ju jeni duke qëndruar vetëm pesë metra larg tij; natyrisht që fëmija është i sigurt! Por kjo nuk i bën ndjenjat e tij më pak të vërteta.
Pra, ndërsa ndërprerja e përsëritur mund të jetë zhgënjyese për të rriturit, fëmijët meritojnë ndjeshmëri, jo zemërim.
Thoni, “Unë po të shoh”
Këtu keni një udhërrëfyes për të menaxhuar ndërprerjen tuaj të radhës.
Përgatituni: Parashikoni kur do të jeni në një situatë kur do të keni nevojë të përqëndroheni tek të rriturit e tjerë: një mbledhje familjare, një vizitë me pediatrin, një takim Zoom i rëndësishëm. Pastaj punoni me fëmijën tuaj për të planifikuar në mënyrë të qartë se çfarë do të bëni të dy, ndërsa vëmendja e mamit është e përqëndruar tek të rriturit (at) e tjerë. “Kur flasim me fëmijët, ne fusim paraprakisht lidhjen, mirëkuptimin dhe zgjidhjen e problemeve”, shkruan psikologia klinike dhe nëna e tre fëmijëve Dr. Becky Kennedy. “Atëherë kur të vijë momenti, në vend që fëmija juaj të pyesë: ‘Çfarë po ndodh me mua?’, Ai do të thotë me vete, ‘Ah po … ne folëm për këtë. E kuptova çfarë po ndodh”.
Nëse keni një takim të rëndësishëm në Zoom, tregojini fëmijës tuaj për këtë një orë para dhe më pas disa minuta para. Merrni parasysh të vendosni një kohëmatës për t’i treguar atij sa gjatë do të zgjasë takimi. Vendoseni atë me një aktivitet të pavarur që duhet të mbajë vëmendjen e tij gjatë takimit. Nëse është e mundur, bëni pushime të rregullta gjatë takimit për ta lavdëruar atë që nuk po ju ndërpret. Pastaj mbylleni me një shpërblim në fund. Ky shpërblim pozitiv nuk ka nevojë të jetë një lodër ose ëmbëlsirë. Në fakt, në mënyrë ideale duhet të jetë një kohë e kaluar me ju. Pse? “Duke lënë mënjanë disa minuta në ditë për lojëra të përqëndruara me fëmijën tuaj, mund t’i ndihmoni ata të plotësojnë nevojën e tyre për vëmendje në një mënyrë më pozitive,” shkruan terapistja e lojërave Katie Lear. “Fëmijët që e marrin këtë, shpesh ndihen më të sigurtë në lidhjen e tyre me prindërit, gjë që mund ta bëjë më të lehtë të tolerojë kohën e ndarë. Kjo mund të ndihmojë në uljen e ndërprerjes në planin afatgjatë.”
Lidhuni në çast: Një nga strategjitë tona të preferuara për të trajtuar ndërprerjen në kohë reale: Kërkojini fëmijës tuaj të vërë dorën në kyçin tuaj kur të ndiejë se ka nevojë për vëmendjen tuaj, por ju jeni të zënë. Ju përgjigjeni duke vënë dorën pa folur mbi dorën e tij, duke e bërë të ditur se ai po shihet, njihet dhe duhet – dhe se do t’i ktheni përqëndrimin tuaj të plotë atij sa më shpejt që të mundeni.
Gjithashtu, bëhuni lozonjarë: Kennedy sugjeron të merrni një sekondë për të bërë gjëra dhe veprime qesharake me fëmijën tuaj. Të qenit argëtues zvogëlon tensionin dhe riafirmon lidhjen tuaj.
Pastaj mbani kufirin: Jepini fëmijës tuaj një ndjenjë konkrete se çfarë prisni prej tij dhe çfarë do të ndodhë më pas, por vazhdoni bisedën tuaj me të rriturin tjetër. Sipas Kennedy, nevojiten shpjegime të qarta dhe të drejtpërdrejta, “ndihmoni një fëmijë të jetë nën kontroll dhe ai do të veprojë me kontroll”. Jini specifik se çfarë do të bëni për të mbajtur kufirin. Ju mund të thoni: “Të shoh! Unë do të flas me zonjën X për disa minuta të tjera ndërsa ti luan. Pastaj, kur të mbaroj, do të vij të luaj me ty.”
E fundit, por jo më pak e rëndësishme: Modeloni sjelljen që dëshironi të shihni tek fëmija juaj. Vini re kur i ndërprisni ata, partnerin tuaj ose të tjerët. Kur vëreni se fëmija juaj sillet mirë, lavdërojeni atë! Fëmijët kanë tendencë të përsërisin sjelljet që ne u kushtojmë shumë vëmendje pozitive.